Deputeti Abrashi nuk e njeh shkrimtarin që u largua nga Lëvizja Vetëvendosje

Aktuale

Deputeti Abrashi nuk e njeh shkrimtarin që u largua nga Lëvizja Vetëvendosje

Më: 17 maj 2022 Në ora: 00:19
Foto ilustrim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi u pyet për largimin e shkrimtarit Adem Gashi nga kjo parti.

Por Abrashi pohoi se nuk i kujtohet se kush është Gashi, i cili sot njoftoi se po largohej nga kjo parti pas katër vjetësh.

“Unë për besë tash po e dëgjoj për herë të parë këtë. Nuk e kam dëgjuar, prandaj nuk e di se si ta komentoj. Adem Gashi?”, ka thënë Abrashi.

“Për momentin jo. Nuk po më kujtohet. Shiko, Lëvizja Vetëvendosje tash është subjekti më i madh politik në vend. Nëse nuk gaboj, i kemi diku mbi 51 mijë anëtarë dhe besoni që kësi rasti është thuajse teknikisht e pamundur që edhe t’i njoh të gjithë porse edhe ta konfirmoj vërtetësinë apo pavërtetësinë e një lajmi të tillë”.

Megjithatë, në fund, Abrashi tha se të gjithë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje janë të rëndësishëm, pavarësisht se a i njeh ai apo jo.

Gashi, i cili u intervistua pak minuta më vonë po nga Edicioni Special në Klan Kosova, u përgjigj me shumë sportivitet, kur iu kumtua se Abrashi s’e kishte njohur.

Megjithatë, ai tha se fakti se një deputet i partisë ku ishte tash e disa vite pohon se s’e njeh e bën të kuptojë se nuk duhet të jetë më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kur ti e sheh se edhe një pjesë elite e njerëzve të kësaj partie nuk e dinë se kush është Adem Gashi, pse duhet të jem unë aty? Unë e njoh [Artan] Abrashin edhe e kam përcjellë dhe i di qëndrimet e tij publike. Nuk do ta thoja këtë për asnjë aktivist të Vetëvendosjes. Nuk më lëndon asnjë grimë qëndrimi i tij”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat