‘Terrorizmi bërthamor’ i Rusisë / Katër stuhitë që mund t’i japin fund luftës pushtuese të Rusisë!

Aktuale

‘Terrorizmi bërthamor’ i Rusisë / Katër stuhitë që mund t’i japin fund luftës pushtuese të Rusisë!

Nga: Idriz Morina Më: 4 mars 2022 Në ora: 13:05
A ndodhet bota para rrezikut rus për sulme bërthamore

Konflikti luftarak Rusi-Ukrainë po shkon drejt shkallëzimit më të lartë. Sulmi në afërsi të centralit më të madh bërthamor në Ukrainë nga Rusia, në Zaporizhzhia, që ndodhet në Enerhodar, në juglindje të Ukrainës është mesazh se Rusia do të godasë pamëshirshëm deri në përdorimin e çdo lloj armatimi të ndaluar në luftërat urbane, përveç atij bërthamor.

Kërcënimin bërthamor Putini siç është evidentuar, e ka përdorur tri herë deri më tash. Por, pavarësisht kësaj ende nuk ka një reagim të përgatitjes nga Perëndimi, ndaj një kërcënimi të atillë.

Durim dhe gatishmëri!

Të gjitha vendet e NATO-s kanë shmangur këtë akt, duke e vlerësuar si një kërcënim psikologjik. Por, pas sulmit në Zaporizhzhia, që është centrali më i madh bërthamor në Ukrainë, vendet perëndimore, SHBA-ja, Franca dhe të tjera kanë aktivizuar ekipet për incidente bërthamore, pra që nënkupton ndërmarrjen e masave të duhura kundrejt rrezikut të një rrezatimi të mundshëm bërthamor, si pasojë e incidenteve, qoftë të qëllimshme, si goditja në afërsi e termocentralit bërthamor në fjalë.

Perëndimi, me të cilën kulturë dhe politikë jemi të ndërlidhur pashkëputshëm edhe ne, ka filluar të lëvizë në marrjen e masave të ndryshme.

Janë shënuar raste të lëvizjeve të qytetarëve, si blerje të bunkerëve në Britani të Madhe për 100 mijë funta, në Belgjikë dhe shtete tjera, blerje masive e jodit, për mbrojtje nga rritja e mundshme e nivelit të rrezatimit.

Presidenti amerikan Joe Biden i kërkoi Rusisë që menjëherë t’i ndalojë veprimet e saja ushtarake rreth zonës bërthamore.

Edhe kryeministri kanadez Justin Trudeau iu bashkua duke e quajtur "sulm të tmerrshëm", dhe se Rusia "duhet t’i pushojë sulmet menjëherë".

Më alarmuese është thirrja e kryeministrit të Britanisë së Madhe Boris Johnson, i cili përveç se e quajti sulm "të pamatur", vlerëson se veprimet e tilla mund ta "kërcënojnë drejtpërdrejt sigurinë e gjithë Evropës".

Sipas BBC që të tre liderët botëror kanë folur në telefon me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenski.

Zelenski: ‘Terrorizëm bërthamor’

Ndërkohë, Zelenski me një cicërimë në tviter, ku njofton për bisedën me kryeministrin japonez Fumio Kishida, e quan sulmin rus ndaj centralit, ‘terrorizëm bërthamor’.

“E informova z.Kishida për terrorizmin bërthamor të Rusisë në Zaporizhzhia. Ne të dy ramë dakord për peshën e kërcënimeve ndaj sigurisë globale... Së bashku ne kundërshtojmë agresorin”, ka shkruar sot Zelenski.

Ai ka thënë po ashtu se Rusia po dëshiron përsëritjen e një Çernobili, në të cilin vend shpërtheu termocentrali, në vitin 1986, sa ende ishte Ukrainë pjesë e Bashkimit Sovjetik.

"Nëse ka një shpërthim, ai është fundi i gjithçkaje. Fundi i Evropës", vlerëson Zelinski.

Image
Sulmi në afërsi të centralit bërthamor në Ukrainë nga Rusia, në Zaporizhzhia, në juglindje të Ukrainës

Sekretari i Shtetit Amerikan Antoni Bliken thotë se NATO-ja nuk e ka frikë Rusinë, se ajo duhet t’i jep fund luftës, dhe në instancë të fundit, nëse ajo provokon luftë, Aleanca është e gatshme të përballet me të dhe nuk do të lejojë të humb asnjë grim territor.

Presidenti i Francës Emanuel Macron, si duket është shashtisur nga telefonata që ka pasur dje me Putinin, dhe sipas tij e keqja e madhe ende nuk ka ardhur nga lufta në Ukrainë, ndërsa ka pasur durim të bisedojë përplot 90 minuta me Vladin e krisur rus.

Ndërsa, në një zhvillim tjetër, raportohet se numri i të vdekurve nga sulmet ajrore ndaj civilëve në Chernihiv, sipas bilancit të fundit është rritur nga 33 në 47, kanë deklaruar autoritetet lokale, transmetojnë mediat ndërkombëtare.

Shenja pozitive

Ndërsa, ndër shenja të mira janë se ushtria ruse po pëson humbje të mëdha ushtarake dhe në njerëz nga forcat e armatosura mirë ukrainase, por që do të armatosen edhe më mirë nga Perëndimi.

Po ashtu Perëndimi ka dërguar njësi rezistence, të cilat po e ndihmojnë dhe koordinojnë mbrojtjen e Ukrainës.

Ndërsa, shfaqen video dhe foto çdo ditë të njësive ruse të dorëzuara, që s’kanë guxim e besim, dhe as vullnet për të luftuar kundër ukrainasve. Ata madje kanë dorëzuar edhe automjete që bartin sisteme raketore, lëshues raketash, prej më të sofistikuarave.

Diplomacia perëndimore thirrjet e ukrainasve për të krijuar një zonë të ndalim-fluturimit të NATO-s në Ukrainë, po i cilëson ‘të papërgjegjshme’, e thënë kjo qartësisht nga kryeministrja lituaneze Ingrida Simonyte. Ajo këtë e arsyeton me faktin se një masë e tillë do të rrezikonte futjen e NATO-s dhe SHBA-ve në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

"Unë besoj se të gjitha inkurajimet për NATO-n për t'u përfshirë në konfliktin ushtarak tani janë të papërgjegjshme," tha Ingrida Simonyte në një konferencë shtypi në kryeqytetin lituanez, Vilnius.

“Zonë e ndaluar fluturimi” nënkupton një zone të caktuar të hapësirës ajrore, në të cilën përcaktohet se avionë nga vende armike nuk lejohen të fluturojnë, kjo do të ndalonte sulmet ruse nga ajri.

Por, a ka shtegdalje për ndalje të luftës në Ukrainë?

Sipas ish-bankierit shqiptar Emanuel Bajra, i cili duke analizuar informacionet interne dhe ato të dhëna nga ekspertë kompetentë i përmbledhë në katër mundësi:

Skenari më i parë, i cili në një mënyrë edhe është duke rrjedhur, është ndihma maksimale që NATO-ja mund t’ia jap Ukrainës, në mënyrë që ajo të ketë sukses.

“NATO-ja e pompon deri në maksimum Rezistencën Ukrainase me armë shumë më të sofistikuara karshi një ushtrie Ruse që 35% e armatimit e ka që nga koha e Hrushçovit”, shkruan ai.

Skenari i dytë është, që fillimisht Putini ia arrin që ta shtyp rezistencën e Qeverisë aktuale të kryesuar nga presidenti Zelenski, dhe më pas rezistenca e përgjithshme qytetare e ndihmuar nga perëndimi e përmbysin qeverinë, dhe Putini e humb justifikimin për kontroll ushtarak.

“2. Putini e merrë Kievin dhe rezistenca rritet aq shumë sa që qeveria kuislinge ruse në Kijevë do të mund të rrëzohej prapë sikurse në 2014 dhe një qeveri demokratike e rimerrë pushtetin - Putini do ta humbiste argumentin për ta mbajt krejt Ukrainën nën pushtim”.

Skenari i tretë është më i rrezikshëm dhe më i rëndë, sipas të cilit Putini arrin ta pushtojë Ukrainën, dhe perëndimi detyrohet ta vendosë ‘perden e hekurt’ në kufijtë e NATO-s.

Po ashtu në këtë skenar negativ ka një nënskenar pozitiv në Ballkan, i cili është spastrimi i Serbisë nga politikat millosheviçiste, dhe Kosova me vendet tjera të Ballkanit hyn në NATO.

“3. Muri i hekurt ri-instalohet pasi që Putini, arrin që me sukses ta pushtojë krejt Ukrainën duke e shtypur edhe rezistencën në Ukrainë dhe Rusi, duke përzënë rezistencën ukrainase jashtë territorit të saj, duke e konsolidiuar pozitën e tij në Rusi, përderisa për Perëndimin humbja e Ukrainës kompensohet me futjen e Finlandës e Suedisë brenda NATO-s, si edhe de-millosheviçizimi i Serbisë, pranimi i krejt Ballkanit në BE”.

Në skenarin e katërt, zhvillimi është shumë më fatal, përveç se që NATO-ja përfshihet në luftë, ndërsa vijnë në shprehje përdorimi i armatimit më bashkëkohor, kur Rusia përdor raketat e saj hipersonike, që me shumë gjasë nuk i ka në numër të madh, por jo të suksesshme sa ato të Kinës, në manovrim dhe shpejtësi, Putini aktivizon edhe armët bërthamore taktike.

Po ashtu kjo ka edhe një nënskenar për Ballkanin, kur Serbia e ndikuar nga Rusia futet në konflikt, dhe NATO-ja e bombardon sërish, dhe fillon procesi i denazifikimit të Serbisë.

“4. Lufta direkte NATO-Rusi që do të stimulohej nga një “gabim” intencional i Rusisë duke e sulmuar një vend të NATO-s. Në këtë rast proporcioni ushtarak NATO-Rusi do të ishte 10 me 2 dhe fitorja e aleancës do të ishte e garantuar, por me humbje disa milionëshe të njerëzve përreth brezit kufitar me Rusinë si edhe disa dëmeve nga raketat hipersonike ruse si edhe atyre taktike-nukleare që do të mund ti shpëtonin sistemit mbrojtës nuklear të NATO-s.

Serbia në këtë rast do të anonte me Rusinë dhe ky vend do të ishte bombarduar prapë nga NATO-ja pas vërsuljes që i bën Serbia Kosovës”, përfundon Bajra në paraqitjen e skenarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat