Si u bënë institucionet e Kosovës shënjestër e një sulmi kibernetik? Flet profesori i shkencave kompjuterike

Aktuale

Si u bënë institucionet e Kosovës shënjestër e një sulmi kibernetik? Flet profesori i shkencave kompjuterike

Më: 17 mars 2022 Në ora: 18:07
Foto ilustrim

Institucionet e Kosovës ishin cak i sulmeve kibernetike ditëve të fundit.

Por, për çfarë sulmesh bëhet fjalë dhe çfarë dëme mund të shkaktojnë ato në rrjedhjen e informacioneve ka treguar profesori i shkencave kompjuterike Blerton Abazi.

“Këto dy ditë, faktikisht këtë javë, ne jemi ballafaquar me disa hamendësime dhe veprime që kanë ndodhur në fushën e teknologjisë së informacionit që ndërlidhen me institucionet. E para ka qenë dalja jashtë funksionit e uebfaqeve të ambasadave të Kosovës dhe e dyta është raporti i fundit apo lajmërimi i fundit për një tentim për sulm kibernetik në institucionet e Kosovës”.

“Si duket nuk ka pasë dëme të mëdha, nga ajo që është treguar apo raportuar për opinionin publik. Duket se ka qenë sulm i tipit “Phishing” kur një e-mail me informata të caktuara në emër të një institucioni të caktuara i dërgohet zyrtarëve publikë brenda domenit qeveritar dhe pastaj pritet se cili prej viktimave mund ta klikojë atë dokument dhe më pas informatat të shpërndahen te keqbërësit të cilët e kanë krijuar këtë sulm”.

Abazi, ka thënë se akoma nuk dihet saktë nëse ka pasë rrjedhje të informatave të ndjeshme nga institucionet e Kosovës në këtë sulm kibernetik.

“Ne nuk e dimë saktë se në cilin institucion ka ndodhur sulmi dhe nganjëherë efektet e këtyre sulmeve kibernetike mund t’i ndjejmë pas një kohe të caktuar, pas tre-katër muajsh. Nuk mund ta dimë saktë, mund të dihet nëse kanë rrjedhur informacione por ekspozimi i tyre mund të mos ndodhë menjëherë. Kemi shumë raste në botë kur ekspozohen të dhëna të caktuara pas një kohe të caktuar”.

Profesori i shkencave kompjuterike ka thënë se Kosova qëndron mirë në fushën e sigurisë kibernetike, derisa thotë se mungojnë trajnimet vetëdijësuese për administratën apo sektorin privat se si duhet të mbrohen nga sulmet e tilla.

“Kosova e ka një nivel të moderuar mbi mesatar të sigurisë kibernetike dhe besoj qëndrojmë mirë në raport edhe me vendet e tjera të rajonit, por megjithatë asnjëherë nuk është e mjaftueshme që të mbrohemi nga sulmet kibernetike, sidomos kur në rajon dhe botë kemi veprime të ndryshme të cilat po ndodhin dhe pothuajse lufta më e madhe është transformuar në luftë digjitale, apo të sigurisë kibernetike. Ne duhet të kemi kujdes dhe nuk duhet të krijojmë paranoja për siguri kibernetike, pra nuk duhet të krijojmë panik por të kemi kujdes të shtuar në këtë fushë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat