Hisen Berisha komenton deklaratën e Edi Ramës, ja çka thotë për armët që po i blen Serbia

Aktuale

Hisen Berisha komenton deklaratën e Edi Ramës, ja çka thotë për armët që po i blen Serbia

Më: 14 prill 2022 Në ora: 16:30
Hisen Berisha

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, thotë se paqartësia në mesazhe nga ana e Tiranës zyrtare e ushqen agresivitetin e Serbisë. Ish-komandanti i UÇK-së u shpreh se armatimet që po i blen Serbia janë armë ofensive lufte. Berisha duke komentuar raportet Rama – Vuçiq tha se historia njeh raporte te tilla që kanë përfunduar në tradhti të mëdha ndaj shqiptareve.

Deklarata e kryeministrit Edi Rama se armatosja e fundit e Serbisë me sisteme mbrojtëse ajrore nga Kina nuk paraqesin rrezik dhe s’duhet të ketë shqetësim ka ngjallur reagime në Kosovë.

Deputeti nga PDK, Hisen Berisha, njëherit edhe anëtar i Komisionit për Siguri në Kuvend thotë se Shqipëria duhet të jap mesazh të qartë që nëse është nevoja nuk heziton të futet në luftë për mbrojtjen e Kosovës.

“Serbia dhe Shqipëria nuk janë vende fqinje ndërkufitare. Është krejtësisht në rregull që Shqipëria të synojë raporte miqësore me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë. Megjithatë, Shqipëria duhet ta ketë të qartë rolin e vet si mbështetëse e Kosovës dhe duhet të jetë e qartë dhe pa hezitime sa herë që ka kërcënime nga ana e Serbisë. Tirana duhet të jetë e qartë në mesazhin e vet që, nëse është nevoja, nuk do të hezitojë të futet në luftë për mbrojtjen e Kosovës. Ambiguiteti nga Tirana, paqartësia në mesazhe, vetëm sa e ushqen agresivitetin e Serbisë”, tha Berisha.

Ai foli edhe për raportet mes kryeministrit Kurti dhe homologut të tij nga Shqipëria, që sipas tij dy krerët qeveritarë duhet të komunikojnë dhe t’i qartësojnë qëndrimet.

“Kryeministrat tanë duhet me komunikua edhe duhet me i qartësua edhe qëndrimet e tyre karshi “ Ballkanit të Hapur”.  Në e dimë se i gjithë spektri politik i Kosovës ka qenë kundër apriori për “Ballkanin e Hapur” pa e shtru në debat fare ketë çështje sidomos me Shqipërinë, edhe unë jam dhe kam qenë kundër “Ballkanit të Hapur” pa e pranua realitetin e shtetit të Kosovës nga vet Serbia, pa e ndërpre ndërhyrjen destruktive që e bën Serbia në Kosovë. Por sa i përket kryeministrit Rama dhe politikes shqiptare, Kosova dhe kryeministri Kurti duhet të bisedoj dhe të merr opinionin e kryeministrit Rama dhe natyrisht si shtete me interesa të përbashkëta, ta bëjnë edhe çështje dialogu në mes Shqipërisë dhe Kosovës, që qëndrimet e të dy palëve të kuptohen. Ndërsa sa i përket qëndrimit të Shqipërisë për armatimin që Serbia po bën ato janë qëndrime të një shteti sovran ashtu si i sheh ajo vet”, tha Berisha.

Ish-komandanti i Betejës së Koshares tha poashtu se armatimi që Serbia po e blen janë armë ofensive lufte.

“Është fakt se shtet si Maqedonia, Mali i zi, Kosova etj. nuk kanë shpërfaqur pretendime territoriale ndaj Serbisë, kurse shtet si Kroacia, Hungaria, Bullgaria etj. që janë pjesë e NATO dhe BE, për ta arritur këtë status, iu është dashur ti përmbyllin konfliktet me shtete fqinje. Shtrohet çështja atëherë, përse po ndodh kjo armatosje e Serbisë apo prej kujt pret rrezik Serbia. Lloji i armatimit që po krijon Serbia nuk ka të bëj me mbështetje ushtarake të autoriteteve civile për raste emergjencash dhe fatkeqësish natyrore. Pra këto armatime dhe teknologji që po blenë Serbia janë arme ofensive lufte”, tha ai.

Sipas Berishës, target i Serbisë mbeten vendet anëtare të NATO-s.

“Atëherë cilët shtete a popuj, aleanca apo forca do të ishin target i tyre? Për vendet e apostrofuara si Maqedonia, Mali i zi, Kosova apo Bosnja, nuk ka nevojë për tërë atë arsenal nëse i krahasojmë kapacitetet ushtarake të këtyre vendeve fqinje të Serbisë. Pra, i vetmi target mbetet NATO përkatësisht vendet anëtare të NATO që gravitojnë në të njëjtin ambient sigurie”, tha Berisha.

Tutje, Berisha tha se situata në Rusi duhet ta gjejë kombin shqiptar me qëndrim të unifikuar

“Por ajo që më së shumti na asociojnë në kujdes janë zhvillimet ne Ukrainë dhe intensifikimi i rolit të Rusisë si rrezik ndërkombëtar dhe determinues në proceset ndërkombëtare të sigurisë, që doemos do të imponojnë ridefinime politike, shoqërore, territoriale, ushtarake etj. në Botë. E kjo situatë duhet ta gjejë të stabilizuar e konsoliduar kombin shqiptar. Prandaj duhet një unifikim qëndrimesh rreth problemit tonë kombëtar”.

Tutje, deputeti i PDK-së foli edhe për raportet Rama – Vuçiq, thotë se historia ka njohur tradhëti të mëdha ndaj shqiptarëve

“Në këto ridimensionime Ballkani ka çështje të hapura.  Pra teoria e “Ballkanit të hapur”, ka të bëj me mbajtjen hapur edhe të çështjes shqiptare, ku mund të interferojnë zhvillimet aktuale ridefinuese të rendit botëror, në mes fuqive të mëdha që janë në luftë.  . Ballkani i hapur, sfidon procesin e Berlinit që lëvizjen e kufijve e konsideron si rrezik potencial  në Ballkan. Kjo pikërisht lidhur me çështjen shqiptare dhe padrejtësive historike.Vet qëndrimi i Serbisë që të mos përkrah sanksionet ndaj Rusisë, duhet bërë shumë kujdes në tema të hapura që i krijon “Ballkani i Hapur” e raporte tjera ndërshtetërore apo personale te kryeministrit Rama me Vucic dhe sjellja me të “si dosta”. Historia njeh raporte te tilla që kanë përfunduar në tradhti të mëdha ndaj shqiptareve, vë theksin në raportet e dhe pas luftës së dytë botërore”, tha Berisha.

Berisha e sheh si mbështetje ndaj Kosovës nga ana e Shqipërisë kur bëhet fjalë për anëtarësimin në NATO.

“Procesi i integrimeve euro-atlantike për Kosovën përben objektiva strategjike që e garantojnë edhe stabilitetin vendor, rajonal dhe ndërkombëtarë. Këto integrime janë në interes të Kosovës, të vendeve të rajonit ku takojnë edhe Kroacia që e ka tagrin e interesimit dhe insistimit mbështetës për anëtarësim të vendit tonë, por edhe të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, ish republikat e ish Jugosllavisë, shteteve të rajonit dhe Shqipërisë  por edhe të vet organizatës botërore të sigurisë NATO, që me integrimin e Kosovës do ta mbyll perden e hekurt mbrojtëse, ndaj pretendimeve obstruktive të Rusisë në rajon dhe satelitit të saj Serbisë këtë zonë strategjike. Prandaj, nuk duhet paragjykuar edhe qëndrimi i Shqipërisë i cili vlerësoj se është në mbështetje të Kosovës. Vlerësoj se ka një strategji ndërkombëtare ku takon dhe Shqipëria, që edhe Serbinë si shtet ende i pa konsoliduar në përcaktimin e sajë strategjik pro perëndimorë apo mbetjen në besëtytninë pansllaviste pro ruse, ta joshin me përkrahje përafruese që të mos mbetet pika e zezë e Ballkanit dhe Evropës”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat