​LDK: Qeveria ndan lëmoshë për qytetarët, mbështesim tërheqjen e një pjese të mjeteve nga Trusti

Aktuale

​LDK: Qeveria ndan lëmoshë për qytetarët, mbështesim tërheqjen e një pjese të mjeteve nga Trusti

Më: 12 prill 2022 Në ora: 17:18
Foto ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar sot ndaj zotimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 100 eurove për punëtorët në sektorin privat e publik, pensionistët dhe studentët.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së Besian Mustafa në një konferencë për media theksoi se në mungesë të vizionit për zhvillim ekonomik, kjo qeveri po iu ndanë qytetarëve lëmoshë. 

Mustafa: Në mungesë të vizionit, qeveria po ndan lëmoshë për qytetarët 

"Në mungesë të vizionit për zhvillim ekonomik afatgjatë dhe të investimeve kapitale që sjellin të mira, kjo qeveri po iu shpërndanë qytetarëve lëmoshë nga 100 euro vetëm për muajin prill. Kjo qeveri është vonuar, në fakt, nuk kishte vepruar fare për të zbutur rritjen enorme të çmimeve. Ndaj, 100 euro politike nuk i mbulojnë krizat dhe as nuk ofrojnë zgjidhje ekonomike. Ne si LDK me muaj të tërë i kemi ofruar qeverisë zgjidhje konkrete përmes zvogëlimit të tatimeve, si TVSH dhe akciza në produktet esenciale, ku në këtë mënyrë do të zvogëloheshin çmimet e këtyre produkteve, si ushqimi, energjia elektrike dhe karburantet... Qeveria po i ndanë 100 euro milionerit dhe 100 euro pensionistit", theksoi Mustafa. 

Deputeti Mustafa theksoi se LDK mbështet ndryshimet ligjore për tërheqjen e një përqindje të caktuar të mjeteve prej Trustit. 

Mustafa: LDK mbështet tërheqjen e mjeteve nga Trusti

"Sa i përket Trustit, LDK e përkrah si ide në mungesë dhe paaftësi të qeverisë. LDK vlerëson se i vetmi opsion mbetet tani më që t'u lejohet qytetarëve të tërheqin një përqindje të caktuar të mjeteve në Trust. Por, për t'u analizuar në mënyrë të qëndrueshme financiare, LDK insiston që qeveria fillimisht të përcaktojë nivelin e përqindjes së përballueshme për Trustin dhe t'u ofrohet qytetarëve një garanci që këto fonde pastaj do të rimbursohen në Trust, dhe kjo të ndodhë në plan afatshkurtër, në mënyrë që ata qytetarë që i tërheqin mjetet të mos shndërrohen në raste sociale", theksoi ai. 

Gjatë ditës, edhe parti të tjera opozitare kanë cilësuar masat e reja të qeverisë një lëmoshë për qytetarët dhe vendim populist./I.Shabani

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat