Shërbëtor të konservatorizmit serb dhe blasfemues të shqiptarisë / Trysnia duhet të godasë Serbinë, jo Kosovën

Aktuale

Shërbëtor të konservatorizmit serb dhe blasfemues të shqiptarisë / Trysnia duhet të godasë Serbinë, jo Kosovën

Nga: Idriz Morina Më: 29 prill 2022 Në ora: 17:57
Foto ilustrim: Edi Rama, Aleksander Vuçiqi dhe Hashim Thaçi

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, vazhdon të jetë në ndihmë të Serbisë, politikave të saj në dy anë, siç i quan senatori amerikan Chris Murphy. Derisa Rama përpiqet që të jetë në rolin e ‘engjëllit mbrojtës’ për Serbinë dhe Vuçiqin, Perëndimi është i zhgënjyer me vetë Serbinë, nuk e dëshiron dhe nuk e pranon lojën e dyfishtë të saj. Në fakt, Serbia po e mban anën e Rusisë, derisa nuk i ka vënë sanksione asaj.

Qëndrimin dualist të Serbisë e ka konfirmuar edhe senatori amerikan, Chris Murphy, pas vizitave diplomatike në shtetet ballkanike.

“Në rregull, Aleksander, duam të dimë, a do të qëndroni me shtetet demokratike dhe të sanksiononi atë apo do të vazhdoni të luani me dy anët”, ka shkruar senatori Murphi në tviter, duke treguar për bisedimet që ka pasur në rajonin tonë.

Për këtë qëndrim ajo duhet ndëshkuar, ashtu si kam vlerësuar unë dhe shumë europian të njohur, por mbase pa fuqi politike, duke kërkuar që BE-ja sa më parë ta pezullojë procesin e integrimit të saj në BE. I fundit që e ka bërë këtë thirrje dje, është austriaku Gynter Fehlinger, që tashmë në mënyrë të përsëritur varësisht nga rastet e ripërsërit.

Shkolla inferiore politike hashimiane

Ajo që bie në sy është tendenca, përkatësisht ajo ‘shkolla’ inferiore politike, pa vlera kombëtare, nëse jo antikombëtare, që mori hov nga Hashim Thaçi, duke pranuar çdo marrëveshje në dëm të Kosovës me Serbinë, pavarësisht që Kosova e përjetoi gjenocidin, dëbimin, kulturocidin, plaçkitjen masive etj., nga Serbia, për herë të fundit në vitet 1998-1999.

Kjo përpjekje për ta kundruar çështjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi nga këndvështrimi serb dhe i huaj është tronditës, kjo është ajo shpëlarja de fakto e trurit shqiptar, nga identiteti shqiptar, nëse jo nga krenaria skenderbejane, gjithsesi nga ajo rilindëse, dhe e përfaqësuar me shkëlqimin më të lartë në arenën ndërkombëtare, por brenda shqiptare, nga Ibrahim Rugova.

Ai kurrë nuk pranoi që çështja e Kosovës të shihej si kundrim nga një sy i dytë apo i tretë. Perspektiva e Kosovës është perspektivë shqiptare nga e sotmja dhe e kaluara e saj. Për nga e kaluara sa më thellë të shkosh aq më e lavdishme bëhet, mbase nga kohët e panjohura – primordiale sipas psikanalistëve, deri në kohën kur e krijuam folklorin madhështor, ligjin e pashembullt – Kanunin me Kodin mitik, të Besës, me mitologjinë e paskajshme, me muret çiklopike, mbretëritë para rreth katër mijë vjetëve, dhe me kurorën e të gjithave, gjuhën hyjnore shqipe!

Përpjekjet e opozitës së sotme, veçanërisht nga PDK-ja dhe AAK-ja, por edhe të ndonjë figure që dikur ishte në ekipin e presidentit Rugova, janë irrituese dhe blasfemuese për ato politika.

Ajo që më së paku mund të quhen këto politika janë obediente, jo vetëm nga autoritete të jashtme, por edhe të Serbisë.

Kosova ka nënshkruar dhe zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe GJND-në / Serbia asnjë!

Sidoqoftë, është e pashembullt që Kosova të shihet si pengesë dhe zvarritëse e marrëveshjes me Serbinë.

Janë katër argumente të patejkalueshme, dhe qartë ata që kultivojnë tjetër mendësi dhe retorikë gënjejnë:

1. Kosova e ka pranuar Marrëveshjen e Rambujesë – Serbia e ka refuzuar (për fatin tonë të mirë)- 1999.

2. Kosova e ka pranuar Marrëveshjen e Vjenës, Pakon Ahtisari – Serbia e ka refuzuar (për fatin tonë të keq). (Kjo u cilësua si marrëveshja e kompromiseve të domosdoshme për ta arritur Pavarësinë).

3. Vendimi i GJND-së për ligjshmërinë e Shpalljes së Pavarësisë – Serbia vet e çoi çështjen në këtë Gjykatë dhe vazhdon ta mohojë vendimin e saj.

4. Marrëveshjet në Bruksel – Kosova i ka pranuar të gjitha (Kosova nuk e ka zbatuar marrëveshjen për asociacionin në formën e nënshkruar për shkak se po sipas marrëveshjeve në procesverbal – për marrëveshjen duhej ta jepte vendimin Gjykata Kushtetuese) – Serbia nuk e zbatoi thuajse asnjë marrëveshje thelbësore.

Pra, bilanci është katër me zero, tri në bisedime ndërkombëtare, dhe një në gjykim ndërkombëtar!

Serbia i ka refuzuar të gjitha marrëveshjet, edhe ato të nënshkruara vet ose të iniciuara (GJND), ndërsa Kosova i ka përmbushur të gjitha.

Prandaj, të bashkëfajësohet Kosova me Serbinë, qoftë edhe vetëm për konsum retorik publik nga politikanët shqiptarë është e rëndë dhe gati trishtuese.

Ata me këtë mendësi nuk tregohen liberal, por shërbëtor të konservatorizmit serb, që është mbështetur dhe mbështetet prej rreth 200 vitesh në shovinizëm, fashizëm, dhe në çfarëdo –izmi tjetër negativ.

Gjermania t’i jap ultimatum Serbisë

Në kundërshtim me interpretimet zvarritëse dhe qëllimet e Edi Ramës, për ta rënduar me akuza Kosovën, dhe me ‘neutralitetin’ e tij ndaj procesit, që në fakt është anim i tij dhe Qeverisë së Shqipërisë nga Serbia, pritet një hap i ri, me takimin në Gjermani.

Kancelari i Gjermanisë Olaf Shulc do të takojë veç e veç në takim kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, në Berlin të mërkurën e ardhshme ku do të bisedohet për marrëveshje Kosovë-Serbi, dhe po ashtu veç e veç do të takohen edhe nga ndërmjetësuesi i BE-së Miroslav Lajçak.

Por, në këtë rast Gjermania duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë, se nuk mund të pretendojë asnjë kusht për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Kosovën, dhe se në të kundërtën do të pezullohet nga procesi i anëtarësimit në BE, e cila edhe ashtu duhet ta sanksionojë Serbinë për shkak të mbështetjes së Rusisë në luftën në Ukrainë dhe për mosvënie të sanksioneve asaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat