Seferi: Lajçaku nuk mund ta arrijë zgjidhjen përfundimtare për dialogun

Aktuale

Seferi: Lajçaku nuk mund ta arrijë zgjidhjen përfundimtare për dialogun

Më: 20 prill 2022 Në ora: 23:59
Idriz Seferi

Gazetari Idriz Seferi ka thënë se i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi nuk mund ta zgjidhë çështjen përfundimtare mes të dyja shteteve.

Në Rubikon, ai është deklaruar kështu kur e ka komentuar takimin e senatorëve amerikanë me liderët e Serbisë.

“Pjesa që më bëri përshtypje është fakti që senatorët amerikanë thanë që mund të mbizotërojë biseda që perëndimi do të ketë me Serbinë dhe procesi që do të ketë me Serbinë rreth çështjes së Ukrainës, rrjedhimisht rreshtimit të Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe perëndimit në krahasim me dialogun me Kosovën”.

“Nuk mendoj se Lajçaku mund ta zgjidhë çështjen përfundimtare. Duhet të priten reagimet që mund të këtë Gjermania, Britania e Madhe dhe sidomos pa praninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës marrëveshja përfundimtare nuk mund të ndodhë dhe sidomos për shkak se do të duhej të krijohej një atmosferë e tillë që do të sillte deri te kompromisi dhe deri te momenti për të firmosur diçka”.

“Deri më tani mendoj që status-kuoja i ka leverdisur Serbisë në vazhdimësi, nëse e shohim njoftimin për shtyp pas takimit me Lajçakun, fjalia e tij e parë ishte Asociacioni i Komunave Serbe dhe thotë se kjo nuk ishte zbatuar për nëntë vjet. Kjo formë më duket se e largon sidomos në një atmosferë kur muajve të fundit qëndrimet e Serbisë me dialogun janë larguar shumë më shumë sesa që kanë qenë para një viti”, ka thënë Seferi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat