Refuzohet padia në rastin ku paditësi pretendonte se gruaja e vëllaut i ka uzurpuar pronën

Aktuale

Refuzohet padia në rastin ku paditësi pretendonte se gruaja e vëllaut i ka uzurpuar pronën

Më: 17 prill 2022 Në ora: 21:23
Foto ilustrim

Ferizaj- Gjykata Themelore në Ferizaj, e ka refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësit Habib Zymberi, ndërsa ka aprovuar pjesërisht kundërpadinë e Naile Zymeri.

Në këtë rast, paditësi Habib Zymberi ka paditur Naile Zymerin, gruan e vëllait të tij, me pretendimin se kjo e fundit në mënyrë arbitrare dhe të dhunshme i ka uzurpuar pronën e paluajtshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” është refuzuar në tërësi kërkesëpadia e paditësit Habib Zymberi, në bazë të cilës ka kërkuar që të paditurit të bëjnë lirimin e pronës tek vendi i quajtur “Çesta” Z.K Reçak, dhe e njëjta parcelë t’i kthehej në posedim paditësit Habib Zymberi.

Sipas këtij aktgjykimi, thuhet se është aprovuar pjesërisht kundërpadia e të paditurve-kundërpaditësve, duke u vërtetuar se të paditurit kundërpaditësit janë bashkëpronarë me nga 1/7 e pjesës ideale të pronësisë në parcelën nr.00550-0 me sipërfaqe prej 3830 m2 dhe parcelën numër 00551-0 me sipërfaqe prej 2490 m2, të cilat gjenden në vendin e quajtur “Çesta” Z.K. Reçak, Shtime, në bazë të parashkrimit fitues.

Sipas aktgjykimit, paditësi – kundër i padituri Habib Zymberi është detyruar që të paditurve -kundërpaditësve, t’ua njoh të drejtën e pronësisë në parcelat e përshkruara si më lartë, në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në të kundërtën, ky aktgjykim, do t’u shërbej të paditurve – kundërpaditësve si titull ekzekutiv për regjistrimin e të drejtës së pronësisë në librat kadastral në Komunën e Shtimes.

Tutje sipas aktgjykimit, aty thuhet se është refuzuar si e pabazuar pjesa tjetër e kundërpadisë, e cila ka të bëjë me kërkesën për vërtetimin e të drejtës së pronësisë me nga 1/9 e pjesës ideale të pronësisë në parcelat nr.00685-2 dhe nr.00688-0 të cilat gjenden në Z.K. Reçak.

Po ashtu, sipas aktgjykimit është caktuar masa e sigurimit ndaj paditësit – kundër të paditurit Habib Zymberi, ashtu që të njëjtit i është ndaluar shitja, ngarkimi me hipotekë, barrë reale, tjetërsimi apo çfarëdo forme tjetër e transaksionit të paluajtshmërisë kontestuese, gjegjësisht parcelës numër 00550-0 me sipërfaqe prej 3830 m2 dhe parcelës nr.00551-0 me sipërfaqe prej 2490 m2, të cilat gjenden në vendin e quajtur “Çesta” Z.K. Reçak, Shtime.

“Masa e Sigurimit mbetet në fuqi deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi”, thuhet në aktgjykimin e themelores.

Ndërsa, paditësi Habib Zymberi po ashtu është detyruar që kundërpaditësve, t’ua paguaj shpenzimet e procedurës në shumë prej 3,054.00 €, në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit te detyrueshëm.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, thuhet se, gjykata, pas shqyrtimit dhe analizimit të provave të lëndës, në kuptim të nenit 8 të LPK-së, ka bërë vlerësimin e tyre veçmas dhe të ndërlidhura, në tërësi dhe në bazë të bindjes së lirë të krijuar në bazë të fakteve dhe provat e lëndës, ka vlerësuar se është dashur të vendoset si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”

Sipas padisë, thuhet se paditësi Habib Zymberi është pronar i ngastrave kadastrale 00551-0 dhe 00551-0 në Zk Reçak, Komuna Shtime, të cilat evidentohen në bazë të fletës poseduese me numër 541/016 se janë në emër të paditësit dhe se paditësi është pronar legjitim i këtyre parcelave, të cilat në mënyrë arbitrare dhe të dhunshme i ka uzurpuar tani e paditura- gruaja e vllait të paditësit.

Në padi thuhet se paditësi këtë pronë e ka blerë në mënyrë legjitime në vitin 1986 në bazë të kontratës Vr.nr.2636/86 dhe se që nga atëherë i ka në posedim dhe shfrytëzim këto ngastra.

Ndërsa, pas lufte rreth vitit 2004 paditësi i kishte lëshuar një sipërfaqe prej 5 ari tani të paditurës, me qëllim që të ndërtohet një shtëpi për të në ata 5 ari, duke qenë se tani vëllai i paditësit, respektivisht burri i të paditurës kishte vdekur dhe mbi këtë shkak duke parë se e paditura nuk po arrinte të siguronte banimin, i kishte lëshuar sipërfaqen prej 5 ari nga prona e tij.Tutje në këtë padi thuhet se pasi që të paditurës i ishte ndërtuar shtëpia në këtë vend, duke shfrytëzuar faktin se paditësi nuk ishte në Kosovë ngase jeton në botën e jashtme, kishte filluar që pronën kontestuese ta mbjell derisa paditësi kishte ardhur për të realizuar ndarjen fizike të pronës, kur edhe nuk ishte lejuar nga e paditura për ta bërë një gjë të tillë, duke mos e lejuar që të futet në pronën e tij.

Përmes padisë, paditësi konsideron se paditura pronën kontestuese e mban në posedim pa kurrfarë baze juridike, ngase pronar legjitim i kësaj prone është paditësi, i cili pronën kontestuese e kishte blerë në mënyrë legjitime nga mjetet financiare të tij personale. (Gjersa kishte qenë i ndarë nga bashkësia familjare me anëtarët e tjerë të familjes së tij).

Kështu, me anë të kësaj padie, paditësi ka kërkuar që gjykata të nxjerr aktgjykim, në bazë të cilit do të aprovohet padia dhe kërkesëpadia e tij si e bazuar në ligj.

Po ashtu, ka kërkuar që gjykata të detyrojë të paditurën Naile Zymeri nga fshati Reçak, Komuna Shtime, që në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së këtij aktgjykimi të bëjë lirimin e pronave 00550-0 dhe 00551-0 ZK Reçak Komuna Shtime dhe të njëjtat t’ia kthejë në posedim pronarit juridik Habib Zymberi.

Gjithashtu, paditësi me anë të kësaj padie po kërkon që gjykata të obligojë të paditurën që t’i paguajë të gjitha shpenzimet e kësaj procedure kontestimore dhe atë të gjitha në afat prej 15 dite nga dita e marrjes së këtij aktgjykimi.

Pala e paditur, ka paraqitur gjykatës përgjigje në padi, në bazë të cilës konsideron se paditësi nuk ka bazë ligjore për të kërkuar lirimin e pronës.

“Paditësi, nuk ka bazë ligjore për të kërkuar lirimin e pronës, nga fakti se e paditura mbi parcelat e përmendura, tani më e ka fituar të drejtën e pronësisë, në bazë të fakteve si në vijim: Parcelat e përmendura në padi, që në vitin 1979, i kishte blerë dhe i kishte paguar në tërësi, bashkëshorti i të paditurës (tani i ndjeri Nj.Z). I ndjeri, në vitin 1986, këto parcela i kishte regjistruar formalisht në emër të paditësit, pasi që paditësi ishte vëllai më i madh dhe me qëllim që të mos i ndaleshin shtesat e fëmijëve”, thuhet në përgjigjen në padi.

Tutje, sipas përgjigjes në padi thuhet se parcelat në fjalë, asnjëherë nuk kanë qenë në posedim të paditësit, kurse të njëjtat gjithëherë që nga blerja e tyre kanë qenë në posedim të të paditurës dhe bashkëshortit të saj.

Për më tepër, e paditura dhe bashkëshorti i saj, në vitin 1994, në këto parcela e kanë ndërtuar shtëpinë e tyre dhe të njëjtat i kanë në shfrytëzim të qetë dhe të papenguar që nga ajo kohë e deri më tani, thuhet në këtë përgjigje në padi.

Po ashtu, në përgjigje në padi thuhet se paditësi ka qenë në njohuri për këto fakte që nga viti 1979 e posaçërisht nga viti 1994, kur e paditura dhe bashkëshorti i saj e kanë ndërtuar shtëpinë dhe këto fakte nuk i ka kundërshtuar asnjëherë.

Ndërsa, e paditura dhe gjashtë fëmijët e saj, këto parcela thuhet se i kanë poseduar në mënyrë të papenguar, kontinuele dhe afatgjatë për më tepër se 20 vite, me mirëbesim dhe duke qenë të bindur se këto parcela janë të tyre, e të cilat si të tilla i kanë trashëguar pas vdekjes së bashkëshortit të të paditurës, përkatësisht babait të fëmijëve të të paditurës.

Kështu, sipas përgjigjes në padi, paditësi asnjëherë nuk ka qenë në posedim të këtyre parcelave, edhe se ka pas njohuri se të njëjtat janë në posedim të vëllait të tij, tani të ndjerit Nj.Z. dhe më vonë në posedim të të paditurës dhe fëmijëve të saj dhe këtë fakt jo që nuk e ka kundërshtuar asnjëherë, por edhe shprehimisht e ka pranuar, se ato parcela janë të bashkëshortit të paditurës si dhe të vet të paditurës dhe fëmijëve të saj.

Andaj, me anë të kësaj përgjigje në padi, e paditura ka kërkuar nga gjykata të marrë aktgjykim me anë të cilit të refuzohet si e pabazuar padia dhe kërkesëpadia e paditësit Habib Zymeri për lirimin e pronës.

Po ashtu, ka kërkuar që gjykata të detyrojë paditësin që të paditurës t’ia kompensojë të gjitha shpenzimet e kontestit, për aq sa do të jenë ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat