​23 vjet pas luftës, familjarët kujtojnë më të dashurit që i humbën në masakrën e Mejës

Aktuale

​23 vjet pas luftës, familjarët kujtojnë më të dashurit që i humbën në masakrën e Mejës

Më: 27 prill 2022 Në ora: 11:37
Foto ilustrim

Familjarë të shumtë erdhën sot në Kompleksi Memorial “Lëndina e pikëllimit”, për të përkujtuar familjarët e tyre, dhe me dhimbje e me lot në sy flasin për më të dashurit e tyre të cilën u vranë më 27 prill 1999, derisa kërkojnë që kryerësit e kësaj masakre të vihen para drejtësisë.

Zufë Rama mëngjesin e sotëm e filloi pranë varrit të djalit të saj, Nijaziut të cilin forcat serbe e vranë sot 23 vite më parë.

Mes lotësh ajo tregon se në këtë masakër i janë vrarë 12 anëtar të familjes.

Ajo kritikon politikën vendore për trajtimin e tyre, madje thotë se “në shpinë të tyre janë ulur në karrige”.

Rama: Djali ma la nusen e motmotit, shpresonim që është i gjallë

Kiamet e më vështirë ku ka të afërmit me i gjet të masakruar dhe me ua gjet shenjat... Sot, pas 23 viteve sikurse ajo ditë është edhe dita e sodit, ma ka lënë nusen e motmotit, e ka pritur nusja 6-7 vjet, mendonim që po del i gjallë, me shpresë, e në fund gjetëm shenjën e tij... Kanë vdekur për lirinë e Kosovës, (politikanët) janë ulur në karrige në shpinë të këtyre dhe nuk merret parasysh gjë puna e tyre, pas 20 vitesh u bënë varrezat”, u shpreh ajo.

Edhe Hil Kqira sot kishte ardhur në Kompleksin Memorial ku janë të varrosur civilët qe u vranë nga forcat serbe në masakrën e Mejës.

Kqira, i cili humbi vëllain e tij, familjarë të tjerë e bashkëfshatarë thotë se dhimbjen e kanë të freskët dhe ajo vetëm sa vjen e shtohet.

Ndërsa, kërkon që kryerësit e kësaj masakre të madhe ndaj civilëve shqiptarë të vihen para drejtësisë.

Kqira: Duhet me u dënu ata që e kanë kryer këtë masakër

“E kam vëllain, tre djem të axhës dhe tre të fshatit... Për çdo vit nuk zvogëlohet dhimbja kurrë. Një herë e dimë se këta janë vrarë dhe masakruar pa pasur asnjë faj kurrkujt hiq, për të mbrojtur pragun e shtëpisë së tyre. Dhimbja është e madhe, kurrë nuk harrohet, është jo sikur të ishte 20 vite por 20 ditë... Duhet gjithsesi drejtësia me qenë dhe me u dënua ata kryerësit e masakrës”, tha ai.

I vrarë në këtë masakër është edhe Bajram Zenuni. Sot me shumë dhimbje flet për humbjen e tij dhe të familjarëve të tjerë motra Shkurte Zenuni nga fshati Dobrosh, e cila për KosovaPress rrëfen për vrasjen e vëllait 36-vjeçar.

Zenuni: Shumë e rëndë, vëllai na i la fëmijët e bashkëshorten

“Sot 23 vite në ora katër e gjysmë mendoj e kanë lëshuar fshatin dhe ua kanë qit pritën serbët dhe i kanë marrë për katër serbë që i kanë vrarë. I kanë marrë afërisht 500 persona dhe i kanë bllokuar krejt... Shumë e rëndë, 36-vjeçar i la fëmijët e vegjël, të shoqen, nënën. Kushedi si i kanë malltretuar, kushedi se si i kanë mbytur”, rrëfen mes lotësh ajo.

Për të përkujtuar këtë masakër tragjike në Kompleksin Memorial në Mejë për homazhe do të bëjnë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe anëtarë të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

23 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit.

Në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Slobodan Millosheviqit më 27 prill 1992.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat