Për çfarë lufte po bën thirrje Ramush Haradinaj?! / Në veri po sulmohet me bomba policia!

Aktuale

Për çfarë lufte po bën thirrje Ramush Haradinaj?! / Në veri po sulmohet me bomba policia!

Nga: Idriz Morina Më: 18 maj 2022 Në ora: 19:55
Foto ilustrim: Ramush Haradinaj

Dy kërcënime me bomba brenda 24 orësh. Ende për asnjërën nuk ka ndonjë raportim, se kush mund të jenë përgjegjësit.

Të martën u alarmua Rektorati i UP-së, dhe për disa orë, policia u mor me kontrollimin e objektit, së bashku me njësinë e specializuar për deminim. E njëjta gjë ndodhi sot, në shkollën “Xhevdet Doda”, gjimnazin matematikor.

Pra, që të dyja kërcënimet – paralajmëruese ose të rrejshme, ishin të drejtuara ndaj institucioneve, përkatësisht shkollave të dijes.

Në turbullirën, aktuale, fusin duart të gjithë. Të parat të dyshuara janë shërbimet armiqësore: 1. Nga Serbia; 2. Nga Rusia..., për të mos vazhduar me listim të mëtejshëm.

Image
Pamje nga situata pas kërcënimit me bombë në Rektoratin e UP-së

Ndërkohë, që në 24 orët e fundit pritej shpallja e vendimit të gjykatës speciale për Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin, që të dy u gjetën fajtor, pasi u provua nga Prokuroria se kanë bërë përpjekje të hapura kundër drejtësisë, pengimit, frikësimit të dëshmitarëve dhe në mënyra të tjera.

Eliminimi nga “peshqit e mëdhenj”

Prokuroria sipas gjykatës nuk ka gjetur prova për hakmarrje ndaj dëshmitarëve. Pra, këta dy të dënuarit me nga 4.5 vjet burg, nuk u gjetën fajtor për raste të atilla.

Por, a kanë ndodhur në të kaluarën!?

Me shumë gjasë këto gjëra kanë ndodhur që nga fillimi. Nga cili fillim?

Që kur janë kryer vrasjet e para politike, gjithmonë si duket, porositësit janë mësuar apo këshilluar, që në ndërkohë, me aq sa munden t’i vrasin edhe dorasit. Këta, megjithëse duhej të dënoheshin nga drejtësia, shumë prej tyre mund të ishin dëshmitarë kyç për të nxjerrë para drejtësisë porositësit, “peshqit e mëdhenj”.

Image
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, të dënuar sot nga gjykata speciale

Përtej, këtyre ‘dëshmitarëve’, janë dëshmitarët që rastësisht kanë qëlluar në vendin e krimit. Në disa raste ata janë ekzekutuar menjëherë, pavarësisht nëse vrasja politike apo e ndonjë natyre tjetër, por pa gjyq ushtarak, dhe në disa raste janë vrarë më vonë, ata dëshmitarë që kanë pasur guxim të rrëfejnë atë që kanë parë. Një numër i vogël janë dëshmitarë që kanë shpëtuar për arsye të ndryshme.

Në mesin e atyre dëshmitarëve që konsiderohen se janë vrarë se mund të kishin rrëfyer për vrasjet apo krimet politike apo edhe të ndonjë natyre tjetër, pas funksionalizimit të gjykatës speciale, besohet se janë, inspektori i pyjeve Nazmi Rrustemi nga fshati Keçekollë i Prishtinës, i ekzekutuar në muajin dhjetor të vitit 2019, pastaj Qerim Kelmendi, i ekzekutuar në afërsi të shtëpisë së tij, në fshatin Zahaq të Pejës, në shkurt të vitit 2020. Për rastin e parë janë deklaruar edhe familjarët se ai ishte dëshmitar i gjykatës, ndërsa për rastin e dytë burime të tjera janë shprehur.

Qerim Kelmendi ishte i njohur si figurë që edhe pas vdekjes së Rugovës vazhdonte ta urrente, aq sa edhe kur Nasim Haradinaj e akuzoi Rugovën për tradhti, ky i pat dalur në mbrojtje, duke e fyer për së vdekuri Presidentin. Por, së bashku me vëllain Ibrahim Kelmendin, ishin kundërshtarë të Hashim Thaçit, madje I. Kelmendi, bën pjesë tek ata që kanë shkruar më së shumti me argumente kundër veprimeve të caktuara të ish-presidentit Thaçi dhe grupit të tij.

Po ashtu ka edhe raste të tjera për të cilat besohet se janë vrarë dëshmitarë të gjykatës speciale.

Pse shqetësohet Ramush Haradinaj nga drejtësia?

Në ndërkohë, sot i ka dalur në mbrojtje, madje me një zotim të fuqishëm Ramush Haradinaj kushëririt të tij Nasim Haradinajt.

“... Bashkëluftëtarë Hysni e Nasim, qëndroni të fortë. Lufta për liri e shtet vazhdon!”, ka dhënë këtë mesazh në fund Haradinaj, të një shënimi më të gjatë në Fb dhe të përcjellur nga mediat.

Është paksa i habitshëm ky reagim, pasi nuk kanë pasur thuajse rrallë raporte të afërta apo aq të mira ndërmjet vete. Nasim Haradinaj është pjesë e PDK-së, zyrtarët e së cilës, përkatësisht drejtuesit e partisë nuk kanë bërë ndonjë deklaratë të ashpër kundër gjykatës, me përjashtim të ndonjë deputeti apo ndonjë deklarimi vetjak.

Pra, Ramush Haradinaj, nuk po e pranon hetimin e kryer nga specialja, përkundër sigurimit të një procesi të drejtë dhe transparent, sipas kryeprokurorit të saj, amerikanit Xhek Smith.

Pra, Ramushi proamerikan, që sapo është kthyer nga SHBA-të, po e refuzon drejtësinë amerikane.

Por, më keq akoma, me këto qëndrime Ramush Haradinaj, me thirrjen e tij për ‘drejtësi’ kundër drejtësisë në Hagë, po bën thirrje për:

1. refuzimin e saj

2. po e mbështet si të drejtë frikësimin dhe kërcënimin e dëshmitarëve dhe

3. po e inkurajon veprimin e çdo forme kundër gjykatës speciale.

Ramush Haradinaj, pikërisht nga drejtësia e ofruar e atij niveli, si e speciales është liruar nga akuzat e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi.

Po ashtu ai e din, se pikërisht tre veta duke u përpjekur sikurse Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, janë dënuar për pengim të drejtësisë dhe zbulim të sekretit të dëshmitarëve, në favor të tij.

Pra, Ramushi po vepron në kundërshtim me përvojën e vet të dyfishtë. Ramushi mund të kontestonte e shumta kohëzgjatjen e dënimit, por pa kërcënimin për luftë.

Mesazhet e Prokurorisë së gjykatës speciale

Por, prokurori Smith thekson se do të hetojë dhe ndjek penalisht, të gjithë ata që ia mësyjnë dëshmitarëve të kësaj gjykate, sepse hakmarrja ndaj dëshmitarëve “ është krim shumë i rëndë që godet në zemër drejtësinë”.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë fuqishëm hetimet dhe ndjekjen penale të të gjitha akteve të frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve ose pengimit të drejtësisë. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mundësinë unike që të japin drejtësi për viktimat sepse ato janë një vend i sigurt ku dëshmitarët mund të flasin hapur për krimet që kanë parë dhe pësuar përpara më shumë se 20 viteve. Frikësimi apo hakmarrja ndaj këtyre viktimave është, sipas mendimit tim, krim shumë i rëndë që godet në zemër aftësinë e këtij institucioni për të dhënë drejtësi dhe sundimin e ligjit. Nëse përpiqeni të frikësoni apo të hakmerreni ndaj dëshmitarëve të kësaj gjykate, unë do të bëj gjithçka që është në pushtetin tim dhe të sigurohem që ju të dilni përpara drejtësisë”, ka thënë Smith pas shpalljes së aktgjykimit në fjalë.

Pra, atëherë çfarë po kërkon Ramush Haradinaj me mesazhin e luftës: “Bashkëluftëtarë Hysni e Nasim, qëndroni të fortë. Lufta për liri e shtet vazhdon!”

Para pak ditësh vëllai i tij Dauti, i mblodhi “Shqiponjat e zeza” në një darkë, pas disa vitesh. Emri i tyre është tmerri për shumë familje që kanë të vrarë më të dashurit e tyre.

Pra, thirrja e Ramushit nuk mund të kuptohet jashtë të gjithë këtij konteksti, përveç se si kërcënim për ata që vendosin drejtësi, dhe që ndëshkon ata që mund të jenë fajtorë për krimet e kryera me vrasjet politike!

Ai nuk ka veçuar askë dhe asgjë, duke arritur në konkludimin se lufta për liri vazhdon’!

Në një gjyqësor apo hetuesi të pandikuar, Ramushi nëse nuk do të arrestohej, do të duhej të merrej në pyetje, të paktën për të sqaruar qëllimin dhe motivin!

Kosova është e çliruar, dhe kemi vetëm dy probleme kyçe, veriun e Kosovës, dhe krimin e organizuar! T’i me luftimin e asnjërës prej tyre nuk po merresh!

Image
Pamje nga sulmet serbe në veri ndaj policisë së Kosovës

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat