Ministri Mehaj: Ushtria po furnizohet me armatim e pajisje moderne

Aktuale

Ministri Mehaj: Ushtria po furnizohet me armatim e pajisje moderne

Më: 16 prill 2022 Në ora: 19:42
Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, duke kujtuar eksodin e shqiptarëve të Kosovës para 23-vjetësh, ka thënë se sot Kosova është më e fortë politikisht e ushtarakisht.

“Eksodi i shqiptarëve të Kosovës, gjatë të cilit 23 vjet më parë, mbi një milionë shqiptarë u dëbuan me dhunë nga forcat paramilitare serbe. Të dëbuarit u vendosën kryesisht në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Tutje në shkrimin e tij, Mehaj ka theksuar se populli përjetoi përndjekje e dëbime vetëm pse kërkonte të drejtat e tij dhe mbi të gjitha vetëm pse ishte shqiptar.

“Spastrimi etnik, ishte qëllimi kryesor i shtetit kriminal serb. Gjatë luftës së vitit 1998-1999 i dolëm në ballë armikut me ato mundësi e mjete që kishim, mbrojtëm popullin aq sa mundëm dhe në fund fituam lirinë e vendit tonë, falë edhe ndihmës së jashtëzakonshme të SHBA-ve. Sot 23 vite pas, Republika e Kosovës është më e fortë politikisht e ushtarakisht”, ka thënë Mehaj.

Tutje ai ka shtuar se ushtria është furnizuar e vazhdon të furnizohet me armatim dhe pajisje moderne.

“Vendi ynë është i sigurt falë ushtrisë sonë dhe aletëve tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Investimi në ushtri është obligim i yni të cilin do ta përmbushim me çdo kusht. Forcimi dhe pajisja e ushtrisë sonë, është garanca kryesore e sigurisë dhe stabilitetit në vend e në rajon”, ka thënë Mehaj.

Mehaj në fund ka shkruar se ne kurrë nuk do të lejojmë më që populli ynë të përjetojë krimet, dëbimet, masakrat, dhunën, terrorin e gjenocidin që e kishte përjetuar gjatë luftës 1998-1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat