(E plotësuar 11:11) - Në 14-vjetorin e shtetësisë, krerët e shtetit bëjnë homazhe edhe tek varri i Rugovës e Demaçit
Në 14-vjetorin e shtetësisë së Kosovës, e para e vendit, Vjosa Osmani e shoqëruar nga kryeparlamentari, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe edhe tek varri i ish-presidenti Ibrahim Rugova dhe veprimtari, Adem Demaçi.
Ata vendosen kurora lulesh për të nderuar veprën e tyre.
Që në mëngjes filluan aktivitet për të shënuar 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Krerët e shtetit kanë bërë homazhe sot edhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ndërsa, në orën 11:00 do mbahet seancë solemne për nder të 14 vjetorit të pavarësisë e në orën 12:00 do parakalojnë kadetët e kuadrateve të FSK-së dhe të Policisë së Kosovës.
Sot shteti i Kosovës feston ditëlindjen e 14-të. Po në këtë datë në orën 15:39 Kosova u shpall shtet i pavarur, sovran dhe demokratik ku në seancën solemne për shpalljen e pavarësisë morën pjesë 109 deputet prej 120 sa janë.
Deklarata e pavarësisë së Kosovës dhe shpallja e pavarësisë ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa president atë kohë ishte, Fatmir Sejdiu.
***
Krerët më të lartë të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryparlamentari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova dhe veprimtari të çështjes kombëtare, Adem Demaçit.
Asnjëri nga ta nuk është prononcuar para gazetarëve.
LIVE: Osmani, Konjufca e Kurti bëjnë homazhe në Prekaz
Pasi ngritën flamurin shtetëror, në nder të 14-vjetorit të Pavarëisë së Kosovës, e para e vendit, e shoqëruar nga kryeparlamentari, Glauk Konjufca, kryeministri, Albin Kurti shkuan tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Krerët e shtetit, bërën homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.
Në Prekaz shkoi edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Për nder të shtetësisë së Kosovës, mbi sheshet e Prishtinës u lëshuan edhe parashuta me flamujt shtetëror, e krahas tyre edhe flamuri kombëtar.
***
Për nder të 14-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, së bashku me Forcat e Sigurisë së Kosovës, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari.
Për nder të 14-vjetorin e shtetësisë së Kosovës mëngjesin e sotëm është bërë ngritja solemne e flamurit të Republikës së Kosovës ku në ceremoni morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministri, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.
Festë u bë dhe në qiell.
Mbi sheshet e Prishtinës u lëshuan parashuta me flamujtë e Kosovës, e krahas tyre edhe flamuri kombëtar.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 Shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 deputet nga gjithsej 120, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Deklarata e pavarësisë së Kosovës dhe shpallja e pavarësisë ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa president atë kohë ishte, Fatmir Sejdiu.
***
Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
***
Festimet për përvjetorin e 14-të të pavarësisë së Kosovës nisen me ceremoninë e ngritjes së flamurit në hapësirën mes Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë në kryeqytet. Pas kësaj ceremonie presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti uruan të gjithë qytetarët për 14-vjetorin e pavarësisë, ndërsa përkujtuan edhe të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në ceremoninë e ngritjes së flamurit shtetëror mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari.
Duke e quajtur pavarësinë e Kosovës si arritja më kulminante të popullit shqiptar, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përkujtoi të gjithë ata që kontribuuan në lirin dhe pavarësinë e Kosovës.
Osmani u shpreh se liria e Kosovës do të jetë e plotë kur do të vihet drejtësi për të gjitha viktimat e luftës dhe kur të kthehet edhe qytetari i fundit i zhdukur.
Osmani kërkoi unitet për të tejkaluar sfidat, ndërsa theksoi se 17 Shkurti i vitit 2008 njëherë e përgjithmonë është përcaktuar fati i Kosovës si shteti i pavarur dhe sovran.
Osmani: Liria jonë do të jetë e plotë kur do të ketë drejtësi për të gjitha viktimat
“Duke filluar nga vizionari dhe arkitekti i shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova i cili diti ta qartësojë vullnetin e qytetarëve para botës dhe të krijojë miqësi të cilat edhe sot i gëzojmë dhe duke vazhduar me mbi 3 mijë dëshmorë të cilët flijuan jetën e tyre në mënyrë që sot të jetojmë të lirë të udhëhequr nga komandanti legjendar, Adem Jashari dhe familja Jashari. Natyrisht që sakrifica për shtetin tonë ka qenë jashtëzakonisht e madhe mbi 13 mijë civilë prej të cilëve 1 mijë e 133 e më shumë fëmijë rreth 20 mijë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës , mbi 130 mijë shtëpi të shkatërruara shumë monumente kulturore e mbi 1mijë e 600 të zhdukur janë plagë akoma e hapur e Republikës sonë dhe liria jonë do të jetë e plotë atë ditë kur do të ketë drejtësi për të gjitha viktimat dhe atë ditë kur deri edhe qytetari ynë i fundit do të kthehet në Republikën tonë te shteti i vet, te familjet e tyre. Në këtë ditë natyrisht festojmë edhe të arriturat e Republikës së Kosovës sepse shteti ynë është natyrisht punë e përfunduar dhe më 17 shkurt 2008 është përcaktuar njëherë e përgjithmonë fati ynë si shtet i pavarur dhe sovran dhe në këto sfida duhet të qëndrojmë të bashkuar sepse historia jonë ka dëshmuar çdo herë se vetëm atëherë kur jemi të unifikuar dhe të bashkuar rreth qëllimit për ta bërë Kosovën shtet të suksesshëm shtet që i del zot qytetarëve të vetë, shtet me të cilin mburren që të gjithë të rinj dhe të vjetër atëherë vërtet mund të kemi sukses”, deklaroi presidentja Osmani.
Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca derisa uroi qytetarët për ditëlindjen e 14-të të pavarësisë së Kosovës u shpreh se shteti i Kosovës do të qëndrojë lartë dhe i paepur përgjithmonë.
Konjufca: Shteti jonë do të qëndroj lartë dhe i paepur përgjithmonë
“Edhe vetë fakti që këtë ditë po e fillojmë me ngritjen e flamurit të shtetit tonë është një simbolik që tregon se shteti ynë do të qëndrojë lartë dhe i paepur përgjithmonë, përgjatë të gjithë do e shënojmë këtë ditë të rëndësishme të shtetit tonë me aktivitet të shumta ashtu siç e meriton kjo ditë e rëndësishme. Prandaj, shfrytëzoj rastin që të gjithë qytetarëve të Kosovës t’ju uroj Ditën e Pavarësisë“, tha ai.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti krahas urimit për qytetarët e Kosovës për 14-vjetorin e pavarësisë ka përkujtuar edhe të gjithë ata që luftuan për lirin dhe pavarësinë e vendit.
Ai u shpreh se ata të cilët punuan dhe luftuan kanë lënë gjurmë të pashlyera për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Kurti: Ata të cilët punuan dhe luftuan kanë lënë gjurmë të pashlyera
“Teksa urojmë dhe festojmë gëzohemi dhe e urojmë njëri-tjetrin nuk kemi se si të mos kujtojmë dhe përkujtojmë ata të cilët punuan dhe luftuan për lirin e popullit dhe pavarësinë e vendi. Andaj nga kryeqyteti i Republikës këtu në oborrin e përbashkët të Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë ku bëmë nderime dhe ngritëm flamurin shtetëror do të vazhdojmë për kryeqendrën e kryengritjes së popullit tonë në Prekaz, pra te kompleksi “Adem Jashari” dhe më pastaj tek varri i presidentit, Ibrahim Rugova dhe veprimtarit, Adem Demaçi. Të gjithë ata të cilët punuan dhe luftuan kanë lënë gjurmë të pashlyera për të sotmen dhe të ardhmen tonë andaj ne u jemi falënderues të gjithëve mirënjohës përjetë“, tha Kurti.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 deputet nga gjithsej 120, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Deklarata e pavarësisë së Kosovës dhe shpallja e pavarësisë ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa president atë kohë ishte, Fatmir Sejdiu./
***
Ngrihet flamuri shtetëror në Ditën e Pavarësisë: I kujtojmë të rënët për këtë ditë
Për nder të Pavarësisë, në oborrin e Qeverisë, është ngritur flamuri i Republikës së Kosovës.
Sot Kosova mbushi 14 vjet shtet.
Të pranishëm në ngritjen e flamurit ishin presidentja Vjosa Osmani, kryparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj e komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në këtë ditë të shpalljes së Pavarësisë, nuk ka sesi të mos i kujtojë të rënët për këtë ditë.
“Teksa kremtojmë e festojmë, nuk kemi sesi të mos i kujtojmë ata të cilët punuan dhe luftuan për pavarësi, andaj nga kryeqyteti i Republikës, do të vazhdojmë për në kryeqendrën e kryengritjen e më pastaj në Prekaz, e më pastaj vizitë te varri i ish-presidentit Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçit. I nderojmë të gjithë ata që punuan dhe luftuan, lanë gjurmë ta pashlyeshme për këtë ditë”, tha Kurti.
E kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se kjo ditë po fillon me simbolikë me ngritjen e flamurit, ashtu siç do të qëndrojë shteti i Kosovës.
“Këtë ditë po e fillojmë, është një simbolik që shteti jonë do të qëndrojë lartë dhe përgjithmonë. do ta shënojmë me aktivitetet të ndryshme ashtu siç e meriton”, tha Konjufca.
Ngrihet flamuri shtetëror në Prishtinë
Pavarësia e Kosovës, Osmani, Kurti e Konjufca ngritin flamurin shtetëror.
Sot shënohet 14 vjetori i Pavarësisë së Kosovës.
Me këtë rast presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, e kryekuvendari Glauk Konjufca, do ta bjënë ngritjen e flamurit në oborrin e Qeverisë.
“Presidentja Osmani, kryekuvendari Konjufca dhe kryeministri Kurti bëjnë ngritjen e flamurit shtetëror në Ditën e Pavarësisë (Oborri i ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ora 08:00)”, thuhet në njoftim zyrtar.
Në këtë ditë nuk do të mungojnë edhe aktivitetet tjera.
Aktivitetet me rastin e 14-vjetorit të pavarësisë
Kosova shënon sot 14-vjetorin e shtetësisë së saj me një sërë aktivitetesh të organizuara nga institucionet qendrore dhe ato lokale.
Ceremonitë për nder të kësaj dite do të fillojnë me ngritjen e flamurit shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së në oborrin e Zyrës së Kryeministrisë, në të cilin do të marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca si dhe kryeministri Albin Kurti.
Manifestimi qendror do të jetë parakalimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ndërsa edhe Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë solemne.
Të gjitha Komunat kanë organizuar aktivitete që nisin me homazhe në nderim të dëshmorëve dhe martirëve si dhe janë paralajmëruar seanca solemne të Kuvendeve Komunale.
Mëngjesin e sotëm krerët e shtetit dhe përfaqësues të partive dhe institucioneve qendrore e lokale do të bëjnë homazhe te shtatorja e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari në Prekaz dhe Skenderaj, shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë, varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, Reçak dhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Krerët e vendit do të kenë edhe një pritje shtetërore me rastin e 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Gjatë ditës janë paralajmëruar edhe një sërë aktivitetesh sportive dhe kulturore në të gjithë vendin.
Ndryshe, të dielën e 17 shkurtit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë dhe Kosova u shpall e pavarur derisa në Ballkan u konfirmua edhe një shtet i ri.