Xani: Marrëveshja për pranimin e targave të Kosovës do të ishte hapi final për njohjen e ndërsjellë

Aktuale

Xani: Marrëveshja për pranimin e targave të Kosovës do të ishte hapi final për njohjen e ndërsjellë

Më: 13 maj 2022 Në ora: 18:56
Ilustrim

Njohësi i procesit të dialogut, Visar Xani, tha se nëse arrihet marrëveshja për targat mes Prishtinës e Beogradit, do të ishte parapërgatitje për njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia.

Xani tha se Serbia vazhdimisht ka akuzuar Kosovën se po pengon zbatimin e marrëveshjes.

“Nëse ne e kemi një pajtueshmëri, dhe e kemi një marrëveshje finale që do të jenë targat e Kosovës të kalojnë kufirin dhe të futen në Serbi, kjo automatikisht i bie që është hapi final për njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia. Vazhdimisht Kosova është e dëmtuar në aspekt të zbatimit të marrëveshjeve, ndërsa Serbia të njëjtën kohë mundohet ta përdorë politikisht duke e akuzuar Kosovën se po e pengon zbatimin e marrëveshjes”, tha ai.

Teksa tutje, Xani foli edhe për takimin e mbajtur sot në Bruksel nga dy kryenegociatorët, atij të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç.

Sipas tij, takime të tilla duhet të mbahen më shpesh pasi që e lehtësojnë më shumë dialogun.

Mirëpo, kësaj herë Xani tha se duhet të arrihet një marrëveshje finale, jo e përkohshme siç kanë vepruar edhe më parë.

“Nuk pres sot ndonjë marrëveshje konkrete, unë konsideroj që takimet e tilla duhet të jenë më të shpeshta, sepse e lehtëson shumë dialogun. Qëllimi i dialogut dhe diskutimit është që të arrihet marrëveshje finale, jo marrëveshje të përkohshme, sepse më herët nuk kanë dhënë rezultat. Dhe kjo nuk është një sinjal i mirë, edhe për Bashkësitë Ndërkombëtare por edhe për vendet tjera, sepse nuk shohin seriozitet të qëndrueshëm të palëve për zbatim të marrëveshjes”, tha tutje ai.

Mes tjerash, ai tha se Serbia ka qenë më aktive në këtë proces, ndërsa kur diçka nuk i ka konvenuar, lehtësisht e ka bllokuar dialogun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat