Mustafa flet pas lirimit nga aktakuza për korrupsion: Kam punuar me ndershmëri

Aktuale

Mustafa flet pas lirimit nga aktakuza për korrupsion: Kam punuar me ndershmëri

Më: 13 prill 2022 Në ora: 18:55
Qemajl Mustafa

Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, dhe 35 të pandehur të tjerë, janë liruar nga akuza për korrupsion me tenderë në Gjilan.

Gjykata Themelore në Pejë ka thënë që s’ka pas prova të mjaftueshme nga Prokuroria Speciale që ata ishin pjesë e një grupi kriminal dhe se provat me SMS janë marrë në mënyrë të kundërligjshme.

Mustafa tha se nuk ishte i befasuar nga ky vendim, pasi sipas tij, kishte punuar me ndershmëri.

“Vendimi është plotësisht i drejtë, për ne nuk ishte aspak befasi, për 35 sa kemi mbetur në proces, sepse ishim 39 në fillim, dy për fat të keq kanë vdekur dhe nuk e kanë pritur këtë moment dhe dy të tjerë janë në shërim në Francë. Ka qenë i pritur sepse e kemi njohur vetën, kemi bërë punë të mira e të ndershme për Gjilanin. kemi shkuar gjithmonë kemi qenë të harmonishëm kemi shkuar në seanca, e kemi respektuar sistemin e drejtësisë”, ka thënë Mustafa.

Ai tha se ky proces ka qenë shumë i lodhshëm dhe diskreditues për të gjithë. Ai madje tha se këtë e ka nisur ndonjë strukturë e organizuar.

“Këtë e ka nisur dikush tjetër, një strukturë që duhet ta hetojë shteti, nis prej poshtë prokurorëve në Gjilan, kryeprokurorëve, hetuesve policorë, ata mandej tregojnë prej ku i kanë marrë urdhrat për me e nis një proces të tillë. Ka inate edhe personale në nivelin lokal”, shtoi ai.

Sipas tij një hetim i mirëfilltë që shteti do të bënte, do të dërgonte te urdhërdhënësit.

“Unë mendoj që janë koka të larta politike të këtij vendi. Ajo është një strukturë që i kalon vijat partiake, është e organizuar”, tha ai.

Ai madje tha se kushdo që është marrë me këtë çështje, janë ngritur në detyrë.

“Të gjithë eksponentët që janë marrë me ne janë avancuar, është avancuar Jetish Maloku, Afrim Shefkiu, Agron Bajrami, të gjithë janë avancuar”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat