Miftaraj për mandatin e Lumezit: Shtatë vite të humbura për sistemin prokurorial të Kosovës

Aktuale

Miftaraj për mandatin e Lumezit: Shtatë vite të humbura për sistemin prokurorial të Kosovës

Më: 22 prill 2022 Në ora: 00:11
Ehat Miftaraj

Sot KPK emëroi një ushtrues detyre për Kryeprokuror të Shtetit. Për këtë, foli Ehat Miftaraj nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili tha se është një lajm jo i mirë që Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka qenë në gjendje të zhvillojë, sipas tij, një proces të drejtë dhe të pavarur.

“KPK nuk ka arritur të kryejë një ndër përgjegjësitë të tyre kryesore. Si duket KPK nuk e ka pasur për qëllim të zgjedh një kryeprokuror që do të kishte integritet, dhe i cili do ta merrte pozitën me meritë. E kanë nisur mbrapsht me vetë faktin se kërkesa e Ambasadës së Britanisë së Madhe për të vëzhguar procesin është refuzuar”, tha Miftaraj.

“Ka pasur një trajtim jo të barabartë ta kandidatëve nga ana e panelit të 5 anëtarëve, i udhëhequr nga kryetari i KPK-së, Jetish Maloku”.

Miftaraj tha se është shumë e lehtë për të parë nëse Lumezi ka pasur suksese apo dështime.

“Nëse marrim për bazë raportin e progresit për vitin 2014, pra i fundit para se Lumezi të merrte pozitën, ka qenë ndoshta një ndër raportet më të mira që ka pasur Kosova për sistemin prokurorial, ku janë renditur një varg suksesesh që KPK-ja i kishte marrë në atë kohë, ndërsa nëse e lexojmë raportin e vitit 2021, është një raport i cili na tregon se Kosova është në fazën fillestare sa i përket asaj që përfaqëson sistemi prokurorial në Kosovë”, u shpreh Miftraj.

“Nëse e bëjmë një vlerësim me nota nga 1 deri në 10, Kosova është ende tek 1-shi sa i përket sistemit prokurorial. Nëse marrim për bazë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kosova pothuajse nuk e ka as edhe një rezultat të prekshëm”.

Sa i përket Kryeprokurorit të deritanishëm, Aleksandër Lumezit, Miftaraj tha se ai nuk mund të mbahet mend për punë të mirë.

“Lumezi, që e përfundoi mandatin pas 7 vitesh, nuk mund të na tregoj as edhe një rast të vetëm kur një zyrtar i lartë është dënuar dhe ka shkuar në vuajtje të dënimit për vepra penale të korrupsionit. Kanë qenë shtatë vite të humbura për sistemin prokurorial të Kosovës, kanë qenë shtatë vite në të cilat iu është ofruar amnisti korrupsionit në Kosovë, shtatë vite pa ndëshkueshmëri për klanet dhe grupet e interesit”, tha Miftaraj.

“Këto shtatë vite do të duhej të rikuperoheshin nga një kryeprokuror i ri, i cili do të zgjidhej me një proces transparent, të pavarur dhe të paanshëm”.

Sa i përket kryeprokurorit të ri, Blerim Isufaj, Miftaraj tha se po të kishe integritet, nuk do të duhej të pranonte këtë detyrë, sipas tij, për shkak të shkeljeve serioze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat