Nagavci kërkon themelimin e ekipeve vlerësuese për fëmijët me nevoja të veçanta

Aktuale

Nagavci kërkon themelimin e ekipeve vlerësuese për fëmijët me nevoja të veçanta

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 15:45
Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ka kërkuar nga drejtoritë komunale të arsimit në komuna që të sigurohen për themelimin – funksionalizimin e ekipeve vlerësuese pedagogjike për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Mungesa ose jofunksionaliteti i ekipeve vlerësuese pedagogjike në komuna po i dëmton fëmijët me nevoja të veçanta, prindërit dhe shkollat, pasi nuk arrijmë të kemi të dhëna/informata të sakta për nxënësit me nevoja të veçanta, shkallën e funksionalitetit të tyre, nevojat që ata kanë për resurse dhe mbështetje pedagogjike”, ka thënë Nagavci.

Sipas Nagavcit, mungesa e këtyre ekipeve ka bërë që fëmijët me nevoja të veçanta të jenë pa përkrahje dhe shkollat të përballen me mungesën, e cila po ua vështirëson punën.

Nagavci ka thënë se MASHTI ka hartuar instrumentet e standardizuara për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Instrumentet janë të bazuara në Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksionalitetit për Fëmijë dhe të Rinj (ICF) dhe janë të dizajnuara që t’u përgjigjen të gjitha llojeve të aftësisë se kufizuar sipas qasjes bio-psiko-sociale, që nënkupton që e vlerësojnë fëmijën në të gjitha aspektet”.

Ministrja ka theksuar se përkundër rëndësisë së madhe të ekipeve vlerësuese për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore dhe faktit se kjo është e rregulluar me legjislacionin në fuqi, kjo kërkesë për vite me radhë vazhdon të jetë e shpërfillur nga ana e komunave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat