Dugolli: Serbia është e kyçur në sulmet në veri

Aktuale

Dugolli: Serbia është e kyçur në sulmet në veri

Më: 16 prill 2022 Në ora: 00:32
Enver Dugolli

Zëvendëskryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Enver Dugolli, ka folur për sulmin që iu bë policëve të Kosovës në Zubin Potok.

Ai tha se janë duke u zhvilluar hetime në lidhje me këtë, teksa shtoi se bllokimi i rrugëve alternative që kanë qenë të hapura për kontrabandë në veri të vendit ka shkaktuar nervozizëm të kriminelëve, të cilët, sipas Dugollit, i kanë shfrytëzuar ato rrugë për krim të organizuar.

Sipas Dugollit, pista e parë e dyshimeve për këto sulme është kjo, teksa shtoi se me veprime si sulmi i sotëm ngjallin reagime.

Ai tutje tha se Serbia strehon njerëz që janë të ndjekur e në kërkim nga policia e nuk i dorëzon ata, ku përmendi emrin e serbit Milan Radojçiq.

“Serbia me vetë faktin që strehon njerëz që janë në kërkim nga policia dhe nuk i arreston por i mban atje dhe i mbështet edhe me gjëra të tjera logjistike e mbështetje politike, ku e kemi parë Radojçiqin që ulet së bashku me krerët e shtetit serb e në Kosovë kërkohet për krime, kjo nënkupton se Serbia është e kyçur edhe në këto sulme”, është shprehur Dugolli në “Edicioni Special”.

Ndërsa, për reagimin e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë dhe atë të BE-së, ku bënë thirrje që të mos lëshohen në spekulime, Dugolli tha se kjo duhet shikuar në prizmin që të mos ekzagjerohet situata.

“Reagimi i amerikanëve dhe i kujtdo qoftë duhet shikuar në prizmin që të mos ekzagjerohet situata, por kjo nuk po ndodh, por vetëm po tregohet një fakt, i cili ka ndodhur dhe është fat i mirë që edhe Ambasada Amerikane edhe shtetet e Kuintit e edhe KFOR-i e dënuan dhe i dënojnë këto akte, ku për tri ditë ka pasur sulme të koordinuara kundër Policisë së Kosovës”, është shprehur Dugolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat