Rrëfehet nëna që serbët ia vranë djalin e vetëm para syve, kurse vajzën ia ndanë

Aktuale

Rrëfehet nëna që serbët ia vranë djalin e vetëm para syve, kurse vajzën ia ndanë

Më: 26 mars 2022 Në ora: 08:30
Shahe Osmani

Shahe Osmani nga fshati Kllodërnicë e Skënderajt,ka rrëfyer se si forcat serbe pasi i rrethuan më 27 mars 1999 ia vranë djalin e vetëm nën sy të saj, duke ekzekutuar edhe dhjetëra civilë të tjerë të dorëzuar.

“Kanë dalë prej përroi ishin kanë krejtë të mbuluar vëtm sytë u dukeshin edhe unë djalin tim në prehër, ja kanë ngjitë për krahu edhe i thanë serbisht ti je UÇK. U thash o bre në jetë të vetën thash kurgjë nuk e kam lënë as nuk o kanë UÇK. Një kushëri i burrit, djali i mixhës së burrit ka qenë ish polic ai e hapi setrën dhe u tha aman për riza të Zotit më vritni mua e mos e vritni këtë se e ka nëna vetëm një. I tha të vjen radha edhe ty edhe i kanë thanë djalit tem duart përmbrapa edhe e kanë mytë si qatje në qoshe. Ai i qiti duartë mbrapa dhe shkoi duke më shikuar edhe i rrodhi një lot. Oh thash kuku ma fikët derën e shtëpisë bre mytnum edhe mua. Tha gjë nuk na duhesh ti, edhe e quan e pushkatuan e pashë me sytë e mi”, rrëfen nëna nga Drenica që humbi birin e saj të vetëm Nazmiun 23 vjeçar.

“Prej Kllodërnice e në Shqipëri që kemi ecë, në autoamtikët mbi kokë i kemi pasë. Qikën e dytë i ka pasë floktë e shkurta si djalë dhe dy herë ma kanë nda udhës, ato gratë ma bëjshin o e murën, ju thojsha po ma kanë mytë djalin s’kam çka me i bë, e lëshojshin. Me hëngër udhës veç çka kemi gjetë kepë të vjetra, kallamoqa të thatë hanin njerëzit udhës se send nuk kemi pasë, deri sa kemi hyrë në Shqipëri”, vazhdon rrëfimin për periudhën më të errët të jetës së saj Shahe Osmani, kur pas 10 ditësh që ia vranë djalin atë bashkë me shumë gra, fëmijë e pleq të tjerë i detyruan që në këmbë të shkonin në Shqipëri, forcat e regjimit serb të Millosheviqit.

Ajo rrëfen edhe se si serbët u thoshin se e keni dashur NATO-n, duke u thënë se djalin ia ka vrarë NATO e jo forcat serbe, që Shahe Osmani, i kishte parë me sytë e saj serbët duke ia vrarë djalin dhe dhjetëra civilë të tjerë të pafajshëm.

“Edhe sa kur vinin njerëzit për ngushëllime krye dy vjete plotë oborri ynë kerre e traktora, unë veç a je qysh je, më veç i këqyrsha. Bile nganjëherë ma bënin krejt do me u budallakua, po ku mos me u budallakua që ma kanë marrë prej dore, ma kanë mbytur para syve, dritën e syrit”, rrëfen Shahe Osmani, përderisa shkrehet në vaj për të birin e ekzekutuar bashkë me dhjetëra civilë të tjerë të Drenicës, më 27 mars 1999, në fshatin Kllodërnicë të Skenderajt.

Ajo tutje ndër lotë tregon se sa i lidhur ishte me të birin e saj, duke rrëfyer se vetëm një ditë pasi iu vra djali, e mori lajmin edhe për vrasjen e djalit të vëllait, Enver Bajraj nga Izbica, që ishte ushtarë i UÇK-së, i cili kishte luftuar deri në fishekun e fundit, në mbrojtje të popullatës civile e të pambrojtur.

Ajo tregon se kurrë dhe askush, tash e 23 vite nuk i ka pyetur se si ndodhi vrasja e dhjetëra civilëve shqiptarë nga serbët e fshatrave fqinje Leçinë e Belicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat