Qeriqi: Serbia dhe Rusia po përpiqen ta njollosin luftën e pastër të UÇK-së

Aktuale

Qeriqi: Serbia dhe Rusia po përpiqen ta njollosin luftën e pastër të UÇK-së

Më: 18 maj 2022 Në ora: 23:46
Xhevdet Qeriqi

Serbia dhe Rusia po përpiqen që përmes Gjykatës Speciale ta njollosin luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha kështu kryetari i Shoqatës së Invalidëve të luftës së UÇK-së, Xhevdet Qeriqi.

Qeriqi tha se zgjerimi i aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit është përpjekje e Prokurorisë vetëm për ta zgjatur procesin e gjykimit. Pasi sipas tij, brenda këtyre akuzave nuk ka asgjë të vërtetë.

“Zgjerimi i aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit e Krasniqit, është përpjekje e radhës e kësaj prokurorie vetëm për ta zgjatur procesin e gjykimit. Ekzistojnë deklaratat tona kur e kemi kundërshtuar raportin e Dick Martit dhe ajo është vërtetuar se nuk ka pasur asgjë të vërtetë. Kështu që jemi të bindur se as në këtë aktakuzë që i rëndon krerët e UÇK-së, nuk ka asgjë të vërtetë, është një aktakuzë politike dhe përpjekje e Serbisë, Rusisë që përmes Gjykatës Speciale ta njollosin luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Qeriqi.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku prokuroria ka pretenduar se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Seminishtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat