Përplasje opozitë-pozitë në Kuvend, PDK lëshon seancën – shkak ministrja Gërvalla

Aktuale

Përplasje opozitë-pozitë në Kuvend, PDK lëshon seancën – shkak ministrja Gërvalla

Nga: Bota sot Më: 12 prill 2022 Në ora: 07:21 Përditësuar në ora: 14:09 më 12.04.2022
Seanca e Kuvendit, Ministrja Donika Gërvalla- 12 prill 2022

Hoti: Gjendja në politikën e jashtme është e pritshme, sepse Kurti ligjëron për luftën në Ukrainë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se gjendja e tanishme në politikën e jashtme është e pritshme, pasi sipas tij, kryeministri Kurti po ligjëron për luftën në Ukrainë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për politikën e jashtme, Hoti ka thënë se gjatë këtij viti nuk kishte asnjë njohje por vetëm gabime.

“Një vit qeverisje ka mjaftuar të spostohemi nga harta e investimeve strategjike. Ky degradim është i pritshëm. Kjo gjendje e politikës së jashtme është e pritshme sepse kryeministri ligjëron për luftën në Ukrainë. Gjatë këtij viti nuk kishte asnjë njohje. Por kishte mjaft gabime. Problemi është se këta diplomatë ose janë anashkaluar ose po shkarkohen. Gjatë këtij viti nuk janë parë reforma në diplomaci kemi parë shkarkime”, tha Hoti.

Ish-kryeministri kritika pati edhe për mënyrën sesi po dialogohet me Serbinë. Tha se ajo është degraduar. Ndërsa për vizitat jashtë shtetit, tha se ato po bëhet më shumë në lindje sesa në perëndim.

“Shkarkimet e diplomatëve ishin hakmarrje politike. Kjo është ndër qeveritë më të dobëta që ka pasur Kosova. Marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë në nivelin që kanë qenë. Është bërë propagandë për ratifikim në OKB. Ka 8 muaj që nuk ka aplikim. Gjatë këtij viti kemi parë vizita më shumë në lindje sesa në perëndim. Sa i përket dialogut është fakt që ka degraduar. Kryeministri dhe kolegë të tij na kanë qorruar me gaz lotsjellës për shkak të marrëveshjeve në dialog. Sa i përket marrëdhënieve me Shqipërinë janë në pikën më të ulët të mundshme. Kurrë nuk ka pasur diplomaci për një vit, nuk ka njohje, as lobim. Në forume rajonale i japin përparësi diskursit partiak. Nuk ka strategji për reformë në diplomaci. Dhe janë zbehur marrëdhëniet edhe me Shqipërinë. Pika e parë që Kosova të ruajë orientimin gjeopolitik duke punuar ngushtë me partnerë strategjik”, tha tutje Hoti.

​Hoxhaj: S’pres njohje të reja dhe as anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka adresuar një varg kritikash ndaj Qeverisë Kurti për politikën e jashtme.

Ai në seancën e sotme në Kuvend u shpreh pesimist për njohje të reja, anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe liberalizim të vizave.

Hoxhaj: S’ka njohje dhe nuk pres që të ketë njohje

“S’ka njohje dhe nuk pres që të ketë njohje, s’ka anëtarësime dhe s’ka me pas anëtarësime, po ashtu s’ka marrëveshje të reja me Bashkimin Evropian dhe s’ka me pas as liberalizim të vizave. Por unë dua t’i ngriti tri çështje të rëndësishme. E para, është mirë që kryeministri Kurti po rreshtohet karshi Ukrainës dhe po mendon globalisht, por nuk po vepron asgjë lokalisht. Predikimet morale pa veprime praktike nuk janë asgjë në politikë të jashtme. Konkretisht, ende nuk keni aplikuar për NATO, e di që nuk bëhet kjo punë sivjet, por nuk e keni dorëzuar aplikimin për partneritet për paqe që ish kryer këtë vit, tash me çu brenda këtij viti përmbyllet anëtarësimi, por deri tani nuk ka asgjë”, tha ai.

Duke kritikuar ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Hoxhaj tha se ajo po merret me përjashtime në vend që të lobojë për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

Hoxhaj: Zonja Gërvalla në vend që të merret me anëtarësime merret me përjashtime

“Zonja Gërvalla në vend që të merret me anëtarësime merret me përjashtime, bota e përndjek Rusinë, zonja Gërvalla i përndjek njerëzit brenda shërbimit tonë diplomatik. Në ditën kur Rusia përjashtohet prej Këshillit për të drejtat të njeriut në OKB, atë ditë e shkarkojnë ambasadorin tonë në OKB”, shtoi ai.

Ndërkohë theksoi se dialogu Kosovë-Serbi për anëtarësim të Kosovës në OKB ka vdekur.

Hoxhaj - Bislimit: Dialogu politik për anëtarësim në OKB ka vdekur

“Dialogu politik për anëtarësim në OKB ka vdekur, për tabela zotëri Bislimi mund të vazhdoni dialogun. Për ulëse në OKB, karrige në OKB nuk do të ketë asgjë”, theksoi ai.

Hoxhaj sugjeroi Kurtin të marrë sqarimet e duhura nga ambasadori zviceran në Kosovë për çështjen e ish-senatorit Dick Marty.

Krasniqi: Kosova nuk ka politikë të jashtme, Gërvalla e papërvojë – sjellë vetëm skandale humoristike

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për politikën e jashtme, ka kritikuar atë dhe tha se Kosova nuk ka fare politikë të jashtme.

“Është befasuese abstenimi i shumicës parlamentare për një çështje kaq të rëndësishme si politika e jashtme. Këtë nuk e kemi thirrur vetëm për skandalet e jashtme, por edhe për pezullimin e plotë të politikës së jashtme”, tha Krasniqi.

“Kushdo që sheh drejt e kupton që sot po zhvillohet momentum i ri gjeopolitik. Fatkeqësisht, përkundër dëshirave të Kryeministrit, Presidentes, zëvendëskryeministrave, Kosova sot nuk ka politikë të jashtme, ka abstenuar totalisht. Nuk ka kurrëfarë qëndrimi. Kjo na bën të qartë mungesën e një agjende politike. Ministrja Gërvalla është jo kompetente, e papërvojë, ka sjellë vetëm skandale humoristike”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi ka kritikuar po ashtu, siç tha ai, “veprimet e politikanëve në pushtet, me hashtag, që tregojnë joseriozitet”.

“Kosova sot nuk anëtarësohet as në NATO as në BE, përmes hashtagave”, tha Krasniqi.

Hoxhaj: Dialogu politik për anëtarësim të Kosovës në OKB, ka vdekur

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë në seancën e sotme, se kur është ftuar debati për politikë të jashtme, ishte janar dhe në atë kohë ka qenë një situatë tjetër politike. Ai ka thënë se dialogu politik për anëtarësim në OKB, ka vdekur.

Sipas tij, partia në pushtet ka pretenduar gjithmonë që politika është e jashtme, por qëllimet janë të brendshme.

Hoxhaj ka thënë se nuk ka njohje dhe nuk pret që do të ketë.

“Nuk ka anëtarësime dhe nuk pres që do të ketë. Nuk ka marrëveshje në Bruksel as nuk do të ketë e as liberalizim. Është mirë që kryeministri Kurti po rreshtohet karshi Ukrainës është mirë që po mendon globalisht por nuk po vepron lokalisht. Ende nuk kemi apliku për NATO. Kurti ka thënë se do ta definojë dialogun, nuk e ka bërë por Ukraina po ia definon”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se Kurti po merret me luftën hibride të Rusisë, por nuk po thotë asgjë për luftën e spiunazhit të Serbisë ndaj Kosovës.

Hoxhaj ka thënë se VV-ja sa ka qenë në opozitë ka thënë se do ta ridefinojë dialogun, porse shton se tashmë Ukraina po ja definon.

“Dialogu politik për anëtarësim në OKB ka vdekur. Kuvendi i Kosovës duhet të flasë për këtë temë në një seancë të veçantë”, ka thënë ai.

Debati parlamentar për politikë të jashtme

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës.

Debat mbi politikën e jashtme në seancën e sotme të Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë sot seancë për të debatuar mbi politikën e jashtme.

Seanca do të mbahet duke filluar nga ora 13:00.

Debati me kërkesë të PDK-së ishte paraparë të mbahej javën e kaluar, por që nuk ndodhi për shkak të mungesës së kryeministrit, Albin Kurti dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra është shprehur se kërkesa për debat erdhi për shkak të situatës së rënduar në të cilën gjendet politika e jashtme e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat