“Fara e keqe e hedhur nga sllavët”, projekti i ri me serbët, pas Lahutës, legjendat shqiptare i shpallin trashëgimi serbe!

Aktuale

“Fara e keqe e hedhur nga sllavët”, projekti i ri me serbët, pas Lahutës, legjendat shqiptare i shpallin trashëgimi serbe!

Nga: Idriz Morina Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 12:55
Valle shqiptare, vajza me xhubletën shqiptare, trashëgimi që kërkohet ta njohë UNESCO

A do të shpëtojë ndonjë trashëgimi iliro-shqiptare pa u vulosur si sllave?!

Ende nuk është shuar debati se si Serbia e paraqiti në UNESCO, si trashëgimi të saj Lahutën, me të cilën kanë kënduar shqiptarët, me pompozitet deri në gjysmën e periudhës së diktaturës dhe ende ekzistojnë lahutarë të shkëlqyeshëm. Por, nuk ka gjurmë se këtë (sot këndimin me lahutë) dinë ta bëjnë serbët.

Konflikti për trashëgimi, në UNESCO

Ashtu u munduan ta vjedhin edhe folklorin shqiptar, këngët rapsodike, duke ia ofruar botës këngëtarët ‘bilingual’, që këndonin edhe serbisht, për shkak se jetonin në kufirin me Serbinë, dhe se për argëtim të serbëve këndonin edhe serbisht, kryesisht në zonën kufitare të Sanxhakut me Serbinë.

Nuk është vetëm lahuta, që serbët duke u bazuar në historinë e vonë, arritën ta përvetësojnë. Ajo u pranua në vitin 2018, si trashëgimi botërore, nga serbët.

Shqiptarët kanë aplikuar në UNESCO për ta mbrojtur dhe të njihet nga ajo, Eposi i Kreshnikëve i kënduar me lahutë, si dhe disa trashëgimi të tjera si: “Kcimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, “Rituali i lashtë i shtegëtimit të bagëtive”, “Xhubleta si teknologji dhe dijebërje artizanale unikale dhe format e përdorimit të saj”, “Kcimi i Logut”.

Çështje që ende nuk kanë marrë epilog.

Përvetësimin e trashëgimisë së shqiptarëve serbët e kanë ideuar edhe në një mënyrë tjetër. Kështu nëpërmjet një projekti madje të financuar nga institucione ndërkombëtare, ndërsa duke iu ofruar informacione të rrejshme, studiues të dyshimtë, kanë nisur përvetësimin e trashëgimisë folklorike. Caku i zbuluar janë legjendat!

“Hulumtimet i kanë filluar nga fusha e historisë. Duke hulumtuar epoka të ndryshme të kulturës shqiptare dhe serbe, kanë gjetur ngjashmëri në legjendën e ndërtimit të Kalasë së Shkodrës. Në letërsinë e të dy popujve ekziston poema identike, e cila flet për vëllezërit që kanë ndërtuar Kalanë, e cila gjithnjë po rrënohej. Tregimi është i njëjtë, vetëm emrat e akterëve janë të ndryshëm. Mësimi që del nga ky rrëfim është i njëjtë – pa viktimizim të madh nuk ka rezultate të mëdha”, thuhet në raportimin e kësaj ndërnjohje, që në thelb e ka uzurpimin e legjendave, dhe sigurisht në radhë do të jenë edhe eposet shqiptare.

I pari që e ka filluar këtë ka qenë Vuk Karagjiqi, i cili para se të udhëzohej nga politika e Moskës dhe qendrave të tjera, disa rrëfime i kishte mbledhur në gjuhën shqipe. Pohohet se ekzistojnë dorëshkrimet e para. Duke ndjekur udhëzimet politike, apo të studiuesve që kishin qëllime politike, ai fillon grumbullimin e folklorit duke e përkthyer në serbisht.

Edhe tek balada e Rozafës, tre personazhet e tij janë: Vukashini, Uglesha dhe Gojko. Që të tre emra të pastër shqiptar, të përshtatur: Uka (Ukshin) (Vukashini), Ukleshi (Uglesha) dhe Goja (Gojko). Natyrisht që emrat nuk mund t’i përkthente ai, sepse edhe vetë Karagjiqi e kishte emrin shqip, Ukë (Vuk), si shumë emra të tjerë që i kanë huazuar nga ilirët-shqiptarët.

Rozafa legjendë serbe?!

Por, nuk ka ndodhur asnjëherë që në mënyrë kaq flagrante, sikurse në një rast trajnimi të studentëve shqiptarë të gazetarisë dhe atyre serb në Vojvodinë, t’u ofrohen informacione të rrejshme shkencore, në dobi të tezave serbe.

Është e habitshme, se si ky trajnim ka filluar të kërkojë të “përbashkëtat historike” ndërmjet dy popujve armiq, deri tani, dhe ia ka dal që ta gjejë, si pasuri “të përbashkët” legjendën e “Rozafatit”, të kalasë së Shkodrës”.

E para si mund të jetë e përbashkët historike një ‘legjendë” për dy popuj të ndryshëm, për një vend dhe territor që kurrë nuk u banua nga sllavët, përveç se në një pakicë të parëndësishme. Shkodra kurrë nuk ka qenë sllave, dhe as e dominuar, aq më pak nga serbët.

Shkrimi i historisë deri më sot kurrë nuk është mbështetur në legjenda.

Pra, çfarë metodologjie e mësimdhënies është kjo, çfarë shkence qenka, kjo që t’u mësohet historia studentëve nëpërmjet legjendave, ‘legjendarologji’, a mund ta quajmë apo e kanë quajtur kështu?!

E dyta si mund të jetë e përbashkët historike, legjenda e Rozafatit, e ndërtuar dhjetëra shekuj para ardhjes së sllavëve në Ballkan.

Pra, nëse sllavët nuk ishin në Ballkan, dhe as serbët kur u ndërtua “Rozafati”, si mund të gjendej në kujtesën e këtij populli, një tregim i përbashkët.

Atëherë do të ishte e saktë nëse thuhet se serbët i morën këto tregime të legjendave nga shqiptarët, përkatësisht ilirët. Apo edhe më tej se shumica e serbëve kanë prejardhje ilire, dhe se nën trysninë politike, të interesave të ndryshme, ata e mësuan një gjuhë zyrtare që kurrë më parë se kishin njohur!

Por, kështu si tregohet kjo mënyrë studimi është mashtrim dhe falsifikim, i historisë dhe kulturës shqiptare.

Kjo shpalon diçka më shumë. Po përgatitet fuqia e katërt që ndërmjet falsifikimit dhe mashtrimit nga shqiptarët, të asimilohet kultura shqiptare, dhe që një pjesë e madhe e trashëgimisë orale shqiptare t’u jepet serbëve.

Tani më kjo e realizueshme shumë më lehtë, pasi bëhet nëpërmjet propagandës shqiptare, sepse gazetarët (disa) e ardhshëm shqiptarë (shkodran) tashmë janë ‘shitur’.

“Ka disa muaj që studentët e gazetarisë nga Shkodra dhe ata nga Novi Sadi janë duke punuar në një projekt për njohjen më të mirë reciproke dhe “afrimin” e dy popujve. Projekti po financohet dhe zhvillohet në kuadër të OSBE-së. Thonë se përmes këtij projekti po i “restaurojnë” urat e shembura qëmoti midis dy popujve”, thuhet në një raportim në media.

Nga bashkëpunimi i studentëve të këtyre dy qyteteve të pasura me histori, është bërë edhe një video, në të cilën më detajisht përshkruhet poema, ngjashmëritë e saj te shqiptarët dhe te serbët, dhe shumë gjëra të tjera, vazhdon tutje raporti.

Kalaja e Shkodrës, deri vonë është konsideruar se është ndërtuar nga ilirët, diku rreth shekullit 4-5 para erës së re, që i referohen si periudhë helenistike. Por, kërkimet arkeologjike të kryera së fundi, argumentojnë se ajo ka një nënshtresë shumë të hershme qytetërimi, dhe mure, që i takojnë kohës çiklopike.

Pra, mijëra e mijëra vjet, pa ardhur këtej sllavët!

Image
Kalaja e Shkodrës, Rozafa, mijëra e mijëra vjet legjendë

Dalipaj: Shprishësit e shqipes, janë fara e keqe e hedhur nga sllavët

Problemet me identitetin dhe trashëgiminë shqiptare, të krijuara madje nga vetë institucionet, nuk janë të reja. Ka përplasje të mëdha veçanërisht për trashëgimin gjuhësore, ndërmjet shkollës zyrtare, kryesisht atyre që në mënyrë ortodokse mbështesin rezultatet e huaja në gjuhësi, të cilët kanë krijuar teza, që gjuhën shqipe e rrëgjojnë në atë masë, sa e konsiderojnë, shprehur figurativisht, një trup i gjymtuar në tërësi, ku kanë mbijetuar disa fragmente, dhe pak pjesë të skeletit.

Këtyre u kundërvihen një grup gjuhëtarësh shqiptarë, madje disa edhe kanë vdekur, pa ia dalur që të mësohen në shkolla apo të studiohen në universitete. Sipas tyre, si Petro Zheji, që ka lënë një hulli të ri studimesh gjuhësore, më parë Spiro Kondo, e në kthim mbrapa në kohë që shkon nga Sami Frashëri, Jerondim de Rada, Dhimitër Kamarda e deri tek themeluesi i kërkimeve të origjinës së shqipes së lashtë (pellazgjishtes), arbëreshi Zef Krispi.

Sot, ndër të tjerë gjuhëtar të kësaj hullie shquhen me veprat e tyre si Mili Butka, Agron Dalipaj e të tjerë.

Ky i fundit, Dalipaj nuk ndalet së denoncuari veprimtarinë antishkencore në gjuhësi të akademive.

“Sot duhen përpjekje po aq të mëdha për të ruajtur identitetin e gjuhës sonë nga shprishësit e saj, që janë fara e keqe e hedhur nga sllavët e që kanë mbirë e gjallojnë nëpër akademitë e universitetet tona.

Ne jemi të gjithë përgjegjës nëse heshtim sot pas gjëmës që kanë gatitur doktorët e gjuhës për gjuhën tonë”, ka shkruar gjuhëtari Agron Dalipaj në një reagim të tij, pak kohë më parë.

Dalipaj, i cili është ballafaquar edhe me fushata kundër tij, është nga ata shqiptarët e pakët, gjuhëtarë, që bëjnë të pamundurën që me studimet e tyre, tu rikthehen nëpërmjet shkencës, studimeve, pasuritë gjuhësore të shqipes, dhe që ju kundërvihen traditës gjuhësore shqiptare-zyrtare, që në mungesë kompetence, dije, dhe për motive të tjera jashtëshkencore, kanë pranuar teza që ia mohojnë gjuhës shqipe, pasurinë e saj leksikore, dhe me këtë edhe një pjesë të lashtësisë së saj.

Dënohet për shpifje zyrtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Valter Memisha

Fundi i një procesi gjyqësor zbulon një superskandal të Qeverisë së Shqipërisë, për gjuhën shqipe, ku është dënuar drejtori i Institutit të Gjuhësisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike Tiranë z. Valter Memishaj.

“Javën e shkuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës është mbajtur seanca përfundimtare kundër të akuzuarit Valter Memisha, zyrtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i cili është shpallur fajtor e dënuar për kryerjen e veprave penale kundër Qendrës për Edukim dhe Përparim, me seli në Prishtinë, për fjalorin e gjuhës shqipe”, thuhet në njoftimin e Qendrës për Edukim dhe Përparim në Prishtinë.

Sipas këtij njoftimi sekretari i projektit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Valter Memisha, në një emision të datës 02.06.2021, të transmetuar në Radiotelevizionin Shqiptar, kishte shpifur ndaj Qendrës për Edukim dhe Përparim, duke shfaqur një urrejtje e përçmim për projektin e Prishtinës për përparimin e gjuhës shqipe.

Por, ajo që është edhe më interesant se në këtë njoftim zbulohet një superskandal, tipik antishqiptar i Qeverisë së Ramës, që veç tjerash u ka borxh shqiptarëve, edhe për propagandën, përveç për vendimin që ta pranojë projektin serb “Ballkani i hapur”.

Derisa flet e çirret për Ballkanin e hapur, pjesë e të cilit thotë se duhet të jetë edhe Kosova, pa fije turpi, Rama, qeveria e tij, e ka ndarë gjuhën shqipe, në tri njësi, shqipja e Shqipërisë, Shqipja e Kosovës, dhe Shqipja e Maqedonisë Perëndimore.

Pra, e ka bërë një shërbim proserb, që as produkti më i madh pro serb, Enver Hoxha me regjimin e tij, nuk kishin pranuar ta bënin. Ata përveç se e sakatuan gjuhën shqipe, lashtësinë e saj, duke e bërë dialektin toskë mbizotërues ndaj atij gegë, që konsiderohet nga të gjithë studiuesit si më i lashti, dhe më konservativ, Rama dhe qeveria e tij, shkon përtej duke e ndarë shqipen zyrtarisht.

Duke qenë një variant më i lashtë dhe më konservativ i gjuhës shqipe, gegnishtja ka ruajtur trajtat më elementare të gjuhëve të vjetra, jo vetëm në histori e parahistori, po që prej kohëve primordiale, kur njerëzit mund të mos kenë jetuar fare në grupe etnike.

Si të tilla morfemat e saj më elementare, apo edhe embriomorfemat si i quan studiuesi Dalipaj, shërbejnë për të zbërthyer etimologjinë, jo vetëm të shumë fjalëve të pazbërthyera të shqipes nga etimolog të mëparshëm e të sotshëm, por edhe të shumë fjalëve në gjuhë të ndryshme të truallit europian.

Po nga rezultatet e këtyre studimeve del se një korpus i tërë i fjalëve të shqipes, që u konsideruan me prejardhje të huaj, janë tërësisht shqipe, dhe që shpjegohen në nivelin më të lartë të argumentimit vetëm shqip.

Qëllimin e Qeverisë së Shqipërisë e ka zbuluar në njoftimin e cituar më sipër Qendra për Edukim dhe Përparim, e cila e kishte krijuar një platformë të vetme gjuhësore në Microsoft, falë edhe bashkëpunimit të mëparshëm me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

...Rol ky i pranuar dhe i mbështetur atëherë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si partner yni i kontraktuar. Tash kjo Akademi ka marrë qëndrim të kundërt për gjuhën dhe pa ngurrim dëmton të ardhmen e gjuhës shqipe. Përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë, të frymëzuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, kanë bërë veprime konkrete për përçarje kombëtare, duke ndikuar, lejuar dhe miratuar trajtimin e gjuhës shqipe si tri gjuhë të ndryshme zyrtare në platformat e Microsoft-it, që përdoren nëpër institucionet shtetërore e arsimore në Shqipëri. Korporata Microsoft, pa fajin e vet, duke respektuar qëndrimin politik dhe juridik të Shqipërisë, ka lejuar teknikisht dhe juridikisht në platformat e saj softuerike (MS Windows, MS Office etj.) të ketë tri gjuhë shqipe: Albanian Albania, Albanian Kosovo dhe Albanian North Macedonia”, thuhet në njoftimin e Qendrës për Edukim dhe Përparim në Prishtinë, të lëshuar të shtunën që shkoi.

Pra, derisa Edi Rama tërë Shqipërinë ia vë në dispozicion Serbisë, duke u hapur ndaj saj, e duke u bashkuar me të, e ndan Kosovën dhe gjuhën shqipe, në tri grupe, pavarësisht që të gjithë shqiptarët vazhdojnë ta shfrytëzojnë një standard të vetëm, gjuhën e unisuar shqipe, me Kongresin e Drejtshkrimit të 1972-ës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat