​Kompensimi i dëmit nga faturimi në veri, Avokati i Popullit në pritje të vendimit të Apelit

Aktuale

​Kompensimi i dëmit nga faturimi në veri, Avokati i Popullit në pritje të vendimit të Apelit

Më: 21 prill 2022 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka deklaruar se për dëmin që po i bëhet qytetarëve të tjerë të Kosovës për energjinë elektrike të shpenzuar nga serbët në veri të vendit, po presin vendimin e Gjykatës së Apelit.

Që nga përfundimi i luftës më 1999, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nuk i kanë paguar faturat e energjisë edhe pse janë furnizuar nga Kosova, ndërkohë ishte llogaritur si humbje komerciale dhe ishte paguar nga qytetarët tjerë të Kosovës.

Më 2017, Avokati i Popullit kishte dorëzuar padi në Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila më 11 tetor 2021, kishte aprovuar kërkesëpadinë e Avokatit të Popullit për anulimin e vendimit të Zyrë së Rregullatorit të Energjisë elektrike për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore qytetarëve të tjerë të Republikës së Kosovës.

I njëjti aktgjykim e obligon ZRrE-në që të ndërmarrë veprime që e obligojnë KEDS-in që të bëjë kompensimin e dëmit ndaj konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, në vlerë prej 40 milionë e 855.480.00 euro.

Lidhur me ankesën e ZRRE-së, Qelaj ka thënë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit.

Qelaj: Çështja është në Gjykatën e Apelit dhe do të presim për epilogun

“Qytetarët janë ngarkuar me shpenzimet e energjisë elektrike në veri dhe ne këtë e kemi parë si problem dhe shqetësim, sepse përveç që ka krijuar pakënaqësi te qytetarët, ka mundur të ndikojë drejtpërdrejtë edhe në raportet në mes të komuniteteve. Një veprim i autoriteteve publike ka qenë diskriminues ngase qytetarët janë faturuar me shpenzimet e energjisë të cilat i ka kriju dikush tjetër. Ne kemi dorëzuar një padi në Gjykatë, çështja ka përfunduar në shkallë të parë ku është aprovuar padia e Avokatit të Popullit…Tani çështja është në Gjykatën e Apelit dhe do të presim për epilogun e kësaj çështjeje”, u shpreh Qelaj.

KOSTT-i vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, për janar dhe shkurt, ka paguar rreth 13 milionë euro për rrymën e shpenzuar nga qytetarët serbë në katër komunat e veriut të Kosovës.

Kostoja totale financiare për pjesën veriore të Kosovës për vitin 2021 ishte rreth 41 milionë euro.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat