Aksioni “Brezovica 3”, arrestohet një doganier dhe kryetar i bordit të “Ski Center Brezovica”

Aktuale

Aksioni “Brezovica 3”, arrestohet një doganier dhe kryetar i bordit të “Ski Center Brezovica”

Më: 16 mars 2022 Në ora: 09:40
Ilustrim

(E plotësuar 12:00) - Ndalohen dy persona të dyshuar në aksionin “Brezovica”

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica ” ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur shtatë (7) lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy  (2) persona të dyshuar.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, personat e arrestuar, N.G.,- doganier dhe S.I., - kryetar i bordit të “Ski Center Brezovica”, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)-së.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

​Vazhdon edhe sot aksioni “Brezovica 3”, bastisen 7 lokacione

Në mëngjesin e sotëm kanë filluar bastisjet për rastin "Brezovica3", aksion ky që është vazhdim i aksionit të 3 marsit.

Prokurori i çështjes, Rasim Maloku tregoi se aktualisht janë duke u bërë kontrolle në shtatë lokacione.

Të shtatë lokacionet janë në rrethinën e Shtërpcës.

Me këtë rast, ky është aksioni i tretë që po mbahet. Fillimisht aksioni i parë në rastin “Brezovica” kishte ndodhur në dhjetorin e vitit të kaluar e ku ishin arrestuar dhjetëra persona, ndër ta edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq.

Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se përfitoi deri në një milion euro për lejet e lëshuar kundërligjshëm për ndërtim të objekteve në Brezovicë.

Kujtojëm që në aksioni “Brezovica 3”, ishin bastisur 12 lokacione dhe ishin arrestuar shtatë persona, prej tyre ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronat të kompanive ndërtimore.

Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit si dhe ushtrim të ndikimit.

Bastisjet kanë ndodhur në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.

“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke vazhduar aksioni “Brezovica 3 ” ku janë duke u bastisur 12 lokacione të ndryshme në katër qytete të ndryshme, përkatësisht: Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan. Deri më tani janë arrestuar shtatë (7) persona, tre prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit. Prokuroria Themelore në Ferizaj do t’iu mbaj të informuar me kohë për të gjitha zhvillimet e tjera rreth këtij aksioni”, thuhej në komunikatë.

Njësia Speciale zbarkon në Shtërpcë, priten arrestime për rastin “Brezovica”

Aksioni “Brezovica” është duke vazhduar edhe sot në Shtërpcë.

Janë duke u bastisur rreth 10 lokacione në rrethinë të Shtërpcës.

Lajmin e ka konfirmuar edhe prokurori i Krimeve të Rënda në Ferizaj, Rasim Maloku.

“Po aksioni është duke u zhvilluar në 7 lokacione. Deri më tani nuk ka të arrestuar. Bastisjet do të kryhen në Shtërpcë dhe në disa fshatra përreth”, tha Maloku.

Ndryshe, më 3 mars, janë prangosur shtatë persona të dyshuar për këtë rast, tre ish- zyrtarë të Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër persona, pronarë të kompanive private.

Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe në muajin janar të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”

Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat