Rrezarta Krasniqi e LDK-së: Të rinjtë po ikin pa kthim, ua keni shuar ëndrrat

Aktuale

Rrezarta Krasniqi e LDK-së: Të rinjtë po ikin pa kthim, ua keni shuar ëndrrat

Më: 28 mars 2022 Në ora: 11:19
Rrezarta Krasniqi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, është shprehur tejet e shqetësuar me ikjen e të rinjve nga Kosova.

Krasniqi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se të rinjtë po ikin nga Kosova për shkak të kushteve të vështira të jetës, mungesës së punës dhe pagave të vogla.

Krasniqi ka thënë se gjysma e qytetarëve të Kosovës duan të largohen nga vendi.

Ajo ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ua ka shuar ëndrrat të rinjve.

“Ky nuk është vetëm shqetësim i imi, por edhe i shumë nënave e baballarëve. Largimi po ndodh nga keqmenaxhimi i kësaj Qeverie, e cila qe një vit po e zhyt vendin në varfëri ekstreme. Janë dhjetëra qytetarë që po presin në radhë para ambasadave”, ka thënë Krasniqi.

Ajo ka thënë se Qeveria ka mbjellë shpresë të rrejshme dhe kjo nuk po është as shqetësuese për kryeministrin.

“Me këtë trend të largimit, Kosova rrezikon të mbetet pa rini dhe pa fuqi punëtore. E paradoksi më i madh është kur kryeministri deklaron se i ka punësuar rininë, për çka nuk kemi parë asnjë projekt e as iniciativë vetëm nëse e ka fjalën për punësimet familjare, nipat, mbesat, kushërinjtë, të cilët nuk ia la për ahengje, siç thoshte para se të vinte në pushtet”, shtoi Krasniqi.

“Ata që po ikin nuk mund të mbesin gjallë me pagat e vogla. Ikja është e pa kthim, sepse ua keni shuar ëndrrat”, shtoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat