Sindikalistët mirëpresin 100 euroshin e Qeverisë, por jo pagën minimale prej 264 euro

Aktuale

Sindikalistët mirëpresin 100 euroshin e Qeverisë, por jo pagën minimale prej 264 euro

Më: 12 prill 2022 Në ora: 16:17
Foto ilustrim

Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për dhënien e 100 eurove për një muaj për kategori të ndryshme të qytetarëve është mirëpritur nga sindikatat në vend.

Ato po e vlerësojnë këtë vendim si afatshkurtër për zgjidhjen e problemeve.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë se ky vendim është për t’u çmuar.

“Me këtë veprim nuk zgjidhet asnjë problem, pasi në bazë të disa vlerësimeve që i kemi bërë një familje katër anëtarëshe 100 euro mund t’i harxhojë për katër ditë në ushqim dhe gjëra të tjera”.

“Megjithatë, e ka një anë pozitive me që po themi është bërë nga një presion sindikal sesa që kanë parë të arsyeshme, megjithatë është bërë. Shpresojmë të kemi edhe lëvizje të tjera të tilla. Jemi të interesuar të bëjnë një zgjidhje të përhershme, kjo mbështetje është vetëm për një muaj”,ka thënë Azemi.

Në konferencën e sotme për media, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se nesër do të do të miratojnë projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 264 bruto apo 250 euro neto.

Azemi ka deklaruar se ata nuk e pranojnë këtë propozim nga kryeministri.

“Për ne me rëndësi është nëse paga minimale është 400 euro, nëse është kështu mund të jemi partnerë pjesëmarrës”, ka thënë Azemi.

Po ashtu edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës e ka mirëpritur mbështetjen financiare të qeverisë.

Kryetari i kësaj sindikate, Atdhe Hykolli, ka deklaruar se paga minimale nuk është “punë qefesh”, por mundësish që bazohen në rregullat profesionale ekonomike.

“Tashmë e dini se është Këshilli Ekonomiko-Social në kuadër të të cilit është Komisoni Profesional Trepalësh për Paga, Çmime dhe Pensione në BSPK, i cili e ka për detyrë që në mënyrë profesionale të bëjë llogaritjen e pagës minimale. Komisioni na propozon dhe ne në Këshillin Ekonomik-Social e votojmë dhe nëse i merr votat e duhura ajo pagë në vlerën e përcaktuar i përcillet Partnerit Social, Qeverisë për miratim”.

“Po sipas ligjit, qeveria mund ta bëjë rritjen e pagës minimale edhe me përllogaritjen e saj. Besoj shumë dhe do të punojmë po ashtu shumë që paga minimale të rritet çdo vjet ashtu si rritet paga mesatare nga e cila edhe del përllogaritja e pagës minimale”, ka thënë Hykolli.

Kurse, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ndonëse e ka përshëndetur këtë vendim, ka kritikuar Qeverinë se nuk i përmbush kërkesat e tyre.

“Si vendim nuk është plotësim i kërkesave tona, nuk kemi kërkuar një pagë shtesë prej 100 eurove, kemi kërkuar kjo të vlejë për muaj me radhë. Derisa nuk fillon se implementuari Ligji i Pagave, nuk janë plotësuar kërkesat tona, si hap i parë mund të lavdërohet, uroj që kryeministri Albin Kurti të vazhdojë me hapa të tillë pozitiv”, ka thënë ai.

Qeveria sot ka bërë të ditur se i kanë ndarë 100 milionë euro për të mbështetur 800 qytetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat