Rasti i Martin Berishaj/ Pse nuk u shkarkua e as nuk iu kërkua dorëheqja Ambasadorit?

Aktuale

Rasti i Martin Berishaj/ Pse nuk u shkarkua e as nuk iu kërkua dorëheqja Ambasadorit?

Më: 11 maj 2022 Në ora: 19:22
Martin Berishaj

Kosova jo rrallë herë në sytë e mediave ndërkombëtare po bëhet lajm.

Së fundi mediat sllovene kanë raportuar për një “mega skandal financiar”, në të cilin është përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Mediat atje kanë raportuar se i njëjti ka transferuar rreth 600 mijë euro nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Paraprakisht, mjetet financiare, kompania MB Consulting, në pronësi të Berishajt, i kishte pranuar nga një kompani energjetike serbe, GEN.

Me të bërë bujë ky lajm, opozita në Kosovë kërkoi menjëherë shkarkimin ose edhe dorëheqjen e tij.

Por, në mbrojte të tij dolën presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Atë e mbrojti edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Ndërsa, akuzat ndaj tij, i kishte mohuar vet Berishaj.

Ai kishte shkruar se do ta padisë mediumin slloven, për siç ka thënë se padia e tij do të hapë rrugë për fjalën e fundit të gjykatës.

Për shumë ditë nga Qeveria nuk u deklaruan për këtë çështje.

Ishte zëdhënësi i këtij dikasteri, Përparim Kryeziu i cili tha se do t’i presin provat për këtë çështje.

Në media, është raportuar se Berishaj i ka fshehur edhe tri bizneset e tij duke bërë fshehje në deklarimin e pasurisë.

Në formularin e pasurisë pranë Agjencisë Kundër-Korrupsion (AKK), ambasadori Berishaj e ka fshehur edhe pronësinë e tij mbi “MB Consulting”, kompaninë private në Mal të Zi, e cila është përfshirë në transferet e dyshimta të parave tek një politikan slloven.

Në deklarimin e pasurisë në AKK, ambasadori Berishaj ka fshehur aksionet të cilat i posedon edhe në dy kompanitë në Kosovë: Myloja LLC dhe Zaslon Kosova.

Kjo ka bërë që Agjencia Kundër Korrupsion të nisë hetimet për verifikimin e pasurisë së Berishajt.

Media për këtë çështje se deri ku kanë arritur procedurat ka kërkuar përgjigje edhe në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Drejtori i këtij institucioni Ylli Buleshkaj, ka deklaruar se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim.

“Nuk ka asgjë të re, jemi duke i mbledhë informatat në lidhje me këtë”, është shprehur ai.

Kurse, gjatë ditës së djeshme ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gervalla është deklaruar edhe njëherë lidhur me këtë rast.

Ajo deklaroi se që nga fillimi nuk kanë pasur asnjë arsye që të dyshojnë në deklaratën e Berishajt.

“Unë e kam lexuar dhe e kam ditur edhe më herët qëndrimin e Malit të Zi rreth ambasadorit Berishaj, sepse vendimin për të qëndruar në krah të ambasadorit Berishaj nuk e kemi marrë “apriori”. Por, e kemi marrë duke u bazuar edhe në informacione të shteteve të ndryshme. Prandaj, gëzohem që hap pas hapi edhe opinioni që ka parë një fushatë të jashtëzakonshme denigruese ndaj ambasadorit do të ndërgjegjësohet që vetëm ka qenë e tillë”, ka thënë ajo.

Por, si është dashur të veprojë shtetit i Kosovës, në lidhje me rastin e ambasadorit Martin Berishaj, kanë folur njohës të drejtësisë dhe ish-ministra të Jashtëm.

Ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni, pa dashur të komentojë këtë rast ka thënë se nuk ka informacione të plota dhe se nuk ka çfarë të thotë për këtë.

“Nuk jap komente në këto çështje, është çështje të cilën unë nuk kam informacione të plota dhe nuk dua të flas për këtë rast”, është shprehur Hyseni.

Ndërsa, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka deklaruar se derisa një shtet zbaton qoftë edhe standardet minimale të sundimit të ligjit do të duhej të kërkonte dorëheqjen e ambasadorit apo edhe shkarkimin e tij.

“Një shtet që zbaton standardet minimale të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e ambasadorit në fjalë, gjithnjë me qëllim të ruajtjes së integritetit dhe kredibilitetit të shërbimit të jashtëm të republikës së Kosovës,  raporteve miqësore me shtetet mike si Kroacia dhe Sllovenia, do të duhej të kërkonte dorëheqjen e ambasadorit apo edhe shkarkimin e të njëjtit”, është shprehur Miftaraj.

Sipas tij, Qeveria duhet të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë stafin diplomatik.

“Një veprim i tillë do të shihej edhe si standard i mirë ku qeveria trajton në mënyrë të barabartë të gjithë stafin diplomatik që ka nëpër botë, dhe kundër kulturës së pandëshkueshmërisë”, ka thënë ai.

Për rastin e ambasadorit, Berisha, ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme se cilat do të jenë veprimet që do t’i ndërmarrin e po ashtu edhe nga Presidenca, por të njëjtit që nga java e kaluar nuk kanë kthyer përgjigje.

Për këtë çështje media ka pyetur edhe pothuajse të gjithë ish-ministrat e Jashtëm por asnjëri prej tyre nuk janë deklaruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat