Krasniqi: Qeveria po rrezikon që çdo dyshim për keqpërdorim në sektorin e energjisë të përdoret kundër saj

Aktuale

Krasniqi: Qeveria po rrezikon që çdo dyshim për keqpërdorim në sektorin e energjisë të përdoret kundër saj

Nga: M.L. Më: 22 prill 2022 Në ora: 15:55
Albert Krasniqi

Albert Krasniqi nga Demokraci Plus, konsideron se mazhoranca në Kuvendin e Kosovës duke bllokuar formimin e Komisionit hetimor parlamentar për energjinë, po rrezikon që çdo dyshim që ndërlidhet me keqpërdorim në sektorin e energjisë, të përdoret kundër tyre.

Krasniqi i konsideron si të paqëndrueshme aspektet procedurale që po bëhen për të kundërshtuar themelimin e komisionit.

“Nëse mazhoranca është duke bllokuar formimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë vetëm për të mos i dhënë kauzë opozitës, në fakt është duke bërë të kundërtën. Qeveria po rrezikon që çdo dyshim që ndërlidhet me keqpërdorim në sektorin e energjisë, të përdoret kundër tyre. Kjo strategji mund të jetë e duhura, vetëm nëse dëmet që mund të bëheshin nga të gjeturat e hetimit do të ishin më të mëdha.

Aspektet procedurale që janë ngritur për të kundërshtuar themelimin e komisionit janë të paqëndrueshme”, ka theksuar ai.

Po ashtu, ai ka rikujtuar se, Kushtetuta e Kosovës parasheh caktimin e komisioneve parlamentare për çështje hetimore me kërkesën e një të tretës së deputetëve.

“Ky është një detyrim të cilit Kuvendi nuk mund t’i shmanget.

Grupi parlamentar që inicion themelimin e komisionit hetimor qartësohet në kërkesën për themelim, pavarësisht përkatësisë partiake të deputetëve nënshkrues.

Mandati i deputetit është individual, dhe vendimi i tij nuk mund të konsiderohen si qëndrim i një grupi kolektiv, ashtu siç është grupi parlamentar.

Vendimet e grupit parlamentar merren bashkërisht dhe ato përfaqësohen nga shefi i grupit”, ka përfunduar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat