Shpejtim Bulliqi ia lyp 15 mijë euro Valon Sylës, e paditë për fyerje

Aktuale

Shpejtim Bulliqi ia lyp 15 mijë euro Valon Sylës, e paditë për fyerje

Më: 11 maj 2022 Në ora: 21:30
Shpejtim Bulliqi dhe Valon Syla

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka paditur për shpifje dhe fyerje gazetarin Valon Syla, duke kërkuar 15 mijë euro kompensim nga ai si dhe ka propozuar caktimin e masës së sigurisë.

Përfaqësuesi i Bulliqit, avokati Valmir Zhjeqi, të mërkurë gjatë seancës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka thënë se padia e paraqitur në gjykatë është paraqitur në afat kohorë.

Avokati Zhjeqi ka thënë se gazetari Syla ka bërë disa deklarata nënçmuese dhe shpifëse të vazhdueshme, plotësisht të pavërteta ndaj Bulliqit në emisionin “Pressing” në në radio televizionin “T7”  më 09,13,18 tetor 2021, ku sipas tij, ka thënë se “Bulliqi ia ka vjedhur fëmijëve bojën e shkollës”.

Zhjeqi tutje ka theksuar se këto fjalë i kanë shkaktuar kryetarit Bulliqi, dhimbje të rënda shpirtërore të cilat e kanë dëmtuar në aspektin moral paditësin dhe i kanë cenuar autoritetin, e për çka është e domosdoshme caktimi i masës së sigurisë.

Në anën tjetër përfaqësuesja e të paditurit Syla, Jehona Gjergji ka thënë se përveç që padia e Bulliqit është e pasafatëshme dhe e paraafatëshme.

Përfaqësuesja Gjergji ka shtuar se Syla nuk mund të mbahet përgjegjës pasi që të ekzistojë shpifja duhet të përmbushet edhe elementi subjektiv. “Pra, kjo do të thotë se Syla do duhej të ishte në dijeni që deklaratat e tij përbejnë shpifje e kjo pohohet në mënyrë indirekte edhe nga deklarata e Bulliqit në padi”, ka thënë ajo, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Dren Rogova në këtë  seance ka bërë shikimin dhe dëgjimin e CD-së së dorëzuar nga avokati Zhjeqi, provë kjo që ka përmbajtur video-incizimet, shkrime, postimet në “Facebook” të të paditurit Syla ndaj paditësit Bulliqi.

Sipas precizimit të padisë së 10 shkurt 2022, kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi ka rregulluar padinë në kuptimin objektiv për nga lartësia duke e kërkuar 15,000.00 euro nga gazetari Valon Syla për shpifje dhe fyerje me kamatë 8% nga data e parashtrimit të padisë dhe po ashtu ka kërkuar shpenzimet e procedurës.

Ndryshe sipas padisë së datës 21 janar 2022 thuhet se me datë 09 dhe 13 tetor 2022 i padituri Syla në emisionin “Pressing” në radio televizionin “T7” ka deklaruar se “ paditësi ua ka vjedhur fëmijëve bojën e shkollës” po ashtu duke iu referuar me fjalët “mashtrues me demarkacion…”.

Në padi thuhet se po ashtu i padituri Syla fyerjet dhe shpifjet kundër paditësit Bulliqi i ka vazhduar edhe në rrjetin social “Facebook” me fjalët “hajduk, mashtrues, uzurpator”.

Mbi këtë bazë sipas padisë, Bulliqi ka kërkuar që t’i aprovohet padia dhe kërkesëpadia e tij ashtu që në emër të cenimit të autoritetit dhe në emër të shkaktimit të dhimbjes shpirtërore t’i paguhet shuma që do të caktohet në bazë të ekspertizës dhe t’ia paguaj paditësit edhe shpenzimet e procedurës.

Tutje më 15 shkurt 2022 propozuesi Bulliqi ka bërë propozimin për caktimin e masës së sigurisë ka kërkuar nga gjykata që ta urdhëroj kundërpropozuesin Syla që t’i ndaloj të gjitha fyerjet dhe shpifjet të  drejtuara ndaj Bulliqit

Po ashtu Bulliqi ka kërkuar përmes parashtresës që Syla të bëjë edhe kërkim falje publike në të gjitha mjetet e informimit dhe rrjetet sociale lidhur me të gjitha shpifjet dhe fyerjet të cilat i ka bërë dhe të njëjtat t’i demantoj në tërësi dhe atë menjëherë nga data e lëshimit të urdhëresës gjyqësore.

Ndërsa sipas përgjigjes në padi të datës 15 prill 2022, Syla ka kërkuar nga gjykata që ta hedhë poshtë si të pasafatëshme padinë e paditësit Bulliqi dhe i njëjti t’ia kompensojë shpenzimet procedurale e po ashtu ta refuzoj edhe propozimin Bulliqit për caktimin e masës së sigurisë.

Sipas përgjigjes në padi padia është e pasafatëshme pasi që sipas Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes par.1 të nenin 17 “Afati për paraqitjen e një kërkese për kompensim në bazë të këtij ligji është tre muaj”. Gjithashtu edhe konsiderohet e parakohëshme pasi që paditësi nuk i ka shteruar mjetet juridike në dispozicion para ushtrimit të padisë.

Po ashtu sipas përgjigjes në padi, Syla gëzon të drejtën për të mbrojtur burimet e informacionit  sipas Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat