Kurti: Këtë vit nënshkruhen marrëveshje bashkëprodhimi filmik me Francën e Izraelin

Aktuale

Kurti: Këtë vit nënshkruhen marrëveshje bashkëprodhimi filmik me Francën e Izraelin

Më: 21 prill 2022 Në ora: 15:45
Foto e publikuar ne rrjetet sociale nga Kurti

Këtë të enjte hapet pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut, që sipas kryeministrit të vendit, Albin Kurti, është një nga ngjarjet më prestigjioze të artit në botë, ku Kosovën do ta përfaqësojë artisti Jakup Ferri me veprën “The Monumentality of the Everyday”

Kurti tha se nga 22 korriku, për 100 ditë do ta shndërrojnë Prishtinën në hapësirë të artit dhe transformimit të hapësirave publike.

“Para tri javësh u mbyll Expo Dubai, ndërsa Kosova u paraqit me artistët e saj të dalluar dhe me eksponate muzeale e vepra të artit, si dëshmi e vlerave dhe potencialit të jashtëzakonshëm kulturor e identitar”.

“Festivalet ndërkombëtare të Kosovës edhe sivjet do të sjellin emra të njohur të artit nga e gjithë bota, nga filmi te muzika, nga arti pamor te romani grafik. Artistë të shumtë nga e gjithë bota zbarkojnë në shtetin tonë gjatë gjithë vitit përmes festivaleve tona që kanë krijuar identitet të fuqishëm ndërkombëtar”, shkroi Kurti.

Më tej, kreu i qeverisë tha se viti 2022 shënon edhe nisjen e programit tre vjeçar për blerjen e veprave të artit nga artistë vendorë, teksa shtoi se do të ndahen 20 bursa për studim në arte dhe trashëgimi kulturore në universitete botërore.

“Kurse gjatë pjesës së dytë të vitit do të vendosen themelet e institucionit më të ri shtetëror të artit, Muzeut të Artit Bashkëkohor, një mundësi shtesë për integrim dhe forcim të pozicionit të Kosovës në skenën botërore të artit pamor”, ka thënë ai.

Tutje, Kurti tha se këtë vit, Kosova do të nënshkruajë marrëveshje të bashkëprodhimit filmik me Francën në festivalin e Kanës dhe më vonë, sipas tij, me Izraelin.

“Filmat tanë të suksesshëm edhe sivjet vazhdojnë të udhëtojnë nëpër festivale prestigjioze dhe të shfaqen në kinematë anekënd botës”.

“Në thirrjen publike për mbështetje të skenës së pavarur kulturore kemi krijuar skemën e veçantë të mobilitetit për prezantimin e produktit tonë artistik në botë. Organizatat kulturore dhe artistët e pavarur do të gëzojnë mbështetje të rritur për paraqitje ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

Bienale Nomade Evropiane, Manifesti 14, që vitin  e kaluar u mbajt në Marsej të Francës, e pas Prishtinës do të mbahet në Barcelonë të Spanjës do të mbledh afro 100 artistë nga 32 shtete të botës, ku gjysma e tyre janë nga Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat