Koci: E përkrah martesën mes gjinisë së njëjtë, është e drejtë e njeriut dhe e drejtë civile

Aktuale

Koci: E përkrah martesën mes gjinisë së njëjtë, është e drejtë e njeriut dhe e drejtë civile

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 20:17
Avokati Arianit Koci

Avokati Arianit Koci nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka treguar se pse ai përkrah martesën në mes të gjinive të njëjta.

Koci thotë se një gjë e tillë është e drejtë e njeriut dhe e drejtë civile.

Koci kujton se janë 31 shtete që kanë lejuar martesat e tilla dhe se sipas tij “të gjitha shtetet demokratike, herët a vonë, do ta aplikojnë këtë dispozitë”

“Kosova, natyrisht se do të rreshtohet në anën e duhur: të demokracisë. Jemi në një fazë të krijimit të Kodit Civil prandaj duhet t’i aplikojmë trendet më të avansuar liberalo-demokratike. Përsëris, ky trend nuk do të ndalet. Aq sa ka mundur të ndalet e drejta e gruas apo edhe të personave me ngjyrë në votë!”, shkruan Koci.

Shkrimi i plotë i Kocit në Facebook:

E përkrah martesën midis gjinive të njejta

Projekt-Kodi Civil i Kosovës, në nenin 1138, lejon martesën midis gjinive të njëjta.

E përkrahi këtë iniciative.

Nuk do ta përdori gjuhën teknike juridike, me qëllim që masa e gjerë ta kuptojë domethënien e kësaj dispozite, por edhe qëndrimin tim lidhur me këtë të drejtë të njeriut.

1. Njohja e së drejtës së martesës ndërmjet gjinive të njëjta, konsiderohet si e drejtë e njeriut dhe e drejtë civile.

2. Deri tash, 31 shtete e kanë lejuar martesën ndërmjet gjinive të njëjta.

3. Shteti i parë që e ka lejuar martesën ndërmjet gjinive të njëjta është Holanda (1 prill 2001). Siç po e shihni, numri vazhdimisht po rritet!

4. Mbështetësit e martesës midis gjinive të njejta janë organizatat e të drejtave të njeriut dhe të drejtave civile, dhe komuniteti shkencor.

5. Kundërshtarët më prominentë janë grupet fetare. Madje, sheriati dhe e drejta kanonike, e ndalojnë në mënyrë eksplicite.

6. Trendet botërore indikojnë rritjen e vazhdueshme të mbështetjes së njohjes në martesë midis gjinisë së njejtë, në demokracitë e zhvilluara. Ky proces është i pandalshëm. Të gjitha shtetet demokratike, herët a vonë, do ta aplikojnë këtë dispozitë.

7. Komuniteti shkencor nuk e konsideron homoseksualizmin si zgjedhje, por si përcaktim biologjik.

8. Të mos harrojmë, se edhe në demokraci as gratë e as njerëzit me ngjyrë nuk janë lejuar të votojnë.

9. Shtetet që e kanë legalizuar martesën mes gjinive të njejta janë: Argjentina, Australia, Austria, Belgjika,  Brazili, Kanada, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Danimarka, Ekuadori, Finlanda, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Luksemburgi, Malta, Meksika, Holanda, Zelanda e Re, Portugalia, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Zvicra, Tajvani, Britania e Madhe, SHBA dhe Urugvaji.

10. Kosova, natyrisht se do të rreshtohet në anën e duhur: të demokracisë. Jemi në një fazë të krijimit të Kodit Civil prandaj duhet t’i aplikojmë trendet më të avansuar liberalo-demokratike. Përsëris, ky trend nuk do të ndalet. Aq sa ka mundur të ndalet e drejta e gruas apo edhe të personave me ngjyrë në votë!

Drafti i Kodit të ri Civil i hartuar në disa vite, është finalizuar dhe Qeveria e ka aprovuar më 29 dhjetor të vitit që lamë pas. Tash, drafti është në Kuvend. Gjatë hartimit të tij që ka nisur e ka vijuar në qeverisje të ndryshme, në mënyrë sporadike është komentuar kryesisht vetëm ajo se si do të parashihet në Kod të ri çështja e martesave. Më saktësisht, a do të lejojë, apo a do t’i hapë rrugë, martesave të së njëjtës gjini në Kosovë.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në nenin për të Drejtën e Martesës dhe Familjes thuhet se ‘’Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin; 2. Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve; 3. Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj’’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat