Ganimete Shala, kandidate për deputete në Slloveni, ka folur për rastin ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin u raportua nga mediat sllovene se është i përfshirë në një skandal financiar.
Ajo tha se është herët që të folët pa pasur fakte, derisa tha se nuk mund të ketë shumë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve në Slloveni për shkak se ende s’ka asgjë zyrtare.
“S’kemi asnjë fakt, nuk e njohim në detaje përmbajtjen e kësaj çështje, nuk do të komentoja më gjerë këtë punë. Derisa s’kemi fakte është e pakuptimtë të akuzojmë dikë. Nuk ka arritur askush t’i shohë në mënyrë fizike, këto gjëra ndodhin në fushata zgjedhore. Me detaje s’e njoh përmbajtjen”.
Shala, bëri thirrje shqiptarëve në Slloveni që të votojnë për të, duke u zotuar se do të punojë për të drejtat e tyre.
“Shqiptarët kanë njohuri për kandidaturën time. Ju bëj ftesë atyre që kanë mundësi votimi, të votojnë të dielën. Do të ndihmojë edhe në përforcimin e raporteve Slloveni-Kosovë, do t’i përforcojmë urat e marrëdhënieve tona”.
Ajo tha se në Slloveni jetojnë rreth 30 mijë shqiptarë, por jo të gjithë kanë të drejtë vote meqenëse s’kanë nënshtetësi sllovene.