Konjufca për ambasadorin Berishaj: Përgjegjësia për fajësinë e tij do më prekte edhe mua

Aktuale

Konjufca për ambasadorin Berishaj: Përgjegjësia për fajësinë e tij do më prekte edhe mua

Më: 12 maj 2022 Në ora: 21:24
Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfuca, ka thënë se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nuk do të shkarkohet deri në momentin kur të vërtetohet fajësia. Ai e konsideron lajmin që doli nga një medium slloven si të motivuar politikisht.

Emri i Berishajt u përmend në një skandal të madh financiar në Slloveni, ndërsa llogaritë e tij janë bllokuar në Mal të Zi. Konjufca thotë se shteti duhet të jetë i kujdesshëm në këtë rast.

“Mendoj që sa i përket dorëheqjes morale, i përket individit. Sa i përket masave të shtetit ndaj individit duhet të jemi të kujdesshëm. Ajo erdhi si pretendim për skandal të një mediumi që kishte histori për afërsi me një subjekt i cili po kërkonte të godiste subjektin tjetër disa orë para zgjedhjeve. Ai medium flitej edhe si i afërt me Putinin. Edhe përkundër asaj tentim goditje. Sllovenet e kuptuan lojën dhe ia dhanë votën Golobit me një diferencë të madhe”, tha ai në RTK.

“Tash shteti duhet të dijë nga ndodhi kjo. Kjo ndodhi në Mal të Zi mes një kompanie ku flitej emri i zotëri Berishajt dhe me Slloveninë ku flitej emri i asaj kompanie, GEN-i. Nëse diçka ka të vërtetë. Zonja Gërvalla do ta shkarkonte Berishajn, por nëse ti bën diçka vetëm se një medium tha diçka për zgjedhje e ti ke marrë veprim. Por pastaj del që ishte e pavërtetë mendoj se do të ishte skandal edhe më i madh se ai paraprak”, shtoi ai.

Konjufca deklaroi se përgjegjësia për fajësinë e mundshme të Berishajt do të prekte edhe instancat shtetërore dhe atë vet.

“Mendoj se kur largohet një ambasador prej pozicionit, atëherë nuk ka kuptim që ai të kthehet. Nuk është veprim i një shteti serioz. Nëse del fajtor, përgjegjësia shkon deri tek instancat shtetërore. Ajo më prek edhe mua. Zotëri Berishajn e njohim të gjithë në një masë të caktuar. Duke e njohur si personalitet të tillë, si e njohin edhe mijëra qytetarë të Kosovës, ne e kemi vendosur sikur ambasador. Dhe atij i ndodh me një shtet tjetër diçka që po e konsiderojmë si “skandal”. Cfare përgjegjësie më prek mua? Më prek se ajo se nuk e kam njohur më mirë. Agjencia Anti-Korrupsion na ka treguar se po merret me të. Prej aty do të marrim hapat. Por që të veprojë shteti paraprakisht me një shkrim të mediumit është gabim. E sa i përket zotëri Golob. Mendoj se është përmendur gabimisht shumë herë nga mediet tona pa nevojë. E kjo mund të dëmtojë raportet tona me Slloveninë”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat