Emini: Vizita e zyrtarëve të lartë amerikanë mesazh shumë i mirë për Kosovën

Aktuale

Emini: Vizita e zyrtarëve të lartë amerikanë mesazh shumë i mirë për Kosovën

Më: 26 prill 2022 Në ora: 00:09
Donika Emini

Donika Emini, drejtoreshë e Platformës Civikos, e ka komentuar vizitën e ndihmëssekretares së Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Dr. Karen E. Donfried, dhe zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, të cilët kanë arritur sot për vizitë në Kosovë.

Emini, në një intervistë në Edicionin Special, tha që është një mesazh shumë i mirë që kemi një vizitë të një niveli të lartë nga SHBA-ja.

“Është një mesazh shumë i mirë që kemi një vizitë të një niveli të lartë nga SHBA-ja. Lidershipi brenda BE-së ende është i paqartë në raport me dialogun Kosovë – Serbi”.

“Kemi një pakënaqësi shumë të madhe nga disa vende anëtare dhe Brukseli me performancën e Lajçakut në dialog dhe dështimit për zgjidhjen e çështjes së regjistrimit të veturave, të cilës i skadoi afati”.

Ajo tha se pranimi i Lajçakit publikisht për dështimin e tij “ka qenë një nga momentet e kthimit në Bruksel në vendet anëtare në raport me dialogun Kosovë – Serbi dhe aftësive të tij politike për të udhëhequr një proces të tillë”.

Emini tutje tha se është me rëndësi që të kemi një intensifikim të marrëdhënieve me SHBA-në.

“Është e domosdoshme që të kemi një intensifikim të marrëdhënieve me SHBA-të, sidomos me një qeveri e cila ka qenë shumë pak në fuqi – 50 ditë të cilat kanë qenë më problematike në raport me marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe SHBA-ve, për shkak të administratës jokonvencionale të Trumpit. Ka qenë një kthesë pozitive në raport me Kosovën, fakti që kemi një vizitë të nivelit të lartë. Kemi edhe vizitën e Kurtit dhe Osmanit në SHBA që është përfolur shumë”.

Emini theksoi që edhe vizita e presidentes së vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti në SHBA shënon intensifikimin e marrëdhënieve diplomatike.

“Po ua kthejmë menjëherë dhe kjo shënon intensifikimin e marrëdhënieve diplomatike – të cilat kanë një synim të veçantë dhe ai është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë".

“SHBA-ja përfshihet për agjenda të mëdha – kjo dihet shumë mirë”, tha tutje Emini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat