Peci publikon audio-incizimin e stafit të RTK-së: Gjuhë skandaloze ndaj ministres Gërvalla

Aktuale

Peci publikon audio-incizimin e stafit të RTK-së: Gjuhë skandaloze ndaj ministres Gërvalla

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 16:54
Donika Gërvalla, Faton Peci dhe Vjosa Osmani

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të Konferencës së Sigurisë në Mynih në Radio Televizionin e Kosovës, më 18 shkurt, është dëgjuar një komunikim mes stafit të RTK-së, që përmban gjuhë denigruese, seksiste dhe të papranueshme, ndaj kryediplomates Donika Gërvalla.

Sipas tij, gjuha e tillë nuk duhet të ketë vend në asnjë format, e lëre më në një platformë mediatike që për më tepër është institucion publik.

“I bëjmë thirrje edhe Radio Televizionit të Kosovës që të distancohet nga kjo gjuhë, dhe këtë rast ta trajtojë me seriozitetin më të lartë, ashtu që të sigurohet që një nivel i tillë mendimi e diskutimi të mos tolerohet më kurrë”, shkroi ai në Facebook.

“Njëkohësisht, i bëjmë thirrje të gjitha mediave, gazetarëve e shoqërisë civile që të reagojnë karshi një gjuhe të tillë që fatkeqësisht nuk është e rrallë në shoqërinë tonë, por që nuk guxojmë në asnjë mënyrë ta lejojmë të tejkalohet pa u dënuar nga shoqëria”, shtoi i pari i dikasterit të Bujqësisë, teksa ka shpërndarë një fotografi, ku evidentohet gjuha skandaloze ndaj kryetares së Listës “Guxo”, njëherësh ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Shënim: Audio-incizimi është publikuar nga një medium me domain nga Shqipëria. Ai është shpërndarë në statusin e ministrit Peci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat