“Rusia e vogël” s’duhet të ketë vend në BE/ Faton Bislimi i shkruan letër Borrellit, ja çfarë i kërkon për Serbinë

Aktuale

“Rusia e vogël” s’duhet të ketë vend në BE/ Faton Bislimi i shkruan letër Borrellit, ja çfarë i kërkon për Serbinë

Nga: G.B Më: 5 prill 2022 Në ora: 08:52
Faton Bislimi

Anëtari ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Bislimi, i ka dërguar letër shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Në këtë letër ai i ka thënë se fitorja e Vuçiqit në Serbi tregon edhe njëherë orientimin pro-rus dhe se një Serbi e tillë nuk duhet të ketë vend në BE, përcjell Bota sot.

Ai i ka shkruar se Serbia është një “Rusi e vogël” në Ballkan, andaj ai i ka kërkuar Borrelit që Serbisë t’i hiqet statusi kandidat për BE.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

"RUSIA E VOGËL" S'DUHET TË KETË VEND NË BE!

Zgjedhjet e 3 prillit në Serbi dëshmuan edhe njëherë orientimin pro-rus të këtij shteti duke i dhënë fitoren elektorale Vuçiqit dhe regjimit të tij. Një Serbi që refuzon të përqafojë vlerat demokratike evropiane s'duhet të ketë vend në BE. Serbia pardje vulosi përcaktimin e vet anti-evropian duke dëshmuar kjartazi se është vetëm se një "Rusi e vogël" e Ballkanit, një shtet që në mes të aleancës pro-perëndimore dhe lidhjeve historike e tradicionale pro-ruse, zgjodhi të udhëhiqet nga një regjim rrënjët e të cilit janë të zhytura thellë në ideologjinë e veprimit gjenocidal në luftërat e fundit në Ballkan -- regjim ky i cili brutalisht dhe frontalisht ka përbuzë BE-në duke i shërbyer Rusisë që sot po kryen krime ndaj njerëzimit në Ukrainë, ngjashëm siç vepronte kjo Serbi dikur në Bosnjë e Kosovë!

Ky realitet politik i përligjur me zgjedhjet e fundit në Serbi fakton dhe vulosë argumentimin tim se Serbisë duhet heq menjëherë "statusi kandidat" për BE, gjë të cilën e kam kërkuar në letrën time dërguar z. Borrell para disa dite.

Tekstin e plotë të letrës sime të përkthyer në shqip e keni këtu:

I nderuar zoti Borrell,

Po ju shkruaj sot në cilësinë time si ish-anëtar i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Liges Qytetare Shqiptaro-Amerikane për të shprehur shqetësimin tim të thellë për heshtjen tuaj në lidhje me refuzimin flagrant të Serbisë për t'u rreshtuar me BE-në kundër luftës në Ukrainë.

Pas agresionit të paprovokuar ndaj Ukrainës dhe pushtimit te saj nga Rusia, bota demokratike nën udhëheqjen e SHBA-së dhe BE-së i është kundërvënë Rusisë duke vendosur një sërë sanksionesh serioze ekonomike dhe financiare. Përveç shteteve anëtare të BE-së, vende të tjera në Evropë që aspirojnë anëtarësimin në BE, siç është për shembull Republika e Kosovës (edhe pse ende nuk është njohur nga Ukraina), i është bashkuar Perëndimit në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Më 25 Shkurt 2022, Serbia e refuzoi zyrtarisht thirrjen perëndimore për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Presidenti Vuçiq realisht u citua të thoshte këtë “Kjo nuk ishte koha për sanksione kundër Rusisë.”

Vetëm pak ditë më vonë, me 1 Mars 2022, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për luftën në Ukrainë dhe shprehu keqardhjen për refuzimin e Serbisë që të përafrohet me BE-në. Po atë ditë, eurodeputetët Vladimir Bilcik (Raportues për Serbinë) dhe Tanya Fajon (Kryetare e Delegacionit në Komisionin Parlamentar të Serbisë për Stabilizim dhe Asociim në BE) lëshuan një deklaratë në të cilën ata thanë: “Ne presim që Serbia të përafrohet plotësisht me Politikën e Përbashkët dhe të Jashtme dhe atë të Sigurisë së Bashkimit Evropian, duke përfshirë sanksionet e miratuara kundër regjimit në Rusi. Ne e shohim këtë si një sinjal të rëndësishëm dhe urgjent, që Serbia t'i mbështet parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe të jetë e përkushtuar që të punojë së bashku me partnerët Evropianë drejt paqes.”

Më 11 Mars 2022, e përditshmja prestigjioze Britanike, The Guardian, publikoi një artikull të titulluar “Rusët përdorin zbrazëtirën Serbe për të shmangur ndalimin e fluturimeve së BE-së”, dhe tregon se si Air Serbia ka dyfishuar numrin e fluturimeve ditore mes Beogradit dhe Moskës duke u mundësuar oligarkëve Rusë dhe bashkëpunëtorëve të presidentit Putin të bredhin lirisht nëpër BE. Gjithashtu në kete artikull thuhet se “Kjo ka bërë që ky vend ballkanik të jetë i vetmi korridor ajror Evropian i mbetur i hapur për Rusinë.”

Më 12 mars 2022, nënpresidentja e SHBA-së Kamala Harris, në takimin dimëror të Komitetit Kombëtar Demokratik në Washington, DC, tha se “pushtimi i Rusisë kërcënon jo vetëm demokracinë e Ukrainës; por kërcënon demokracinë dhe sigurinë në të gjithë Evropën.” Ndërsa në udhëtimin e saj të fundit në Poloni dhe Rumani, ajo shtoi se ‘’forca më e madhe e Perëndimit është uniteti” në trajtimin e Rusisë.

Nën dritën e fakteve të lartë përmendura, është e qartë dhe e tejdukshme që Serbia ka vendosur të marrë anën e Rusisë, jo vetëm duke refuzuar që të vendosë sanksione të mandatuara nga BE, por gjithashtu duke ofruar një shteg shmangës për Rusët sa i përket ndalimit të fluturimeve të BE-së, duke zvogëluar kështu efektin e këtyre sanksioneve. Për më tepër, një sjellje e tillë nga Serbia rrit më tej kërcënimin e demokracisë dhe sigurisë në të gjithë Evropën. Për një kohë të gjatë, Serbia ka qenë në gjendje të improvizojë një hije përkushtimi ndaj parimeve dhe vlerave Evropiane, por dhe njëkohësisht dhe vazhdimisht të jetë dora e zgjatur e Rusisë në zemër të Evropës.

Tani është koha për Komisionin Evropian, dhe veçanërisht ju Zotëri, që të denonconi publikisht përkrahjen e Serbisë për Rusinë, dhe indeferencen e saj kundrejt interesave dhe vlerave të gjera perëndimore për të cilat BE qëndron. Një vend që nuk dëshiron ruajtjen e vlerave të tilla nuk duhet të ketë vend brenda familjes së BE-së. Prandaj, “statusi kandidat” i Serbisë për anëtarësim në BE duhet të revokohet menjëherë. Heshtja e vazhdueshme ndaj Serbisë për këtë çështje është e barabartë me miratimin dhe qëndrimet pro-Ruse dhe anti-BE.

Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian duhet të thërrasë menjëherë pesë shtetet anëtare (Qipron, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën) që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta njohin atë tani. Përkushtimi i vërtetë i Kosovës ndaj vlerave Evropiane dhe përkrahja e saj ndaj qëndrimeve të BE-së në këtë kohë krize janë për t'u vlerësuar. Cdo vazhdim i mëtejshëm nga ana e BE-së sa i perket ledhatimit ndaj Serbisë dhe “të qenit neutral” për Kosovën është i pajustifikueshme dhe i dëmshëm për të ardhmen e vetë BE-së.

Image
Letra e Bislimit dërguar Borrellit
Image
Letra e Bislimit dërguar Borrellit

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat