Albana Bytyqi mirëpret vendimin për tarifat e shtrenjta të rrymës, kërkon që qytetarët të kompensohen

Aktuale

Albana Bytyqi mirëpret vendimin për tarifat e shtrenjta të rrymës, kërkon që qytetarët të kompensohen

Më: 18 maj 2022 Në ora: 17:46
Albana Bytyqi

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës së Apelit që vërtetoi vendimin e Themelores për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Përmes një postimi në Facebook, Bytyqi e cilësoi këtrë vendim si “lajm të mirë”, teksa u shpreh optimiste se qytetarët do të kompensohen pasi që kanë paguar energjinë elektrike me tarifat larta, shkruan teve1.info.

“Lajm shumë i mirë vendimi i Gjykatës së Apelit për anulimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike, që dëmtoi financiarisht shumë familje. Ne si Aleancë e kemi kundërshtuar fuqishëm rritjen e energjisë dhe shpresojmë që ngarkesa financiare që iu bë qytetarëve tanë nga çmimet e pa përballueshme t’ju kompenzohet sa më shpejtë!”, shkroi ajo.

Ndryshe, Gjykata e Apelit ka vërtetuar sot vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji, duke refuzuar kështu ankesën e këtij institucioni si të pabazuar.

I gjithë procesi në Gjykatë nisi pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës dëmton qytetarët e vendit.

Kështu, më 9 prill, Gjykata mori vendim për pezullim, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat