Nëna e Donjeta Pajazitajt: Më shumë është duke më mërzitur drejtësia, që nuk po e dënon vrasësin

Aktuale

Nëna e Donjeta Pajazitajt: Më shumë është duke më mërzitur drejtësia, që nuk po e dënon vrasësin

Më: 7 maj 2022 Në ora: 21:54
Lumnije Pajazitaj

Në nëntor të vitit 2015, qyteti i Deçanit ishte tronditur nga vrasja e Donjeta Pajazitajt.

Ajo ishte privuar nga jeta në bjeshkët e Strellcit në mënyrë mizore, për të cilën vrasje akuzohet kushëriri i saj Naser Pajazitaj. 

Lumnije Pajazitaj tash e 7 vite pret që drejtësia të thotë fjalën e saj për vrasjen e të bijës, Donjetës.

Ajo në emisionin “Betimi për Drejtësi”, tha se mërzia për humbjen e vajzës është e madhe, por u shpreh se dhimbja po i shtohet me faktin që nuk ka një vendim të formës së prerë për atë që i mori jetën të bijës së saj.

“Kjo mërzi e imja është e pamatur, është e rëndë për së tepërmi. Unë si nënë atë ditë e kam përcjell shnosh si vera e me më ardhë në arkivol a ka gjë më kiamet për nënë e për familje të saj. Mërzia nuk hiqet kurrë, ama më fort është duke më mërzitur edhe drejtësia pse nuk po ia japin dënimin e merituar e me i dënu. Kur vepron drejtësia ndaj hasmëve të Donjetës e tonët, atëherë besoj se e ndjej vetën pak më lehtë, pak më e qetë, se që shtatë vjet boll i pata gjashtë javë, ato gjashtë javë mos u harrofshin, le se u zhduk po fjalë jo u martua edhe bash ky i akuzuari vinte jo u martua këtu, jo u martu atje. Gjithë kam thënë ajo ose është e vdekur ose është e kidnapuar”, tha Pajazitaj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, Naser Pajazitaj thuhet se e kishte marrë viktimën me veturë në fshatin Strellc, e kishte dërguar atë në malet e Strellcit, e kishte vrarë me dy plumba dhe për të humbur gjurmët, trupin e saj e kishte mbuluar me disa drunj.

Familja e Donjeta Pajazitajt, lajmin për vdekjen e saj e kishin marrë vetëm pas më shumë se një muaji, kur trupin e saj e kishin gjetur disa kalimtarë të rastit.

Lidhur me këtë rast deri më tani janë shpallur gjashtë aktgjykime, tri nga shkalla e parë, dy nga Gjykata e Apelit dhe një nga Gjykata Supreme, mirëpo procesi për këtë rast akoma nuk ka marrë një epilog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat