Përdoruesit e 'Tik-Tok' në Kosovë përfitojnë mijëra euro në ditë, ATK do të fillojë mbledhjen e tatimeve

Aktuale

Përdoruesit e 'Tik-Tok' në Kosovë përfitojnë mijëra euro në ditë, ATK do të fillojë mbledhjen e tatimeve

Më: 30 mars 2022 Në ora: 18:08
Foto ilustrim

“Tik-Tok” është zgjedhur një ndër aplikacionet më të shkarkuara gjatë vitit 2021, duke u radhitur në vendin e parë në SHBA me 94 milionë shkarkime nga përdoruesit e telefonëve të mençur.

Rritja e interesimit të përdoruesve për të qenë aktiv në “Tik-Tok” ka të bëjë edhe me pagesat që ky aplikacion iu bën përdoruesve që kanë aktivitet të madh dhe që mbledhin mijëra shikues në profilet e tyre.

Përdoruesit e aplikacionit “Tik-Tok” kanë mundësinë që të organizojnë paraqitje “LIVE” me përdorues të tjerë të “famshëm” të këtij aplikacioni, e ku shikuesit dërgojnë para në formë të dhuratave ose që njihen ndryshe në gjuhën angleze si “gifts”.

Përfitimet e mëdha financiare nuk kanë munguar as për përdoruesit e “Tik-Tok”-ut në Kosovë, të cilët duke shfrytëzuar “famën” e tyre në këtë aplikacion, po përfitojnë mijëra euro brenda një kohe të shkurtë.

E këto përfitime, si duket po kalojnë pa u vërenjtur “nën hundën” e Administratës Tatimore të Kosovës, duke mos paguar asnjë tatim ndaj shtetit.

Në një përgjigje për lajmi.net, zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa, ka thënë se vegla analitike për analizimin e rrjeteve sociale, licencën e të cilës e posedon ATK-ja, nuk ju ofron mundësinë e analizimit të aplikacionit “Tik-Tok”, që do të thotë se ky institucion nuk ka mundësi kontrolli edhe për përfitimet e përdoruesve të saj në Kosovë.

“Vegla analitike për analizimin e rrjeteve sociale MKCVI për të cilën kemi rinovuar licencën na ofron mundësinë e analizimit të rrjeteve sociale, por jo edhe të ‘Tik-Tok’-ut, andaj grumbullimi dhe analizimi i informatave dhe përfituesve nga ky rrjet social mund të bëhet vetëm për raste individuale dhe atë në bashkëpunim me Njësinë e Inteligjencës Financiare, tek e cila subjektet raportuese janë të obliguara që të raportojnë të hyrat nga jashtë”, thuhet në përgjigjen e Bytyqit.

ATK-ja ka bërë të ditur se ka në plan që gjatë këtij viti, në bashkëpunim me Njësinë e Inteligjencës Financiare, të koordinojnë mënyrën dhe mundësinë e identifikimit dhe pastaj edhe të trajtimit të përfituesve financiar nga rrjetet sociale ku përfshihet edhe “Tik-Tok”-u.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat