Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka hedhur sot një varg akuzash kundrejt kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë.
Ai i ka thënë kryeministrit Kurti se populli nuk ushqehet me ideologji.
Haradinaj mes tjerash akuzoi qeverinë për veprime “antipopullore”, ndërsa ka thënë se do ta dërgojnë në Gjykatën kushtetuese për shkak të rritjes së çmimit të rrymës dhe pagesës së rrymës për serbët në veri.
“Përfundimisht, situata në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e rëndë, edhe në aspektin e ekzistencës e edhe të sigurisë. Kryeministri në vend që të veprojë po mbanë fjalime letrare dhe filozofike në Kuvend. Kanë vdekur sistemet kur popujt janë ushqyer me ideologji dhe me artin e kulturën që e kanë prodhuar ato, e të cilat kryeministri Kurti po i përdorë me aq pafytyrësi”, ka shkruar mes tjerash Haradinaj. .
E kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur Liri Loshi, ish kandidat i VV-së për deputet të Kuvendit.
Ai ka ironizuar duke thënë se Haradinaj e ka mirë dhe se populli duhet të bëjë atë që ka bërë ai, duke u bërë milionerë.
“Mirë e ka Ramushi! Populli nuk ushqehet me fjalë e me ëndrra. Duhet të tanë me ba çka ka ba Ramushi. Secili qytetar me e gjetë një parcellë sa ma afër qëndrës. Me e ndërtu nga një shtëpi të madhe dhe me e lëshu me qera. Kështu krejt bahen milionerë si Ramushi e Remi. Çka ka me na kallzu Albini që s’ka sh’pi për veti?! Ai që ka sh’pi e di qysh mahet sh’pia! Kurrkush nuk e di ma mirë se Ramushi! Në zgjedhjet e ardhëshme mos harroni me e votu Ramushin!”, ka përfunduar Loshi.