Përfaqësuesi i posaçëm britanik për Ballkanin, Stuart Peach në Prishtinë për të mbështetur bisedimet Kosovë - Serbi

Aktuale

Përfaqësuesi i posaçëm britanik për Ballkanin, Stuart Peach në Prishtinë për të mbështetur bisedimet Kosovë - Serbi

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 06:23
Sir Stuart Peach, Vjosa Osmani

I dërguari i Posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, po qëndron të enjten në Kosovë, në vizitën e tij të parë që nga emërimi në këtë post. Ai u takua gjatë ditës me dyer të mbyllura me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe me përfaqësues tjerë institucionesh e partish politike.

Ambasada britanike në Prishtinë tha se i dërguari Peach, po punon për ta nxitur qëndrueshmërinë dhe përparimin në rajon.

"Përparësitë e tij përfshijnë punën me partnerët tanë në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, siç janë krimet e luftës dhe personat e zhdukur dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik”, thuhet në një postim e ambasadës britanike në rrjetet sociale.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke e përgëzuar zotin Peach për detyrën dhe për rolin aktiv të shtetit të tij në rajonin e Ballkanit, tha se "Mbretëria e Bashkuar është ndër aleatët kryesor, me rol kyç në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës", ndërsa shtoi se "sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët e Kosovës".

Ajo e ka siguruar zotin Peach se "Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke", ndërsa ka nënvizuar se "dialogu duhet t`i trajtoj palët në mënyrë të barabartë". Presidentja Osmani ka kritikuar gjatë takimit qasjen e Serbisë ndaj bisedimeve "duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara", ndërsa ka theksuar edhe "ndikimin negativ të Rusisë në rajon si një tendencë e hapur për destabilizimin e tij". Ndërsa kryeministri Kurti, tha se "Mbretëria e Bashkuar është partner i Kosovës i domosdoshëm për zhvillim dhe siguri", ndërsa theksoi se emërimi i të dërguarit britanik është veprim i duhur që do t’u kontribuojë proceseve politike në Ballkanin Perëndimor.

Image
Sir Stuart Peach, Albin Kurti

"E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO është qendror, e si hap i ardhshëm e i domosdoshëm është anëtarësimi i Kosovës në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, proces i cili sjell stabilitet për rajonin", citohet të ketë thënë kryeministri Kurti, duke e siguruar zotin Peach se qeveria e tij "është e angazhuar në procesin e dialogut në Bruksel. Dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve dhe ku përfitues përfundimtarë janë qytetarët e jo politikanët"

Ai ritheksoi se "integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo", duhet të ngelen të pacenuara.

Sir Stuart Peach po qëndron në Kosovë pas një vizite në Beograd ku ka diskutuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç për procesin e bisedimeve.

Sir Stuart Peach u emërua si i dërguar i Posaçëm britanik për Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit 2021. Emërimi i tij, sipas kryeministrit britanik, Boris Johnson, "është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për qëndrueshmërinë dhe paqe në rajon".

Sir Stuart Peach është i dërguari i tretë perëndimor për rajonin. Aktualisht zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar është në postin e të dërguarit të posaçëm amerikan, ndërsa Miroslav Lajçak, në detyrën e të dërguarit të posaçëm të BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Vizita e tij në Beograd dhe Prishtinë pason vizitën të dërguarve Escobar dhe Lajçak në fillim të shkurtit, në kuadër të përpjekjeve për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë - Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat