​Drejtori i Hetimeve të Policisë: Gjatë vitit të kaluar i kemi pasur 571 operacione policore

Aktuale

​Drejtori i Hetimeve të Policisë: Gjatë vitit të kaluar i kemi pasur 571 operacione policore

Më: 10 mars 2022 Në ora: 14:44
Në komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

Në komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka raportuar edhe drejtori i Hetimeve të Policisë së Kosovës, Arben Paçarizi. Ky i fundit ka njoftuar se gjatë vitit të kaluar janë ngritur mbi një mijë kallëzime penale për më shumë se dy mijë persona. Edhe gjatë janarit dhe shkurtit, siç tregoi ai, janë trajtuar 435 raste. Paçarizi ka thënë se janë ngritur më shumë se 130 kallëzime penale për 230 persona. Pas këtyre të dhënave, raportimi i tij në këtë komision u zhvilluar me dyer të mbyllura për media.

Para anëtarëve të Komisionit për Siguri, ai tha se sfidë është luftimi i sulmeve kibernetike, ku Kosova nuk e ka pavarësinë digjitale. Arben Paçarizi ka folur për rastet që kanë trajtuar gjatë vitit të kaluar, ku tha se mbi 60 prej tyre kanë qenë për krim të organizuar.

Paçarizi: Gjithsejtë i kemi trajtuar 1613 raste

“Gjithsejtë i kemi trajtuar 1613 raste, gjatë vitit të kaluar. Prej tyre, 2016 raste kanë qenë të bartura nga viti paraprak. Pasi që e dini se një pjesë e hetimeve zgjasin në periudhë kohore mjaft të gjatë. Kodi i Procedurës lejon që hetimi të zgjat deri në dy vite e gjysmë, sipas autorizimeve përkatëse. Krim i organizuar dhe krime kibernetike edhe vepra të cilat përkojnë me atë çështje kanë qenë 62 raste. Në fushën e narkotikëve kemi pasur 726 raste, trafikimit me njerëz dhe vepra që ndërlidhen me këtë dukuri i kemi pasur 131 raste. Krime ekonomike dhe korrupsion i kemi pasur 339 raste. Krime të rënda 133 raste”, ka njoftuar ai.

Më tej, ai tha se gjashtë raste që i kanë hetuar kanë të bëjnë me terrorizëm. Nga gjitha hetimet e kryera, Paçarizi tha se kanë shkatërruar 49 grupe kriminale.

Paçarizi: Gjatë vitit të kaluar i kemi pasur 571 operacione policore

“Gjatë vitit të kaluar i kemi pasur 571 operacione policore, në kuadër të 137 planeve operative, 1072 bastisje dhe lokale të kontrolluara ose lokale përcjellëse. Gjithashtu i kemi asgjësuar ose shkatërruar 49 grupe kriminale. Te sekuestrimi, i kemi 414 kilogramë përafërsisht e 558 gramë kokainë. Afërsisht 500 kilogramë marihuanë, tre kilogramë e 642 gramë i kemi heroinë, bimë kanabisi 2380. Armë të konfiskuara si pjesë të operacioneve të departamentit tonë janë 83. Para të sekuestruara dhe të ngrira janë 7 milionë e 496 mijë euro, janë 211 mijë e 20 franga dhe 18 mijë e 163 dollarë. Shtëpi të sekuestruara janë pesë, banesa dhe lokale nëntë. Toka dhe parcela të ndryshme janë 29”, ka treguar ai.

Po ashtu, drejtori i Hetimeve të Policisë së Kosovës, Arben Paçarizi ka treguar edhe për numrin e kallëzimeve penale që janë ngritur gjatë vitit 2021 dhe gjatë dy muajve të këtij viti.

Paçarizi: Gjashtë grupe kriminale të shkatërruara gjatë kësaj periudhe kohore

“Gjithsejtë i kemi bërë 1025 kallëzime penale ndaj 2014 personave si departament[...]Edhe këtë vit ka një trend shumë pozitivë të angazhimeve. Aktualisht janë 435 raste duke u trajtuar, janë 200 raste të reja. Ndërsa 235 raste të bartura nga viti i kaluar. Me narkotikë i kemi 43 raste, trafikim me njerëz tri, krime ekonomike katër, korrupsion 22, krime kibernetike shtatë, krime të rënda 13 dhe një rast terrorizmi. 51 operacione, tetë plane operative, 125 kundër kontrolle bastisje edhe i kemi 230 persona të arrestuar, 134 kallëzime penale. Gjashtë grupe kriminale të shkatërruara gjatë kësaj periudhe kohore ”, ka treguar ai.

Drejtori i Hetimeve të Policisë së Kosovës, Arben Paçarizi pasi ka treguar për rastet e hetuara gjatë vitit, komisioni ka vendosur të vijojë raportimin me dyer të mbyllura.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat