Ky është biznesmeni i arratisur, dyshohet për keqpërdorimin e mbi 100 mijë eurove të Telekomit

Aktuale

Ky është biznesmeni i arratisur, dyshohet për keqpërdorimin e mbi 100 mijë eurove të Telekomit

Më: 9 mars 2022 Në ora: 18:01
Telekomi i Kosovës

Policia e Kosovës sot ka arrestuar katër zyrtarë të Telekomit të Kosovës për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Gazeta merr vesh se katër personat e arrestuar sot nga Policia e Kosovës në Telekom janë Kushtrim Jakupi, Mimoza Pireva, Shkurte Shabani dhe Fatime Jashanica.

Ndërkohë në arrati është edhe një person tjetër si i dyshuar për përfitim të 100 mijë eurove nga Telekomi.

Media mëson se ai është Rinor Konjusha pronar i kompanisë “Smart Marketing” i cili sipas policisë së Kosovës është në arrati.

Sipas njoftimit të Policisë katër personat e dyshuar i kanë mundësuar të dyshuarit R.K pronar i kompanisë përfitim të kundërligjshëm në vlerë mbi 100,000.00 (Njëqind mijë euro).

Sipas policisë, i dyshuari i lartcekur (R. K.) pronari i kompanisë i është shmangur paraqitjes në polici dhe i njëjti është në kërkim policor

Katër personat janë arrestuar sot për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mashtrim në Prokurim”

Zëdhënësi për media, Daut Hoxha ka thënë se ata dyshohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë zbatimit të Marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirave për reklama e lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe një Kompanie të nënshkruar në vitin 2018.

“Të dyshuarit duke vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare përkundër faktit se kjo marrëveshje nuk ishte realizuar kanë nënshkruar raporte për përmbushje të kontratës me përmbajtje të rreme dhe me këtë i kanë mundësuar të dyshuarit me iniciale (R. K.) pronar i kompanisë përfitim të kundërligjshëm në vlerë mbi 100,000.00 (Njëqind mijë euro). I dyshuari i lartcekur (R. K.) pronari i kompanisë i është shmangur paraqitjes në polici dhe i njëjti është në kërkim policor”, tha ai.

Të dyshuarit e arrestuar pas intervistimit me aktvendim të Prokurorit të Shtetit ndalohen për 48 orë, për procedura të mëtejme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat