Drejtori i policisë thotë se ka vërejtje për publikimin e identitetit të policëve të arrestuar

Aktuale

Drejtori i policisë thotë se ka vërejtje për publikimin e identitetit të policëve të arrestuar

Më: 1 prill 2022 Në ora: 15:28
Samedim Mehmeti

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedim Mehmeti ka thënë se numri i policëve të cilët po e braktisin shërbimin po rritet nga viti në vit. Derisa ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Mehmeti është përgjigjur edhe për kritikat lidhur me testimin me shkrim për rekrutët e rinj në Policinë e Kosovës, për çka ka thënë se aty ka pasur pyetje logjike të cilat janë përpiluar nga profesorë. Ndër të tjera ai ka folur edhe për arrestimin e policëve kufitar dhe ka thënë se nuk pajtohet me publikimin e identitetit të tyre.

Drejtori i Policisë së Kosovës ka thënë se nuk i di arsyet pse policët po e braktisin këtë institucion.

Mehmeti: Trendi i lëshimit të punës në polici po rritet

“Trandi i lëshimit të punës, fatkeqësisht nga viti në vit mund të themi që po rritet, nuk i kam numrat e saktë, shifrat nuk mund të ua jap tani, mund të ua dërgoj për të gjitha vitet, por fatkeqësia është që po vërejmë që po rritet. Për shembull vet fakti që e kanë dhënë testi me shkrim dhe 127 veta nuk kanë ardhur në test fizik, kjo tregon që kemi problem të natyrës së caktuar. Tash a është problem social a është problem i tjerave natyra është problem me mua me dhënë përgjigje”, ka thënë Mehmeti.

Shumë kritika ka pasur për pyetjet në testin me shkrim për rekrutët e rinj në Policinë e Kosovës, nga aplikantët dhe deputetë të Kuvendit.

Por drejtori i Policisë së Kosovës u ka thënë deputetëve se për përpilimin e testit kanë angazhuar profesorë të cilët sipas tij e njohin mirë fushën.

Mehmeti: Pyetjet në testin me shkrim janë përpiluar nga profesorë

“Insistimi ynë ka qenë që pyetjet të jenë logjike, nëse ndonjëra nga pyetjet që është bërë prej profesorëve mund të jetë e vështirë apo e lehtë aty është pak problem për neve me vlerësu se ne jemi policë, nuk mundemi me vlerësu një profesor, nëse ai thotë që kjo pyetje është për shkollë fillore, është për shkollë të mesme dhe është për njerëz të cilët e kanë mesatare, duhet me ditë atë mesatare, për shembull nuk e di ju a e keni parë por ka qenë njëra prej pyetjeve, a shkruhet Prishtina me ‘ë’ apo shkruhet Prishtina me ‘a’”, ka thënë ai.

Por me këtë nuk u pajtua kryetari Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha.

Berisha: Pyetjet e testit në polici ua kam sjellë deputetëve, nuk e di a dinë t’i zgjedhin

“Pyetjet e potencove disa herë që kanë qenë pyetje të lehta, mirëpo unë ua kam sjellë këtu deputetëve disa pyetje, dhe me i sjellë sot këtu nuk e di a dini me i zgjedh, ju, ne e këta ndërkombëtarët e të gjithë. Jemi duke folur për rekrutë, për djem e vajza që janë të rinj, dihet çfarë niveli të arsimimit kemi sepse jemi në listë të fundit, dhe me i ngarku aq shumë ata me profesorë a kënd e keni bë ju aty, ata duke shëruar komplekse të veta, dhe kanë bërë që me rënë një numër i madh i këtyre rekrutëve”, kritikoi Berisha.

Mehemti ka bërë të ditur se numri i saktë personave që do të pranohen do të dihet në fund të procesit por që është afërsisht 250 persona.

Gjatë raportimit, drejtori është pyetur edhe rreth arrestimit të dhjetëra policëve ditë më parë, për çka ka thënë se e gjithë kompetenca është e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Mehmeti: Kam vërejtje për mënyrën e publikimit të identitetit të policëve të arrestuar

“Nuk është kompetencë e imja. Nëse unë i përzihem IPK-së në atë çështje, mundem unë tw ndiqem penalisht për atë punë. Ajo çka për mua ka qenë vërejte dhe çka e kam diskutuar edhe me IKP-në, mua nuk më ka pëlqyer ajo mënyra qysh i kanë qitë atje nëpër publik e ato gjëra mendoj që pavarësisht se kushdo që është, edhe kur është publik edhe kur është i dyshuar, edhe kur është një qytetar i thjeshtë mendoj që duhet me ua ruajt identitetin sepse qysh do të jetë, ju e thatë prezumimin e pafajësisë, ndoshta del komplet i pafajshëm, kjo është ajo çka mund të them për këtë rast”, ka thënë Mehmeti.

Tutje, Mehmeti ka folur për gatishmërinë e Policisë së Kosovës në situata kur siguria mund të rrezikohet.

Mehmeti: Pas situatës në Ukrainë, Policia ka përgatitur urdhrin operativ ngritja e vigjilencës dhe gatishmëria vepruese 2022

“Policia e Kosovës bazuar në vlerësimi ne rrezikut, sipas situatave të paraqitura harton urdhra operativ dhe plane operative të cilat më pastaj i lëshon në implementim. Edhe në këtë rast, duke u bazuar në situatën e krijuar sidomos pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, policia ka përgatitur urdhrin operativ, ngritja e vigjilencës, gatishmëria vepruese 2022 ku është ngritur nivel i vigjilencës dhe gatishmërisë të të gjitha njësitë policore”, ka thënë ai.

Plani përmban patrullime të shtuara, mbledhje të informatave inteligjente, komunikim direkt dhe indirekt me publikun dhe raportime në kohë të saktë për çdo dukuri apo person të dyshimtë.

Gjithashtu përfshinë kontrolle të shtuara të personave dhe automjeteve, veçanërisht ato që vinë nga zona të cilat vlerësohen me rrezik.

Tutje ai ka thënë se Policia e Kosovës është duke kryer trajnime të ndryshme në nivelin e brendshëm por edhe me partnerë ndërkombëtar.

Ndërsa, deputeti Bekë Berisha ka pasur kritika për institucionet duke thënë se po shprehin entuziazëm për luftimin e terrorizmit, për çka ka thënë se nuk është problem në Kosovë.

Berisha: Kosova nuk është në rrezik për terrorizëm

“Nuk duhet me ulë vigjilencën, por sidomos tek këto që nuk ka rrezik e shyqyr që nuk ka, mobilimi është i madh me luftu terrorizmin. Cilin terrorizëm? E kam fjalën për këto të radikalizmit fetar, ndoshta mundemi me folë për diçka këtu në kufi por jo këtij terrorizmi, se do te thotë edhe ISIS është zhdukë tash e ju po e shoh armët gati me luftu terrorizmin”, ka thënë Berisha.

Ndërsa ka përmendur edhe luftën kundër grupeve të drogës për çka ka thënë se po krijohet përshtypja që Kosova e ka problem kryesor këtë dukuri negative.

Berisha: Kam menduar që Xhelal Sveçla i ka arrestuar të gjithë kriminelët por mbrëmë u plaçkitë një bankë

Mbrëmë është plaçkitur një bankë, e pash video, unë kam menduar që i keni arrest krejt kriminelët, do të thotë nuk keni lënë për farë, aty doli që u arrest, kam menduar Xhelal Sveçla nuk ka lënë kriminel në Kosovë, po ia, doli që e plaçkitën bankën. Lufta kundër karteleve të drogës, unë e di që Policia e Kosovës ka zënë drogë e ka arrestuar njerëz për këtë dukuri gjithherë, pse po na jepni përshtypjen në botë që këtu Pablo Escobar është duke vepruar dhe këtu gjithkush është dhe problem më i madh në Kosovë është droga”, ka thënë Bekë Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat