Behrami: Dick Marty duhet të tregojë ku i ka marrë informacionet për raportin e tij për UÇK-në, Specialja ta thërrasë si dëshmitar

Aktuale

Behrami: Dick Marty duhet të tregojë ku i ka marrë informacionet për raportin e tij për UÇK-në, Specialja ta thërrasë si dëshmitar

Më: 11 prill 2022 Në ora: 13:31
Artan Behrami

Analisti politik, Artan Behrami, ka thënë se përkundër deklaratave të ish-senatorit Dick Marty se shërbimi Inteligjent serb ka planifikuar ta vrasë atë, Marty mbetet aleati më i madh i Rusisë dhe Serbisë.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Behrami ka shkruar se Gjykata Speciale duhet ta thërras Dick Martyn si dëshmitar dhe mbrojtjes së krerëve të UÇK-së duhet t’u jepet e drejta, po ashtu, që atë ta thërrasin si dëshmitar.

Behrami ka thënë se ish-senatori Marty duhet të tregojë ku i ka marrë informacionet që janë pjesë e raportit të tij për luftën e UÇK-së.

Postimi i plotë i tij:

Pamja dhe e vërteta për Dick Martyn në Kosovë është e njëjtë, përkundër deklaratës së tij se Shërbimi Inteligjent Serb ka planifikuar ta vrasë.

Dick Marty mbetet aleati më i madh i Rusisë dhe Serbisë. Gjithmonë ka qenë. Gjithmonë do të jetë.

Prokuroria e Gjykatës Speciale duhet ta thërras Dick Martyn si dëshmitar. Po ashtu, mbrojtja e krerëve të UÇK-së duhet ta ketë të drejtën ta thërras atë si dëshmitar.

Pa dëshminë e Dick Martyt në Gjykatën Speciale nuk ka proces gjyqësor fer dhe të paanshëm.

Dick Marty po mundohet të fshihet për të mos dëshmuar në Gjykatën Speciale, meqë ai dhe të gjithë ne e dimë që raporti i tij ka qenë një fabrikim i dezinformatave ruso-serbe.

Dick Marty në paragrafin 133 të raportit të tij thotë: “Ne arritëm të kemi qasje në dëshmi të vërtetuara, të dorës së parë, nga ish-luftëtarët dhe ata që ndihmuan UÇK-në të kryenin transporte të shumta brenda dhe ndërmjet objekteve të përmendura në raportin tonë, si dhe transportimin e robërve nga shumica e tyre.”

Dick Marty duhet të tregojë ku i ka marrë informacionet që janë pjesë e raportit të tij për luftën e UÇK-së!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat