Xani: Nuk do të ketë marrëveshje në takimin e sotëm në Bruksel, përafrim po

Aktuale

Xani: Nuk do të ketë marrëveshje në takimin e sotëm në Bruksel, përafrim po

Më: 13 maj 2022 Në ora: 18:32
Visar Xani

Sot në Bruksel janë duke zhvilluar një takim kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq për çështjen e targave të automjeteve.

Nohësi i procesit të dialogut, Visar Xani tha se nuk pret që në takimin e sotëm në Bruksel të ketë marrëveshje.

Sipas tij, nga ky takim mund të ketë përafrim, por jo shumë avancime sa i përket çështjeve teknike.

“Nuk pres në takimin e sotëm që do të ketë marrëveshje, do të ketë përafrim, por jo shumë avancime sa i përket çështjeve teknike. Më shumë ka të bëjë me vullnete dhe praktika, të cilat vendet janë gati të zbatojnë këtë marrëveshje mbase mund të jetë edhe një shtytje takimi i Berlinit që të paktën të ketë një lloj përafrimi”, ka thënë ai.

Xani thotë se nëse kryenegociatorët pajtohen sot për të njohin targat njëri-tjetrit, nuk do ta bëjnë publike këtë, pasi sipas tij, Kurti e Vuçiqi e presin momentin e caktuar që me një konferencë madhore të deklarohen.

“Ndërsa, jam i sigurt se nëse kryenegociatorët pajtohen sot që të njohin targat njëri-tjetrit nuk e bëjnë publike, për shkak që të dy liderët e mëdhenj nëse mund t’i quaj, pretendojnë që me ardh duke përfshirë edhe BE-në që e konsiderojnë dialogun promovim për politikën e jashtme të tyre e presin momentin e caktuar, që me një konferencë madhore të deklarohet edhe zbatimi i këtyre marrëveshjeve”, tha më tej ai.

Po ashtu, Xani thotë se duke pasur parasysh të kaluarën dhe elementet politike të të dyja vendeve nuk sheh ndonjë marrëveshje të paktën sot për sot.

“Por nuk e di cili do të jetë kompromisi i Kosovës në këtë rast nëse pranohet marrëveshja prej palës serbe që veturat që të kalojnë dhe qarkullojnë lirshëm nëpër Serbi, por duke pas parasysh të kaluarën, diskursin dhe elementet e të gjitha lëvizjeve politike të të dyja vendeve, nuk shoh ndonjë marrëveshje të paktën sot për sot”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat