Dy mesazhe madhështore shqiptare, nga udhëheqësit fetar!

Aktuale

Dy mesazhe madhështore shqiptare, nga udhëheqësit fetar!

Nga: Idriz Morina Më: 2 maj 2022 Në ora: 13:36
Myftiu Naim Tërnava dhe Ipeshkvi i Kosovës

Tash që më nuk është ramazan, fjalët e tona mund të mos jenë të nevojshme të jenë krejt të matura sipas kutit të librave të shenjtë. Ajo që po e bën shoqërinë tonë të duket jo mirë, është ‘turravrapi’ pas kënaqësisë, prej shumë librave të shenjë e dënueshme, por edhe prej shumicës së drejtimeve shkencore, filozofike e psikologjike.

Jo se ka njerëz që nuk duan të kënaqen, por moskuptimi i duhur për kënaqësinë, dhe shkallimi, në raportin me dijen që kjo shoqëria jonë e ka pësuar, jo vetëm nga harlisjet me pop-kulturat e pasluftës, por edhe nga mësimet fetare, kryesisht islame, të dala apo të dhëna krejt jashtë shtratit tradicional islam.

Si duket kultura jonë shqiptare, etnopsikologjia jonë, ia ka dhënë një drejtim më ndryshe besimit islam, që kur ai është konsoliduar pas pushtimit të gjatë osman, duke e bërë më të ndryshëm se në shumë shtete që e dominojnë kulturën e tyre, dhe nga vetë buroi. Madje edhe më të shëndoshë!

Image
Kryeheroi i shqiptarëve Skënderbeu

Tregimi i trishtë nga Libia

Ende në fshatin tim i kujtojnë fjalët që në fëmijërinë time, i kishte thënë një kushëri më i largët, për besimin fetar në Kosovë, dhe atë që ai e kishte parë e jetuar, për disa vjet me punë në Libi, gjatë viteve të ‘80-ta. “Rroja e islamit ish këtu. Atje ish katastrofë, se di çka ishin”, thoshte axha Hevzi, i trembur me sjelljet e pamoralshme, të padenja dhe madje jo njerëzore, që ai kishte parë dhe dëgjuar në botën arabe.

Fjalët e Hevziut kanë mbetur epike, dhe kujtohen ende sa herë mblidhen më të vjetrit dhe bisedojnë për fenë e tashme dhe traditën, pavarësisht që ai prej dekadash nuk jeton më, por si për të dëshmuar se ai lloj besimi abuziv, erdh pjesërisht pas luftës, i sjellur kryesisht nëpërmjet Serbisë.

Rrëfimi tronditës nga Arabia

Një tregim tjetër që prej rreth katër dekadash vazhdon të jetojë është, se një tjetër i afërm, shumë i kulturuar, që fati i jetës e kishte dërguar në Arabinë Saudite, vazhdon të kujtohet ende me trishtim. Po me atë tronditje shqiptare, që e rrëfente vetë NN (për hir të konfidencës nuk po e tregojmë emrin), kur vinte në Kosovë, ‘rrallë e për mall’ me familje në vitet e ’70-ta e të ’80-ta.

Aq ishte tronditëse jeta atje, sa edhe vajzat e tij të rritura për martesë, kur shkonin mysafir tek të afërmit në Kosovë, sa herë që duhej të dilnin në rrugë, pyesnin: “a mund të na rrëmbejë dikush”, “a duhet të kemi kujdes këtu?” etj. Sintagma që tregonin për jetën e frikshme dhe në izolim të hekurt!

Babai i tyre, ndjesë i pastë shpirti, si e kujtonin vëllezërit dhe të gjithë kushërinjtë, u kishte thënë, “mbi të gjitha atje është keq, sepse kam frikë ta lë familjen vet. Leje se janë vajzat të kërcënuara për rrëmbim nga të huajt, por më e keqja se duhet të ruhen nga dajët, nga të cilët e mbrojë familjen me armë”, rrëfente për jetën e papranueshme shqiptare atje.

Sipas kodit shqiptar, Kanunit, që ka drejtuar jetën e shqiptarëve të të gjitha besimeve, martesat mund të bëheshin, vetëm në të shtatën shokë nga gjinia e nënës, ndërsa nga e babës, as pas 100 shokësh (brezash) (po të mund të mbahej mend, por ende në katundet e një gjaku dhe në shumicën e katundeve dhe fshatrave të Kosovës nuk bëhen martesa ndërmjetveti, pavarësisht nëse ka të ardhur! Kjo ka ndikuar edhe në krijimin e një gjaku më të pastër!

Image
Konstandini i Madh, dardan, njëri prej personaliteteve më të mëdha botërore dhe më me ndikim

Ruajtja e fytyrës dhe koria

Ky kod, nuk e ka lejuar degjenerimin e familjes shqiptare, jo vetëm në martesa, por edhe në ruajtjen e nderit, burrërisë, fytyrës, këtyre nënkodimeve, që sot i mungojnë botës, deri tek rastet e mosmarrëveshjeve botërore, nga thyerja e tyre nga shtetet dhe udhëheqës autokrat siç bën sot Putini në Ukrainë, po vuan veç ukrainasve edhe thuaja e tërë bota!

Apo siç bën Edi Rama i koritur, duke e marrë në mbrojtje Serbinë, në dëm të shqiptarëve përgjithësisht dhe në dëm të Kosovës, veçanërisht. Të jeshë i koritur do të thoshte të jesh i leçitur!

Shqiptarët ashtu e kishin pranuar dhe ushtruar islamin, si askund në botë, që ishte plotësisht tolerant, dhe madje vëllazëror, me shqiptarët e krishterë, ortodoks dhe katolik.

Natyrisht që vetë pushtimi serb në Kosovë, kishte futur jo rrallë copëza urrejtjesh, e shprehur nëpërmjet sintagmave, për vëllezërit e tyre të dikurshëm të një gjaku (shkie), por që kishin mbetur në besimin paraprak, ortodoks.

Me krijimin e brezit të ri të shqiptarëve të shkolluar, pas Luftës së Dytë Botërore, ia kishin dalur ta asimilonin dukshëm atë ndikim të shërbimit të fshehtë të Serbisë.

Por, në vitet e pas luftës, u godit rëndë kultura tradicionale, veçanërisht për shkak të pranisë së madhe ndërkombëtare dhe raportit falënderues, mikpritës dhe deri në mazohizëm të shqiptarëve, në njërën anë, dhe në anën tjetër, Serbisë iu lejua të vepronte hapur me shërbimet e saja të sigurimit, dhe shërbimeve të tjera armiqësore, të cilat sollën edhe një larmi besimesh, thuajse të panjohura ndër shqiptarët.

Serbia, duke pasur lidhje të gjata diplomatike, dhe madje ndikim në disa shtete islamike, për qëllime të saja të fshehta politike, i ndihmoi disa vende islamike, si Arabinë dhe të tjera, që të sjellin ndikime fetare, si vehabizmin dhe të tjera rryma besimesh ekstremiste, që nuk përkonin me traditën. Këto elemente Serbia më pas do t’i shfrytëzonte për përçarje të besimit të brendshëm tradicional islam, dhe njëkohësisht të ushtronte ndikimin e vet, për qëllime armiqësore, duke e prezantuar Kosovën, si vend burim të ekstremizmit islamik, dhe për ta penguar përparimin si shtet, në integrimin ndërkombëtar.

Madhështia e kodit shqiptar

Kodi shqiptar, nuk e pranonte ndarjen sipas besimeve, por sipas Besës / Tradhtisë; burrnisë/zhburrnimit; nderit/korisë; fytyrës/marres (turpit) etj., të cilat nënkode ende gjenden dhe vlejnë, dhe nëpërmjet të cilave, u shpëtuan pavarësisht besimit që mund të kishin shqiptarët, dhjetëra mijëra hebrenj, që jetonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në trojet shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni!

Por, cilat ishin dy mesazhet madhështore që u dhanë në 24 orët e fundit nga udhëheqësit fetar të dy besimeve kryesore shqiptare në Kosovë!?

Të parin e dha myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, që është në linjë me karakterin e thirrjeve të tij, kur e bënte për mbrojtjen e shqiptarëve që në fillim të lëvizjes për liri dhe pavarësi, se gjaku shqiptarë është më i rëndësishëm se dallimet tjera. Kësaj here, ai bëri thirrje që t’i jepet fund, braktisjes së atdheut, veçanërisht nga rinia, si pasojë e të cilës mendësi, Kosova po zbrazet.

Image
Shën Tereza dhe Ibrahim Rugova

Nga pas lufta, Kosovës i mungojnë së paku një milion shqiptarë, një program serb dhe armiqësor ndaj shqiptarëve i realizuar më suksesshëm se me luftën dhe pushtimin e Millosheviçit, “Kasapit të Ballkanit”.

“Ftoj rininë tonë që të mos marrë rrugën e mërgatës që të mos largohet nga këto troje. Qeverisë i kemi thënë që me një shpejtësi të madhe të krijojë vende të reja të punës në mënyrë që të ruajmë këtë vend sepse Zoti na ka krijuar këtu. Marrja e rrugës dhe heqja dorë nga ky vatan (atdhe), unë e konsideroj edhe mëkat”, është shprehu Tërnava.

Një mesazh, i qartë edhe për shqiptarët, edhe për Qeverinë, se patriotizmi më i madh sot i institucioneve është, ta ruajmë, atë që thoshte Rugova, “substancën kombëtare”, gjërat tjera pastaj i rregullon koha, por substancën askush!

Dhe mesazhi tjetër është thirrja që e bëri sot me rastin e pritjeve ceremoniale për festën e Bajramit, nga myftiu i Kosovës, z.Tërnava, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, duke kujtuar thënien e poetit të madh kombëtar Gjergj Fishtës, dhe të mesazheve të mëdha të shqiptarëve historikisht.

“Në gjithë popullin tonë është ditë feste, për ne sipas Fishtës, Bajram e Pashkë i festojmë bashkë sepse jemi të gjithë vëllezër dhe festojmë me njëri-tjetrin duke uruar gjithë popullin tonë, gjithë njerëzit që festojmë begati paqe rehati mirëkuptim, pajtim paqe dhe gëzim për secilin”, ka thënë ai.

Shqiptarët kanë dhjetëra të shenjtë katolik e ortodoks, që nga Shën- Nënë- Tereza tek Shën Jeronimi, nga (Shën) Konstantini i Madh tek Shën Albani, nga Skënderbeu tek Sami Frashëri e Ibrahim Rugova, nga e cila trashëgimi shqiptarët nuk mund t’i ndajë asnjë besim, asnjë dallim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat