As licenca as kontrolle – Shteti nuk ka asnjë mbikëqyrje për biznesin e majmë të botoksit

Aktuale

As licenca as kontrolle – Shteti nuk ka asnjë mbikëqyrje për biznesin e majmë të botoksit

Më: 9 maj 2022 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Trendet botërore të ndryshimit të pamjes shtyjnë shumë kosovarë që të bëjnë ndërhyrje estetike. Biznesi i majm i ndërhyrjeve me botoks në vend ka marrë hov dhe çmimet janë të larta. Përtej asaj që po bëhet biznes me këtë veprimtari, aktualisht e njëjta është komplet jashtë kontrollit. Një hulumtim gjen që këto biznese as nuk i licencon e as nuk i kontrollon Ministria e Shëndetësisë, ani pse ekspertet tregojnë që si veprimtari bie në fushën e shëndetit.

Për më shumë se një javë, Gazeta Insajderi ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, më konkretisht Inspektorati Shëndetësor të kuptojë se sa klinika janë në Kosovë që kryejnë ndërhyrje estetike? Sa prej tyre kanë staf të përgatitur? Sa prej tyre janë të licencuara? Çka ju kërkon shteti për licencim? A ka kontroll rreth asaj se sa i kanë çmimet?

Asnjë përgjigje nuk është pranuar. Ushtruesi i Detyrës së Kryeinspektorit Shëndetësor, Shaban Osmanaj tha se kjo veprimtari nuk mbikëqyret nga Ministria e Shëndetësisë.“Meqenëse institucionet që kryejnë shërbim estetike nuk i nënshtrohen licencimit nga Ministria e Shëndetësisë, atëherë dhe nuk janë objekt i inspektimit nga Inspektorati Shëndetësor”, tha Osmanaj.

Inspektorati Shëndetësor konfirmoi se kanë pranuar ankesa nga klientët për dëmtime shëndetësore pas aplikimit të botoksit nga qendra të ndryshme estetike. Por, që nuk kanë të drejt inspektimi.  

Me reformë shtetërore të fushës së inspektimit, në janar të këtij viti ka hy në fuqi ligji për inspektime, i cili parasheh krijimin e inspektorateve nga ministritë e ndryshme, në kuadër të ministrisë së shëndetësisë ky ligj e kanë parapa krijimin e agjensionit të inspektoratit qendror shëndetësor që do të thotë do të fuzionohet inspektorati shëndetësor farmaceutik dhe sanitar dhe në kuadër të kësaj është paraparë edhe të gjitha fushat e tjera që për momentin nuk janë të mbuluara që i bie edhe qendrat estetike me qëllim terapeutik, që do të jenë në kuadër të këtij agjensioni”, tha Osmanaj.

Media, ka pranuar një përgjigje nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Konfirmojë se 522 binzense janë të regjistruara që kryjnë tretmane të tilla. Duke mos dhënë detaje të tjera. Sepse sipas tyre nuk është nën kompetencën e tyre.

“Biznese aktive me aktivitetin e mirëmbajtjes trupore janë gjithsejtë 522 biznese”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MINT.

Bazuar në legjislacionin në procedurat invazive dhe implantet e produkteve të ndryshme në organizëm mund të kryhen vetëm nga specialistët e Mjekësisë.Arsyeje e mos rregullimit me ligj të kësaj veprimtarie të ndjeshme, po del të jetë edhe ndryshimi i shpeshtë i pushtetit. Kështu të paktën tha, kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.

Kjo lëmi nuk është e rregulluar me ligj dhe është shumë kaotike. Fatkeqësisht për shkak të ndryshimeve të shpeshta politike në Ministri të Shëndetësisë ky ligj ende nuk ka mbërri në Kuvend. Tani jemi prapë në procedurë të njëjtë të plotësim-ndryshimit të këtij ligji ku ky nen prapë do të vendoset në ligj”, tha Sejdiu.

Sejdiu përmend tri profile të cilat mund të kryejnë ndërhyrje estetike.

“Vitin e kaluar, gjatë plotësim-ndryshimit të ligjit të shëndetësisë, OMK ka propozuar nen të veçantë përmes së cilit do rregullohet kjo veprimtari. Anëtarët e komisionit e kanë pranuar propozimin tonë ku këto proceduara do jenë të autorizuar të i bëjnë vetëm kirurget maxilofacial, dermatologët dhe kirurgët plastik”, ka deklaruar kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës.  

Se puna e këtyre qendrave e klinikave estetike nuk po mbikëqyret nga askush e konfirmojnë edhe nga Inspektorati Shëndetësor, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Meqenëse institucionet që kryejnë shërbim estetike nuk i nënshtrohen licencimit nga Ministria e Shëndetësisë, atëherë dhe nuk janë objekt i inspektimit nga Inspektorati Shëndetësor”, tha Shaban Osmanaj, zëvendësues i Detyrës së kryeinspektorit Shëndetësor.

Gazeta Insajderi për problematikën e këtij ligji foli edhe me anëtarin e komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Armend Zemajn. Tregojë për sugjerimet që ka bërë.“Në ligjin e ri për Shëndetësi, të cilen e kam propozuar në emër të deputeteve nënshkrues rregullohet edhe kjo fushë në mënyrën se si duhet të rregullohet si procedurë që siguron që vetëm profesionist të këtyre lëmive mund të ofrojnë këtë shërbim të rëndësishëm jo vetëm për estetiken por edhe ruajtjen e shëndetit të pacientit- qytetarit”, tha Zemaj.

Zemaj tha se presin përgjigje pozitive nga Qeveria respektivisht Ministria e Shëndetësisë që ky ligj të gjejë përkrahje.

“Para dy jave është dërguar për mendim në Qeveri, nuk ka ndonjë reagim specifik pasi shumë mangësi eliminohen dhe disa avancohen. Presim që Qeveria dhe MSH të kthej përgjigje pozitive. Përndryshe ne vazhdojmë me procedure kuvendare, sigurisht na duhet edhe përkrahja e shumicës”, paralajmëroi ai.

Nise ditën me një transformim të bukur të hundës e buzëve”, kjo është njëra prej mënyrave që kompanitë po i joshin klientët e tyre për të aplikuar botoks. Por, a e keni menduar se mund të ju kushtojë, të ‘dukeni bukur’?

Derisa kjo fushë të rregullohet me ligj, kjo veprimtari po gjenë zbatim edhe nëpër Sallonet e Ondulimit në Kosovë.

Këtë e tha edhe specializantja e Dermatologjisë, Dafina Krasniqi e gazetari i fushës së shëndetësisë, Bujar Vitija.

Krasniqi foli për rrezikun që paraqesin këto tretmane kur kryhet nga njerëz jo profesionist. Ajo ka edhe një thirrje.

“Aplikimet e botoksit dhe mbushjes tani më ofrohen në shumë qendra estetike, madje ka raste që për këto shërbime ka edhe oferta me çmim më të ulët. Andaj apeloj tek ata njerëz që dëshirojnë me apliku këto trajtime të bëjnë kujdes me trupin e tyre dhe të drejtohen tek njerëzit adekuat, ata që kanë të bëjnë me profesionin e mjekut jo tek sallonet e ondulimit”, ka thënë Krasniqi.

E licencuar të merret me estetikë tash e katër vite, Krasniqi tregon se cilat janë pasojat potenciale kur procesi i aplikimit të botoksit apo fillerit kryhet nga jo profesionistët.

“Kur proceset e aplikimit të botox apo mbushjeve tjera aplikohen nga njerëzit jo adekuat pasojat munden me qenë të mëdha. Ato kanë efekte anësore minimale dhe ndodhin në një në pesë pacientë”, sqaron specializantja.

Këto janë rreziqet që kanoset nga aplikimi i botoksit prej njerëz jo profesionist

Doktoresha Krasniqi flet për rreziqet.

“Rreziqet më të zakonshme përfshijnë: Ënjtje, mavijosje ose skuqje kruarje. Pamje e padëshiruar për syrin e njeriut si korrigjimi i tepërt i rrudhave apo gjithçka qe qon tek një ndryshim i madh. Qelizat e vdekura të lëkurës për shkak të rrjedhjes minimale të gjakut në zonën e trajtuar. Dëmtimi i lëkurës që mund të çojë në infeksion, plagë Shikim i turbullt”, tha ajo teksa bën thirrje për kujdes të shtuar.

Se ‘frizerkat’ po kryejnë ndërhyrje estetike e thotë edhe gazetari i fushës së shëndetësisë, Bujar Vitija.“Ndërhyrjet estetike janë shqetësuese për faktin sepse jo gjithmonë kryhen nga profesionisti adekuat. Ne në Gazetën Shneta kemi raportuar më parë për intervenime me fillera edhe në Sallonet e Ondulimit ose ‘frizerkat’. Kjo është shqetësuese dhe e rrezikshme”, tha gazetari.

Vtiija përmend edhe një problematik tjetër.

“Por ka edhe ndërhyrje tjera, psh dentistët merren me kirurgji që nuk janë të thirrur për këtë punë, ndërsa kirurgët plastik dhe dermatologët trajtojnë shumë pacientë për çështje estetike që në disa raste edhe mund të rrezikohet shëndeti i pacientëve”, shprehet i shqetësuar Vitija.

Pikërisht për mashtrime të tilla, për njerëz që kryejnë shërbime shëndetësore pa qenë të licencuar, në muajin mars, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Administratën Tatimore, realizuan një bastisje në ordinancën private “Vatan Med”.

Për rastin sqarime dha gazetari Vitija përderisa po fliste me shqetësim për ndërhyrjet estetike që po kryhen nga njerëz të pa licencuar.

“Edhe mbjellja e flokëve është një prej çështjeve shqetësuese në këtë mes. Rasti më i freskët është klinika VatanMed e cila u zbulua nga Inspektorati Shëndetësor se kishte sjellë njerëz nga Turqia kinse profesionistë por që asnjë prej tyre nuk ishin të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Vitija.

Vitija thotë se ordinancat, klinikat dhe spitalet që janë të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë duhet të mbikëqyren direkt nga Inspektorati Shëndetësor.

Ndonëse nga Inspektorati Shëndetësor deklaruar që nuk është nën kompetencë të tyre mbikëqyrja e ndërhyrjeve estetike. Vitija thotë se këta të fundit duhet të jenë të vëmendshëm për këtë veprimtari.

“Inspektorati Shëndetësor, sigurisht se duhet të mbikëqyr edhe institucionet që nuk janë të licencuara, por kryejnë shërbime shëndetësore. Botox, filler, mbjellja e flokëve, dhe metoda tjera estetike duhet të konsiderohen si shërbime mjekësore dhe prandaj duhet të jenë objekt i Inspektoratit Shëndetësor”, potencoi ai.

“Sepse në të kundërt kush kërkon dhe kush jep përgjegjësi psh në rastet kur një profesionist i huaj kryen shërbime të ngjashme e nuk është fare i licencuar. Në rast të ndonjë gabimi apo dëmtimi të pacientit, kush e merr përgjegjësinë? Profesionisti lirisht mund të ik nga vendi dhe të mos marr asnjë përgjegjësi ndaj pacientit. Ka ndodhur ngjashëm në të kaluarën. Ministria e Shëndetësisë sigurisht se duhet t’i shtoj kapacitetet e Inspektoratit Shëndetësor, jo vetëm për këtë çështje por edhe për të tjera”, ka deklaruar Vitija.

Gazetari Vitija thotë se numri i inspektorëve është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha institucionet e licencuara shëndetësore, e aq më pak edhe ato të pa licencuara ose që kryejnë shërbime në kundërshtim me ligjin.

Ligji i ri i aprovuar në Kuvendin e Kosovës me datë 18.01 2022 që parasheh dhe inspektimet e preparative vitaminoze, dietale dhe kozmetike me veprim terapeutik, është në fazën e krijimit të bazës ligjore ndihmese për të rregulluar edhe këtë fushë inspektuese.

Por, çfarë është saktësisht botoksi?

Botoksi si produkt farmaceutik është miratuar nga FDA, Administrata e Ushqimit dhe Barnave, në vitin 2002. Gjatë viteve 1997-2006 u raportua për rreth 16 raportuan vdekje për shkak përdorimit të këtij produkti.

Botoksi i lëngshëm prodhohet në laborator dhe merret nga një bakter i quajtur “Clostridium botulinum”.

Lëngu (botoksi) injektohet në muskujt e vegjël të fytyrës, mbetet në atë zonë dhe nuk lëviz në zona të tjera të trupit dhe efektet gradualisht tentojnë të zbehen natyrshëm gjatë një periudhe prej tre deri në gjashtë muaj.

Efektet anësore të përdorimit të botoksit janë: Dobësi muskulore, probleme me shikimin, probleme me të folurin ose gëlltitjen, probleme me frymëmarrjen edhe humbja e kontrollit të fshikëzës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat