​Ahmeti: Sikur mos të ishte vaksinimi, numri i vdekjeve do të ishte më i madh

Aktuale

​Ahmeti: Sikur mos të ishte vaksinimi, numri i vdekjeve do të ishte më i madh

Më: 16 mars 2022 Në ora: 19:15
Salih Ahmeti

Infektologu Salih Ahmeti ka deklaruar se vaksinimi kundër koronavirusit është i rëndësishëm pavarësisht rënies së numrit të rasteve të reja me sëmundjen e rrezikshme infektive.

Ai gjatë një bashkëbisedimi sot ka pranuar se pandemia COVID-19 paraqet një sfidë të veçantë, ndërsa shtoi se vaksinimi ka ndikuar dukshëm në uljen e rasteve me përfundim fatal.

"Me një virus, i cili nga fillimi tij është bartë me shumë të panjohura, me shumë sfida... Mendoj që COVID-19 ende paraqet një sfidë të veçantë dhe në të gjithë këtë periudhë një moment i veçantë ka qenë vaksinimi, i cili ka shënuar pikën e kthesës në ballafaqimin me këtë virus. Sikur mos të ishte vaksina numri i humbjeve sigurisht do të ishte dukshëm më i madh", tha Ahmeti.

Ndërkohë që numri i rasteve të reja në nivel vendi ka rënë sikurse edhe numri i përfundimeve me fatalitet, infektologu Ahmeti ka theksuar se masat antiCOVID-19 duhet vazhduar të respektohen.

“Kemi ‘drita jeshile’ për përfundimin e pandemisë, por ende nuk jemi të sigurt kur mund të ndodhë kjo”, tha ai.

Sa i përket hezitimit për vaksinimin të gratë shtatzëna, ai ka thënë qe nuk paraqet rrezikshmëri.

"Sot preferohet qe pa asnjë rrezikshmëri mund të vaksinohen gratë shtatzëna", tha ai.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë u shënuan në mars 2020. Deri më sot janë konfirmuar 226.968 raste pozitive, prej tyre 223.207 janë shëruar, ndërsa betejën me sëmundjen e rrezikshme e kanë humbur 3.127 pacientë.

Kosova ka kryer 1.782.836 testime, ndërsa janë dhënë 1.818.408 doza të vaksinës. 818.715 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë, janë dhënë 98.799 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19. Në total numri i rasteve aktive është 634.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat