Vrasja e komandantit të njësisë “Skënderbeu” - Një nga rastet më enigmatike të luftës / Si e njohu majori Maleta

Aktuale

Vrasja e komandantit të njësisë “Skënderbeu” - Një nga rastet më enigmatike të luftës / Si e njohu majori Maleta

Nga: Idriz Morina Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 18:41
Rashit Mustafa - "Karadaku"

Një nga vrasjet që ende sot trazon shpirtrat është ekzekutimi i pamëshirshëm i komandant “Karadakut”, Rashit Mustafës, ushtarakut, që për një kohë e udhëhiqte njësinë elitare, “Skënderbeu”.

Përveç se u vra në rrethana të paqarta, trupi i tij u gjymtua, dhe për disa vjet të tjera, vendi i varrimit të tij u mbajt fshehur.

Kur kjo fshehtësi më nuk mundi të ruhej, dikush u kujdes, që një pjesë të eshtrave të tij, ta nxirrnin afër një rruge. Kishin kaluar më shumë se gjashtë vjet nga përfundimi i luftës dhe eshtrat u gjetën. Por, duhej të pritej ende, për gati një vit tjetër, para rivarrimit, vërtetësinë e eshtrave, kryerjen e ADN-së, dhe hetimin mjekoligjor të vdekjes së “Karadakut”.

Fillimisht u provua të bëhej falsifikimi, duke e përcaktuar një kohë krejtësisht tjetër të vdekjes, dhe jo siç e dinte familja. Me këtë synohej të zhvendoseshin hetimet në kohë dhe terren tjetër, dhe me mundësin që ai të ishte vrarë në luftë.

Por, kush ishte Rashit Mustafa - Karadaku në sytë e një ushtaraku, që pat mundësi ta njihte në dy kohë të ndryshme, në kohën e shkollimit dhe ta takonte në kohët më të vështira të luftës në Kosovë.

“Karadaku” nxënës

Ushtaraku major Jahir Maleta, në një bashkëbisedim për gazetën “Bota sot”, thotë se kur ai e takoi eprorin ushtarak, ish nxënësin e tij të dikurshëm, Rashit Mustafën, ai ende nuk e kishte nofkën “Karadaku”.

Maleta, një burrë me kujtesë të fortë, që kohën e kalon me familjen, por pa harruar shkathtësitë sportive dhe të tjera, i kujton në detaje, njohjet me Rashit Mustafën. Po ashtu ai flet, përciptazi edhe me disa pengesa në luftë.

“Në fillim të vjeshtës me 1979/1982 u pranua si kadet në shkollën e mesme ushtarake në Sarajevë ku unë isha mësimdhënës dhe ushtarak karriere i tij”.

- Si i ri, ai, dhe të gjithë të tjerët shqiptarë të asaj gjenerate që ishin në moshën 15 vjeçare, kontakti i parë me uniform karshi një ushtarakut shqiptarë ishte një shpresë për çdo njërin, por edhe Rashitit t’i plotësohej dëshira që një ditë të gjendej në të njëjtën situatë duke marr përgjegjësi si ushtarak!

- Kontakti parë me të në vjeshtë të 1979 më la përshtypje se vjen nga një familje si shumë të tjera punëtore dhe të varfra në atë kohë. Shtatlartë n‘krahasim me moshatarët, fizikisht më i zhvilluar ja që edhe dallohej në rresht.

Ai thotë se si për shumicën e shqiptarëve pengesat më të mëdha që i kishin, edhe për Rashitin, ishte gjuha serbo-kroate. “Por, me kohë edhe ajo nuk duhej t‘ishte problem!”

- “Shumë shpejt e vërejta se aftësitë e tij fizike ishin përparësi, por edhe dominonin me ato mësimore, sidomos te lëndët matematik-fizik-kimi!

- Fillimi i shkollimit nën planprogramin e lëndëve ushtarake: njohurit me armë, përdormi i tyre, taktika dhe shkenca ushtarake në përgjithësi ku isha përgjegjës, e vërejta n‘shikimin e parë se shumë shpejt i kapte gjërat. Ishte agil, karshi me mua shumë i sinqertë, por edhe i ndjeshëm në atë se çka nuk i pëlqente!”

Por, sipas Maletës, sapo Rashiti i merret përsipër detyrat, mundohej ta bënte të pamundurën, që t’i kryente ato.

“Kur i jepja detyrat shihja në sytë e tij se si ishte në gjendje të “shqyhet” nga vullneti i madh për të më bërë të sigurt se ‘unë jam i mirë dhe i fortë’! Në sytë e tij reflektonte një angazhim dhe përgjegjësi e madhe për atë se çka unë kërkojsha. Donte t‘më tregonte mua si ushtarak shqiptar se sa i lidhur shpirtnisht është me t‘vetin!”

Ishte edhe i ndjeshëm në kritikë, duhej kohë dhe durim, sjellje pedagogjike që ta kuptonte atë se çka kërkoja nga ai. Mirëpo, kishte respekt karshi mua!

Kishte jo pak raste, që si shqiptarë që ishte, vihej në thumb nga racistët sllav.

- Ka ndodhur që t’vinte tek unë dhe të ankohej se shokët e klasës të nacionaliteteve të tjera e ngacmonin apo përpiqeshin për shkak të gjuhës ta provokonin, ishte nganjëherë edhe impulsiv, mirëpo i thyeshëm siç thoshte populli, kur isha unë prezent, ishte me gjitha t‘mirat. Me kohë kur e zotnoi gjuhën nuk e kishte pardon me askënd, karshi atyre që s’kishin durim ta dëgjonin!

Sipas Maletës, e kishte vënë re se me kalimin e kohës pasi Rashiti ishte adaptuar, pas 2-3 muajsh të vijimi të mësimeve dhe gjërave praktike, ai më shumë kishte afinitet për lëndët ushtarake se sa ato të përgjithshme: matematik, fizik, kimi!

-Pas gjysmëvjetorit, në vitin e parë bënim një rekapitullim dhe analizë. Isha tërë kohën në kontakt me mësimdhënësit si kujdestarë klase, dhe kishte pengesa shumë të mëdha që ta përvetësonte tërë programin në këto lëndë, dhe pas rezultateve jo aq të mira praktika ishte se duhet të lajmëroheshin prindërit nëpërmjet postes me shkrim për rezultatet e arritura.

Maleta e përshkruan në hollësi, takimin e rastësishëm me të ëmën e Rashitit, e cila ishte e ve, dhe se gjithë barrëne familjes me shumë fëmijë e kishte mbi kokë. Dhe do t’i drejtohej për ndihmë, siç dinte të fliste një nënë.

-“Pasi ishte rritur pa baba, u ftua nëna e tij, e cila edhe sonte më kujtohet kur erdh në Sarajevë para atyre vitesh me veshje si nënët tona, shumë u emocionova!

Mu drejtua: “bre nënë më shef se jam e vetme, burri më ka vdek, kam shumë fëmijë, nuk i kam kushtet për me i shkollu, ju lutem më ndihmoni për Rashitin ta kryej shkollën sepse nuk kam qejf të kthehet, jam e sigurtë se ai do të mundohet edhe ma shumë pasi ti je këtu”!”

Image
Nëna e Rashit Mustafës në mes, para shtatores së të birit, me rastin e zbulimit të saj, në vitin 2012

I emocionuar, majori Maleta do të zotohej se do ta ndihmonte, për aq sa do të ishte në dorën e tij.

- Në vazhdim e sipër e mësoi gjuhen dhe punët shkuan më mirë në shkollimin dhe edukimin e tij.

Maleta thotë se pas përfundimit të shkollës së mesme ushtarake në Sarajevë, i ndan rrugët si dhe shumë gjenerata pas tij, që duhej t’i shërbejnë në tërë territorin e ish-shtetit!

“Pas kësaj periudhe të gjatë nuk e kisha takuar dhe as nuk kisha dëgjuar për të!”, thotë ai.

Takimi në Tiranë

Majori Maleta do të takohej me ish-nxënësin e tij, por tashmë në luftë.

“Takimi i radhës me Rashit Mustafen ishte në fillim të korrikut me 1998 në Tiranë në Ministrin e Mbrojtjes. Ishte një takim shumë spontan dhe nuk e prisja! Ai dhe shumë të tjerë iu përgjigjën kauzës për angazhim në luftë në Kosovë!”, thotë ai.

Për Maletën ishte një rrëfim i papërshkrueshëm. “Kur u paraqit në objektet e Ministrisë Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe më pa, shumë u emocionua, kishim ndryshuar që të dy. Iu mbushën sytë me lot nga gëzimi, që më pa. Mu drejtua: “Z. Komandant ma pruni Zoti që të shoh edhe njëherë në këtë situatë dhe moment shumë të rëndësishëm. Jam i lumtur që do jem të përsëri nën komandën tënde, jam në gjendje t‘bëjë çka t’më thuash sepse të njoh kush ke qenë”!”, thotë ai.

Edhe kësaj here Maleta, do t’i jepte pak këshilla Rashitit. “Iu drejtova: Rashit djali më vjen mirë edhe mua që të takoj, do bëjmë atë çka kërkon populli, institucionet dhe ministri Ahmet Krasniqi”.

Ai i kishte shpjeguar shkurtimisht se kishte qenë pjesëmarrës në luftën e Kroacisë dhe detyrat që i kishte kryer kishin qenë, speciale me njësi speciale në kushtet e vështira atmosferike dhe gjatë natës!

“Më luti që t‘bisedojmë të nesërmen për kërkesat dhe mendimin e tij se si do të kishte n’plan të angazhohet në luftë!”, rrëfen Maleta.

Rrezik, pasiguri, konfuzion i shkaktuar edhe nga shteti shqiptar

Nuk ishte e lehtë të përmbusheshin kërkesat për ushtarakë. Për më tepër mjedisi nuk ishte aspak i favorshëm për luftë. Klima e krijuar nga institucionet e Shqipërisë ishte e rëndë.

“Kërkesat ishin të arsyeshme, ishin ca të vështira për ti realizuar, sipas asaj se çka unë shihja dhe dëgjoja!!! Nuk ia shpreha skepticizmin tim dhe filluam ta përcaktojmë njësinë dhe armët me të cilat ishte konfrontuar dhe i kishte përdorur në luftën kroate, në një fletore! Për periudhën e shkurtër se çka pash dhe përjetova aty ku ishim në Tiranë dhe për rreth, mu duk e pamundur sepse, nuk e dija nga kush dhe prej kah t‘vinte rreziku!”, rrëfen Maleta.

Ai ende nuk arrin ta kuptojë, se si në atë kohë, në luftë mund t’ju bëheshin aq shumë pengesa, veçmas, që ato të ishin të koordinuara nga institucionet.

“Kurrfarë sigurie dhe gatishmërie nga institucionet e Shqipërisë. Ishte një situatë absolute e rrezikshme dhe e paqartë! Edhe sot akoma nuk mund ti kuptoj rrethanat në të cilat ishim! Bojkot dhe sabotim nga të gjitha strukturat shtetërore!”, rrëfen Majori.

Zhgënjimin më të madh thuaja, majori do ta kishte përjetuar, kur u bë e qartë, se në luftë do të merrnin pjesë, nën një flamur, dy ushtri.

“Përjetova që ti shihja edhe dy fraksione që tentonin të bëjnë përgatitjet për konfrontim me Serbinë…! “Dy ushtri nën flamur kombëtar”???!!!”, thotë Maleta.

Pavarësisht rrethanave, ai e kishte njoftuar ministrin Krasniqi.

“Megjithatë e njoftova ministrin Ahmet Krasniqi me kërkesat dhe dëshirën e Rashitit! Po Bac, tha, do i shikojmë mundësit, por problem do jetë stërvitja e kësaj njësie speciale!”, thotë ai.

Armët e blera, po u konfiskoheshin nga SHISH-i, kështu që krijohej sërish problemi për armatim.

“Problemi më i madh ishte se të gjitha kontratat apo armët e sofistikuara, të cilat ishin planifikuar apo të blera nga grupe dhe individ u konfiskoheshin. Nga kush, organet e rendit të diktuara nga SHISH-i. E paimagjinueshme. E ato PA dhe armë të tjera të kalibrit t’vogël të ‘97-ës luftës civile, bliheshin nga fondi i 3% me 20 DM për copë, gjysma jo efikase!!!”, thotë ai.

Sipas tij, këto rrethana e bënin çdo ushtarak të pasigurt, se nuk mund t’i përgjigjeshe kërkesave për një luftë efikase kundër një armiku siç ishte ushtria serbe!

Maletaj, tregon për zhgënjimin e tij. “Pas vëzhgimit të njësive në QUS në Papaj, dhe gjendjen e atëhershme situatën në të cilën gjendeshin njësitet e MM-së, në aspektin e armatimit thjesht u zhgënjeva”.

“Karadaku” do të merret përsipër stërvitjen e vullnetarëve, me vendim të ministrit Krasniqi.

“Ndërkohë pas kthimit tim, sipas vendimit të ministrit Ahmet K. Rashit Mustafa kishte detyrë që ti mobilizonte, përgatiste ushtarët dhe njësitin aq sa ishin mundësit”.

“Aty pata rastin që për herë të fundit ta takoja Rashitin, ndonëse ishte larg me detyra konkrete dhe pas disa muajsh mora lajmin e hidhur se ishte vra, por nuk u shpjegua kurrë në cilat rrethana!”, ky ishte fundi i njohjes dhe tregimit nga majori Maleta për “Karadakun”!

Image
Pamje pas zbulimit të shtatores së "Karadakut", në mesin e tyre, ish komandant të Brigadës 138, Rrustem Berisha, Hisen Berisha etj.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat