Sveçla: Sulmet ndaj Policisë kanë qëllim destabilizimin e vendit, erdhën pas vendosjes së rendit dhe ligjit në veri

Aktuale

Sveçla: Sulmet ndaj Policisë kanë qëllim destabilizimin e vendit, erdhën pas vendosjes së rendit dhe ligjit në veri

Më: 29 prill 2022 Në ora: 10:39 Përditësuar në ora: 12:23 më 29.04.2022
Xhelal Sveçla

​Sveçla kërkon që Milan Radojçiq të kthehet në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë, Simiq e kundërshton

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar ardhjen në Kosovë të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radonjçiq, i cili kërkohet për rastin e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. për t’u përballur me akuzat nga institucionet e drejtësisë.

Në debat me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq në Komisionin për Siguri, Sveçla i kërkoi atij që t’i bëjë presion Radonjqiqit që t’i dorëzohet organeve të Policisë dhe jo të kërkojë hapësirë në Serbi.

Por deputeti, Simiq tha se Radonjiq nuk do t’i dorëzohet organeve të drejtësisë në Kosovë pasi, siç tha ai, është një proces i montuar.

Ai kërkoi nga ministri që rrugët siç tha ai “alternative” të lirohen në veri, pasi qytetarët atje po hasin më vështirësi.

Këto rrugë, ministri i quajti ilegale dhe jo alternative, rrugë të cilat përdoren për kontrabandim dhe aktivitete kriminale.

Gjatë raportimit në komision, Sveçla debatoi edhe me deputetët opozitarë.

Ai pranoi se ka mungesë të uniformave të policëve, si pasojë e bllokimit të OShP-së.

Sveçla foli edhe për arrestimet e policëve dhe mundësitë e shkarkimit të drejtorit të Policisë.

“Nuk merrem me emra, por me procese. Ish-drejtorin, i cili tashmë është deputet e kam gjetur, se kam ndërruar, edhe drejtorin aktual e kam gjetur aty. Ata do të qëndrojnë apo ndërrohen varësisht prej nevojave të Policisë dhe punës së tyre konkrete. Ndryshimet e nevojshme brenda Policisë do të jenë në kuadër të reformave, kritereve dhe rregullave dhe ligjit”, ka thënë ai. 

Sveçla: S’do lëmë gurë pa lëviz për liberalizimin e vizave

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke raportuar në Komisionin për Siguri ka thënë se ‘s’do të lë gurë pa lëvizur që qytetarët e Kosovës ta gëzojnë lirinë e lëvizjes’.

Duke folur për vizitat dhe takimet e tij në shtete të ndryshme, Sveçla tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave.

“Kam realizuar 1 numër të vizitave të cilat kryesisht ndahen në 2 kategori. Bashkëpunime multilaterale në kuadër të iniciativave të ndryshme qoftë të BE-së qoftë të rajoneve dhe vizitave tematike. Tashmë ekziston një qëndrim publik se Kosova i ka plotësuar kriteret e nevojshme që të fitojë të drejtën e lëvizjes së lirë. Ne për më tepër se kaq, kemi bërë vizita dhe takime me shtete të cilat janë vlerësuar si skeptike ose janë vlerësuar si vende që mund të ndikojnë pozitivisht. Qasja ime ka qenë kjo, të kalojmë edhe një herë nëpër të gjitha kërkesat e BE-së, të kalojmë edhe një herë në të gjitha kërkesat e shteteve individuale dhe pastaj këto kërkesa bashkë me angazhimin tonë dhe sukseset tona t’i ballafqojmë me përgjegjësit”.

“Në Francë jam takuar me homologun tim dhe ekziston një dakordancë e dyanshme, por edhe një vlerësim i tyre i drejtpërdrejt që kemi suksese të mëdha në këtë fushë dhe kriteret teknike janë plotësuar. Kjo është çështje e vendimmarrjes politike, çështje e raporteve të vendeve të ndryshme mes tyre që deri tash kanë qenë pengese. Shumë shpejt unë pres vendimmarrje të drejt për këtë çështje. Ne do të realizojmë takime dhe vizita shtesë në mënyrë që të bëjmë çdo gjë që është e mundur, siç thotë populli, s’do të lëmë asnjë gurë pa lëvizur që këtë të drejtë të qytetarëve ta realizojmë”, tha ai.

Sveçla: Policia ka mungesë të uniformave e armatimit si pasojë e OSHP-së

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë të premten se Policia e Kosovës po ballafaqohet me vështirësi dhe mungesa të mëdha të uniformave dhe armatimit.

Gjatë raportimit para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Sveçla ka thënë se kjo po ndodh si pasojë e mosfunksionalizimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

“Policia e Kosovës ballafaqohet me vështirësi të mëdha, shpesh të paarsyeshme. Sa i përket uniformave, armatimit, shumë nga këto kanë rrjedhur si pasojë e OSHP-së. Unë shpresoj që shpejt OSHP-ja do të zhbllokohet”, ka thënë Sveçla, pas kritikave të deputetit të AAK-së, Bekë Berisha lidhur me këtë.

Kryetari i Komisionit, Bekë Berisha kërkoi të ketë kujdes e mirëkuptim e mos të bëhet show mediatik arrestimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“Arrestimi i 100 Policëve, të nivelit bazë këta poshtë për korrupsion. Gjithmonë kemi pas dikë se mos po arrestojmë njerëz pastaj gjykata i liron krejt të koriten e të pafajshëm. Pse bëhen këto për ngutë e nuk trajtohen mirë kush ka argumente, por jo me i marr 100 policë se lajmi po del i madh. Në këtë formë ne e shkatërrojmë Policinë e Kosovës”, tha ai.

Por ministri Sveçla tha se nuk merret me emra por me procese. Tha se nuk mund të ndërhyjë në punën e Inspektoratit Policor e të Prokurorisë.

“Unë nuk i di të gjitha dyshimet që kanë ndodh më polici. Qasja ime është që nuk merrem me emra por me procese. Edhe drejtorin aktual unë e kam gjet aty dhe nuk e kam ndërruar. Ata do të qëndrojnë apo do të ndërrojnë varësisht prej nevojave të MPB-së apo Policisë së Kosovës. Dhe ndryshimet tjera do të jenë subjekt i reformës së policisë sepse njerëzit do ta ndërrohen do të transferohen nga policia në bazë të kritereve të rregulluara me ligji”.

“Unë nuk i them as inspektoratit policor që të arrestojë apo të mos arrestoj kaq zyrtarë policorë. Ashtu siç nuk mund t’i them Prokurorisë edhe Gjykatës. Për të gjitha këto arrestime ka prova të mjaftueshme për afera korruptive për këta zyrtarë policor. Unë jam i bindur që për njerëz të korruptuar nuk ka vend në institucionet e Kosovës”, tha Sveçla.

Berisha pyeti nëse dikush prej udhëheqësve të Policisë së Kosovës është dashur të japin dorëheqje për këtë çështje. Tha se në kohën sa ishin në opozitë, në maje të gjuhës i kishin oligarkët.

“A ish dashtë me dhënë dorëheqje ndokush për shkak të numrit të kaq të madh të korrupsionit në Polici të Kosovës. Ju e keni pas në maje të gjuhës oligarkët. Nuk po shohim që keni arrestuar ndonjë komandat të policisë apo oligark. Pse nuk po i arrestoni këta”, pyeti Berisha

“Patjetër që ata që janë të përfshirë në krime të nivele të larta duhet të përndiqen dhe të arrestohen. Dhe këtë duhet ta bëjnë ata që një pjesë e tyre po arrestohen. Për të arrit në ata stad ku arrestohen kriminelët e larta, ne duhet të jemi një forcë me kridibilitet maksimal. Nuk mund të kemi suksese në përndjekjen e krimeve të larta nëse kemi zyrtarë policorë të përfshirë në krime”, tha Sveçla.

Sveçla paralajmëron ligj për pensionimin e parakohshëm të policëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka paralajmëruar se shumë shpejt do të bëhet ligji për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policor.

Në pyetjen e deputetit të VV-së Enver Dugolli se kur parashihet të ndodhë kjo, pasi që Kosova ka policinë më të vjetër në rajon, Sveçla ka deklaruar se kjo është nevojë e patejkalueshme për Policinë e Kosovës.

“Që kjo të ndodhë, duhet rregulluar skema pensionale që bie në domenin e Ministrisë së Financave dhe ka ngarkesë buxhetore. Por ne jemi në vazhdimësi duke bërë negociata me MF-në dhe zyrën e kryeministrit që kjo të ndodhë sa më shpejt”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka thënë se pensionimi i parakohshëm i policëve është kërkesë e policisë dhe sindikatës së tyre dhe beson që është nevojë praktike.

“Unë shpresoj që brenda vitit do të gjendet rruga. Sipas planit që kjo të ndodhë duhet tri vjet kohë, por pasi ka pajtueshmëri unë jam optimist që kjo do të ndodhë”, ka deklaruar Sveçla.

Berisha- Sveçles: Keni bërë show me policët e arrestuar, sot ata janë të lirë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po raporton në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ai është pyetur fillimisht nga kryetari i këtij komisioni Bekë Berisha së çfarë ka ndodhur me policët e arrestuar për korrupsion në dy aksionet e fundit e që numri i tyre ishte rreth 100.

“100 zyrtarë policor mi arrestu edhe mi lshu pastaj, nuk është normale ministër. Duhet me pas kujdes dhe me pas një mirëkuptim dhe mos të bëjmë shoë për portale duke prangosur policë”, ka thënë Berisha duke shtuar se duhet të gjenden forma zyrtare, me suspenduar policin dhe pastaj gjykata me vendos në lidhje me të.

Ndërsa Sveçla në përgjigjen e tij ka deklaruar se nuk mundet ti thotë IPK-së e as prokurorisë të mos veproi.

“Për të gjitha këto arrestime ka prova të mjaftueshme. Ka pas masa të fshehta që janë përdor dhe ka prova që ata janë të përfshirë në afera korruptive. Njerëz të korruptuar nuk do të ketë në polici”, ka thënë Sveçla.

(10:38)- Sveçla: Sulmet ndaj Policisë kanë qëllim destabilizimin e vendit,  erdhën pas vendosjes së rendit dhe ligjit në veri

​Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se sulmet ndaj zyrtarëve policorë në veri janë nxitur për shkak të vendosjes së ligjshmërisë në atë pjesë dhe kanë qëllim destabilizimin e vendit.

Duke raportuar në Komisionin për Siguri, Sveçla paraqiti sukseset gjatë 1 viti qeverisjeje.

Ai tha se primare ka qenë forcimi i institucioneve të sigurisë përmes rritjes së kapaciteteve.

Sveçla para deputetëve theksoi sukseset që sipas tij janë arritur në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Gjatë vitit të parë qeverisës janë realizuar 1000 operacione policore dhe janë goditur 50 grupe kriminale. Si pasojë e kësaj janë ngrirë rreth 14 milionë euro”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat